Masakra e Tivarit, rrëfimet e historianëve: Titoja i kërkonte vazhdimisht Enver Hoxhës të dërgonte formacione të ushtrisë shqiptare në Kosovë dhe…

25 Mars 2024, 18:12Dossier TEMA
Masakra e Tivarit, rrëfimet e historianëve: Titoja i kërkonte

1941-Pushtimi i Mbretërisë serbo- kroato sllovene

Në prill të vitit 1941, Mbretëria e Jugosllavisë u pushtua nga Gjermania naziste dhe fuqitë e tjera të Boshtit. Takimi në Vjenë, më 21 prill të këtij viti i ministrave të jashtëm italian dhe atij gjerman, çoi në vendimin që shumica e pjesëve të banuara me shqiptarë të Kosovës duhet të viheshin nën kontrollin italian dhe të gjitha ato territore të bashkoheshin me Shqipërinë. Pas kësaj, Komandanti i divizionit gjerman, gjenerali Eberhardt, u takua në Mitrovicë me liderët shqiptarë, mes të cilëve edhe Xhafer Devën duke zyrtarizuar kështu pushtetin në duart e shqiptarëve.

Edhe pse shumica e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës ishin kundër pushtimit të forcave të Boshtit, populli i Kosovës ishte i kënaqur. Për shumicën e shqiptarëve atje, pushtimi italian dhe gjerman ishte, në fund të fundit, shumë më i mirë se sundimi serb. Italianët, lejuan dhe promovuan arsimin në gjuhën shqipe, i cili ishte ndaluar rreptësisht nën administratën e vjetër jugosllave. Ata hapën rreth 170 shkolla fillore në gjuhën shqipe në Kosovë dhe Maqedoni.

Shtator 1943 -Kapitullimi i Italisë Fashiste dhe pushtimi nga Gjermania

Për forcat e djathta shqiptare, gjermanët kishin mbërritur në territoret shqiptare vetëm përkohësisht. Ata mendonin se nuk kishin pse t’i bënin rezistencë një fuqie botërore si Gjermania dhe në të njëjtën kohë të mbroheshin edhe kundër serbëve. Qëllimi i tyre ishte të mbronin dhe të administronin Shqipërinë e madhe. Kjo ishte një ngjarje e madhe historike për Kosovën dhe që atyre u kish ndodhur për herë të parë në histori.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore raportet do të ndryshonin. Gjermanët dhe aleatët e Boshtit fashist po e humbnin luftën. Me disfatë ushtarakisht por dhe politikisht ata po tërhiqeshin nga tokat e pushtuara të mundur. Kjo do të sillte një reaksion të brendshëm brenda territoreve ku ata qeverisnin me regjencën dhe nacionalistët shqiptarë në të ashtuquajturën Shqipërinë e madhe. Çfarë pritej të ndodhte me projektin e tyre tani që gjermanët humbën? Çfarë planesh kishin forcat komuniste serbe me në krye Titon? Cila do të ishte lëvizja e radhës për të dyja palët?

Për të kapërcyer rezistencën e pritur të nacionalistëve në Kosovë, në mars 1944 dhe më pas në 26 gusht të këtij viti, Tito i bëri thirrje Ushtrisë Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët shqiptarë që të hynin në Kosovë për të luftuar armikun dhe reaksionin shqiptar në trojet e Kosovës.

Uran Butka, studiues: Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë nacional-çlirimtare të Jugosllavisë, i kërkonte vazhdimisht Enver Hoxhës që të dërgonte formacione të ushtrisë shqiptare në Kosovë dhe Jugosllavi, për të luftuar kundër armikut, gjermanëve dhe reaksionit kosovar.

Qerim Lita, historian: Kjo çështje për jugosllavët nuk ishte shumë e lehtë për arsye se në këtë periudhë shqiptarët e Kosovës dhe të trevave lindore, ishin fuqishëm që qëndronin pas organizatave kombëtare shqiptare, siç ishte Balli Kombëtar, Lidhja e Prizrenit, pastaj Besa Kombëtare, Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare. Dhe këto organizata faktikisht e mbanin në duar tërë situatën politike ushtarake në ato vise që në vitin 1941 iu bashkangjitën Shqipërisë.

Dhe në vjeshtën e ’44 ushtria nacionalçlirimtare ju bashkua kushtrimit të Titos. Kjo ishte gracka më e madhe që Tito u ngriti shqiptarëve të Kosovës. E bashkë me të, edhe historisë së Shqipërisë. Nga fundi i nëntorit, e gjithë Kosova ra në duart e formacioneve të përbashkëta ushtarake; shqiptare dhe jugosllave gjithashtu. Me shumë gjasë siç edhe ndodhi, asaj, po i kthehej sundimi serb. Një plojë e madhe po përgatitej në sfond. Do të quhej Masakra e Tivarit.

Uran Butka : Masakra e Tivarit, mars-prill 1945, u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav për ripushtimin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi. Platforma politike e kësaj masakre u bë projekti famëkeq shovinist i ultra-nacionalistit serb Çubriloviç, botuar në 1937 dhe pastaj u ribotua në nëntor të vitit 1944 në prag të kësaj masakre dhe si një nxitje për këtë masakër.

Populli shqiptar, i gjendur pa dëshirën e tij nën darën e autoriteteve shtetërore të quajtur Jugosllavi shpresonte se gjendja do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me kohën para luftës. Por në vend që të gëzonte lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar masakra masive kudo. Cili do të ishte projekti i radhës? Çfarë shënohej në platformën e historianit dhe politikanit jugosllav me origjinë boshnjake Vaso Çubrillovic që mbante titullin “Dëbimi i shqiptarëve”?

Uran Butka: Dhe tekstualisht këtu thuhet: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve, t’i zhdukim dhe t’i shpërngulim që në kohën e luftës nga trojet e tyre”. Gjithashtu, thekson ai, “në vend të tyre, të shqiptarëve të shpërngulur, të vendosen kolonët serbë, malazezë dhe maqedonas”. Ky ishte dhe thelbi i platformës së Cubrillovicit, që u bë dhe platforma e Partisë Komuniste Jugosllave dhe ushtrisë jugosllave që realizoi këtë masakër.

Cubrillovic ishte këshilltar i regjimit monarkist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në Beograd. Memorandumi i tij “Dëbimi i shqiptarëve” që iu paraqit qeverisë mbretërore të Stojadonoviç-it më 7 mars 1937, ka shërbyer si platforma kryesore për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë deri kur ajo fitoi pavarësinë. Masakra e Tivarit ishte vetëm njëra dëshmi.

Si nisi ngjarja? Dimër 1944- 1945

Në dhjetor të vitit 1944, pas marrjes së pushtetit nga komunistët, u ndërmorën hapa për të mobilizuar me forcë shqiptarët e Kosovës në Ushtrinë Jugosllave. 30,000 deri në 50,000 burra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia u rekrutuan për t’u dërguar në front gjoja për nevojat e forcave të armatosura jugosllave në Serbi, Vojvodinë, Bosnjë, Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni. Por qëllimi ishte krejt ndryshe.

Qerim Lita (historian): Duhet theksuar se në këto rrethana, Tito me bashkëpunëtorët e tij, bënin një lojë politike që ripushtimin e Kosovës ta bëjë me ndihmën e brigadave të atëhershme shqiptare, me në krye partinë komuniste shqiptare, domethënë Frontin Nacional – Çlirimtar të Shqipërisë.

Kjo u bë jo vetëm për të forcuar radhët për Ushtrinë Jugosllave por dhe për të evituar çdo rezistencë të mundshme antikomuniste në Kosovë duke larguar sa më shumë të rinj nga vendi.

Dhe kolonat u nisën. Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 Mars 1945. Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën e në disa raste edhe u vranë për shkaqe te pabesueshme si në rastet kur dilnin nga kolona për të shuar etjen.

Qerim Lita (historian): Pas mbarimit të luftës së Drenicës, kur forcat jugosllave në fund të shkurtit arritën ta pushtojnë Drenicën, vendosën që gjatë muajit mars, të bëjnë mobilizimin e dhunshëm të popullsisë civile në Kosovë dhe në trevat lindore shqiptare. Dhe si rrjedhojë e kësaj, në pjesën e dytë të marsit, në Prizren u mobilizuan mbi 13.500, rekrutë shqiptarë.

Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosën me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga. Atyre u tha se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Që këtej u nisën për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe, ku në Tivar do të stërviteshin para se të shkonin në front. Ata ishin të zbathur, të zhveshur dhe të paarmatosur.

Qerim Lita (studiues): …Këta eshalona u nisën nga Prizreni për në Kukës, Shkodër dhe në kufirin që ishin me jugosllavët ranë në duart e njësive të atëhershme malazeze, me qëllim që do të dërgohen në frontin e Adriatikut apo Triestes kundër gjermanëve, në kohën kur në atë kohë gjermanë nuk kishte asnjë.

Shumë prej tyre, të gatshëm për të shkuar në tokën mëmë, ku e shihnin si toka e shpëtimit, u dorëzuan me dëshirë. Në Prizren tani ishin mbledhur plot 7.700 burra. Të detyruar të flinin në dyshemetë e ftohta të kazermës, mes tyre shpërtheu tuberkulozi. Kjo ishte dhe pika e fillimit të sagës, e cila u bë e njohur si ngjarja e rëndë e Tivarit.

Qerim Lita (historian): Këto janë disa dokumente, disa burime që kanë filluar që nga prilli i vitit 1944 kur Peka Dabcivic i shkroi një letër shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Nacional – Çlirimtare të Shqipërisë dhe kërkoi që fronti Nacional – Çlirimtar me njësitë e veta, t’u bashkangjitet njësive ushtarake të LNÇJ dhe bashkarisht ta përmbysin reaksionin shqiptaromadh në Kosovë që i prin Lidhja e Prizrenit dhe Lëvizja Nacional-Demokratike Shqiptare.

Po pse ju desh ushtrisë partizane jugosllave ndihma dhe mbështetja e shqiptarëve të Kosovës? Dhe përse pikërisht forcat e djathta u kërkuan të merrnin pjesë me insistim në këtë kushtrim të Titos?

Uran Butka (studiues): Pra, i thirri për të shtypur atë që ai e quante reaksioni shqiptar, pra qëndresa shqiptare. Dhe pikërisht Enver Hoxha si një vasal i bindur ose puthador i Jugosllavisë në atë kohë, ju bind urdhrit e kërkesës së Titos dhe gjeneralëve të tjerë dhe dërgoi fillimisht në fillim të nëntorit të ’44-ës, brigadën e tretë dhe të pestë, me porosinë që i jepte që të mos tregohet ky inkursion dhe në mënyrë të veçantë anglezëve të mos ju thuhet objektivi i brigadës së pestë dhe të tretë që do të shkojnë në Kosovë. Pra, ai e ruante jo vetëm nga shqiptarët dhe politika, por dhe nga politika evropiane… Urdhrat që jepnin ata, i zbatonin me përpikmëri… ushtria shqiptare, kuptohet për qëllimet e veta.

Një dokument i gjetur nga studiuesi Butka citon:

Komandës së Përgjithshme të Armatës Jugosllave në Beograd

Brigadat e divizioneve tona vazhdojnë të jenë të vendosura në vendet e mëparshme të Kosovës. Brigadat janë bërë për ndjekje dhe rrethime të popullsisë gjithnjë me sukses. Stop. Elementët e arratisur, sidomos ata që kanë më pak faj, do të dorëzohen, repartet tona janë bërë, etj… Të gjitha këto veprime bëhen duke iu përgjigjur urdhrave të shtabit tuaj.

Për shtabin operativ të divizionit të gjashtë

Po përse kolonat me rekrutët shqiptarë, në mars dhe në prill të vitit 1945 kaluan përmes Shqipërisë për të shkuar në Tivar dhe Trieste, kur mund të kishin kaluar shumë lehtë në Jugosllavi apo edhe përmes Kroacisë? A kishte një prapavijë tjetër ky projekt? Cili ishte qëllimi?

Uran Butka (studiues): …Vetë fakti që e plotëson këtë gjë, ishte se në këto tre kolona që ishin 30 mijë e ca rekrutë, nuk kishte asnjë jo shqiptar, pra as serbë, as maqedonas. Pra ishte qëllimisht e gatuar kështu që të vriteshin vetëm shqiptarë. Qeveria shqiptare dhe në mënyrë të veçantë Ministria e Brendshme, e lejuan që kolonat me rekrutë të kalonin nëpër Shqipëri, nga një shtet në një shtet tjetër. Nuk u kontrolluan, përkundrazi u ndihmuan nga ushtria shqiptare, në mënyrë të veçantë nga repartet e mbrojtjes së popullit (sigurimit të shtetit). Këto merreshin me prapavijën, arrestonin reaksionarë, arrestonin të arratisur dhe ndihmonin ushtrinë jugosllave në këtë udhëtim mortor.

Ushtria shqiptare e gjeti veten në dispozicion jo vetëm të synimeve të ushtrisë jugosllave, por dhe kushteve në të cilat u realizua masakra e Tivarit. Të gjithë ushtarët shqiptarë që ishin rekrutuar në brigadat partizane të ushtrisë jugosllave dezertuan. Ata u larguan për t’iu bashkuar formacionit të ushtrisë partizane shqiptare sepse ishin në kërkim të shpëtimit të vetes dhe Kosovës.

Uran Butka (studiues): Fatin e kësaj beteje e përshkruan në mënyrë të hollësishme rekruti i mbijetuar Azem Hajdini në promemorien që ai i drejton qeverisë. I pari që e ka denoncuar është Azem Hajdini. Dhe po e citoj: “Në rrugëtimin nëpër Shqipëri humbën jetën 800 shqiptarë të kolonës së parë. Kur hymë në territorin e Shqipërisë u gëzuam pa masë, duke menduar se tash e tutje do të jemi në përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë. Se nuk do të përjetonim mizoritë që kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët. Shumë shpejt u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat dhe vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës. Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”

Por autoritetet ushtarake të Titos që të bëheshin të besueshëm shpikën një tjetër mashtrim; kësaj here atyre u thanë se do të dërgoheshin në Shqipëri sepse i kishte thirrur Enver Hoxha. Shumë vullnetarë nga Kosova, ju bashkuan ushtrisë shqiptare me besimin se po viheshin në krah të vëllezërve të tyre. Por a ishte kjo e vërteta?

Uran Butka (studiues): Për fat të keq, ushtria shqiptare i dorëzonte tek divizioni 27 dhe këta natyrisht i ndëshkonin, i vrisnin e me radhë… Këtu kemi një dokument të Enver Hoxhës që thotë ‘të gjithë ata të dezertuar dhe vullnetarë që bashkohen me ushtrinë shqiptare, t’i dorëzohen divizionit 27’. Pra ishte një bashkëpunim i plotë midis ushtrisë jugosllave dhe ushtrisë shqiptare.

Rrugëtimi i kolonave me rekrutët shqiptarë ishte i pamëshirshëm dhe shumë i rëndë. Në dokumentet e kohës përshkruhet qartazi bashkëpunimi mes dy autoriteteve ushtarake të kohës, ushtrisë nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe asaj që drejtohej nga Josip Broz Tito.

Uran Butka (studiues): Por po ilustroj vetëm me raportin e shtabit të armatës së katërt të Jugosllavisë, më 8 prill ’45. Po e citoj: “Eshaloni i parë shkoi mirë deri në Kukës, në afërsi të Kukësit ndodhi një incident kur u hodh një bombë mbi rojen tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe në këtë rrëmujë arriti të arratisej një grup prej 10 shqiptarësh. Kështu, duke ikur hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare e cila i ndaloi dhe i bëri thirrje të dorëzoheshin. Ndaj kësaj thirrje ata nuk u përgjigjën por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë dy persona, dy të tjerë i plagosën, në të cilën edhe ata vdiqën.” Pra bashkëpunim ushtarak midis dy ushtrive, siç shihet qartësisht edhe nga ky dokument i arkivave jugosllave; asgjesimi i rekrutëve shqiptarë nëpër Shqipëri u bë në bashkëpunim me forcat edhe të ushtrisë jugosllave edhe të Shqipërisë. Dhe ç’është e keqja brenda territorit të Shqipërisë.

Rrugëtimi vazhdoi drejt veriut. Edhe pse të gjithë të tubuarve nga anë të ndryshme të Kosovës dhe Maqedonisë u ishte premtuar se do të deportoheshin me statusin e luftëtarit për të ndjekur armikun në vijën e frontit në veriperëndim të Adriaktikut, nga momenti i parë në Prizren u kuptua se çdo gjë do të ishte tërësisht ndryshe.

Uran Butka (studiues): Duke vazhduar ngjarjet në Kukës: “54 rekrutë të rraskapitur nga ecja dhe nga infektimi i sëmundjeve të ndryshme, u pushkatuan nga ushtarët serbë sepse nuk mund të vazhdonin më udhëtimin. Në Fushë -Arrëz ku fjetëm për t’u shplodhur, i pushkatuan në gjumë 126 rekrutë shqiptarë dhe i hodhën në një hendek dhe i mbuluan me gjethe. Në Pukë, ata pushkatuan para kolonës tre të rinj kosovarë që ishin veshur me rroba kombëtare dhe në prani të forcave shqiptare. Në urën e Gomsiqës, të shkatërruar, e humbën jetën 50 rekrutë sepse ishte prishur rruga dhe u këput teleferiku dhe të gjithë ranë dhe u mbytën. Në Vaun e Dejës, në Drin dhe në lumin Buna por dhe në kazermat e ushtrisë në Shkodër, humbën jetën 124 rekrutë shqiptarë”.

Gjatë rrugës rekrutëve shqiptarë u ndalohej dalja nga kolona për të pirë ujë apo për të kryer nevoja fiziologjike. Kush kishte guxim të vepronte ndryshe e pësonte me jetën. Prej një sjelljeje të tillë tani u kuptua qartë se ata nuk ishin më luftëtarë por robër lufte. Pas kalimit të Shkodrës, u vranë me dhjetëra shqiptarë të tjerë. Në një dokument të papublikuar të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Butka rrëfen se këto të dhëna janë marrë nga arkivat jugosllave. Dëgjojmë se c’thuhet në to:

Uran Butka (studiues): “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq nga organet e UNÇSH. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë dhe Koçi Xoxe”.  Në fakt ai ishte koka e turkut, se ishin të tjerë, në fillim të ’45, kur në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UNÇSH që të pushkatoni ilegalisht dhe pa gjyq në tokën shqiptare më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm. Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, është një font i caktuar. Pra edhe ata e pranojnë që në Shqipëri u vranë më shumë se 1000 shqiptarë të Kosovës. Këtë e ka deklaruar edhe prokurori i përgjithshëm i asaj kohe, Bedri Spahiu, në një prokurë që është bërë për dënimin e koloboracionistëve, duke ia ngarkuar natyrisht Koçi Xoxes.

Me të arritur në Tivar u pa një mobilizim i madh i popullatës vendase ku me ta së bashku ishin edhe njësitë ushtarake të Brigadës së Dhjetë Malazeze, të armatosur në çdo aspekt.

Uran Butka (studiues): … Por më në fund arritën me mjaft dëmtime deri në Tivar, ku i priti brigada e dhjetë malazeze e komanduar nga Gorzha Markoviç, i cili vuri ushtrinë malazeze dhe aty u vranë 420 prej tyre. …

Azem Hajdini, njëri nga dëshmitarët e mbetur gjallë nga Masakra e Tivarit, e kujton kështu ngjarjen e krijuar pas një provokimi të ushtarëve serbo- malazese ndaj ushtarëve shqiptarë:

“…na kanë urdhëruar të ngrihemi në këmbë dhe të qëndrojmë në vend me duar të lidhura mbi kokë. Pas ca na drejtuan dhunshëm të ecim drejt një ndërtese të madhe 3 katëshe, i ashtuquajtur “Monopol i duhanit. Në të hyrë të oborrit, ishin 10-15 ushtarë të cilët me shufra hekuri godisnin në kokë, gjoks apo në shpinë çdo njërin prej nesh… dhe nga këto goditje mbetën të shtrirë për vdekje rreth 100-150 veta. Pas futjes së shqiptarëve brenda në ndërtesë, rreth 1000 veta, dhe brenda oborrit, 2.200- 2.500 veta, rreth orës 14.00, ata shtinë nga të katër anët. Me te gjitha llojet e armëve të zjarrit, me pushkë automatike, mitralozë, mortaja dhe bomba dore. Kështu që brenda një ore, gjithë masa e grumbulluar në ato hapësira nuk mbeti në këmbë. Oborri dhe sheshi u shndërrua në lumë gjaku që i ngjante një kataklizme të vërtetë, ndërsa ndërtesa u shndërrua në gërmadhë me qindra kufoma shqiptarësh brenda saj. Kësaj masakre makabre arritën t’i shpëtojnë kryesisht ata që u gjendën në ndërtesë dhe ndonjëri, që kishte rënë në tokë para se të fillonte sulmi. Kufomat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar mizorisht gjatë natës së 1 duke u gdhirë 2 prilli, u bartën me qerre dhe u hodhën në det për t’u zhdukur nga vendi i krimit”.

Qerim Lita (historian): Burimi më i saktë është që diku rreth 1670 janë masakruar vetëm në Tivar. Ndërsa gjatë rrugëtimit kemi rreth 700 – 800 që janë masakruar, sidomos kjo masakra më e madhe pas Tivarit është masakra e Dubrovnikut.

Uran Butka (studiues): Më tej, në Trogil, një qytet në Kroaci, hipën në një anije por që u përmbush plot e përplot dhe nga pesha u nda në dysh dhe deti u mbush me plisat e bardhë. Vdiqën me qindra e qindra rekrutë shqiptarë në Trogil të Kroacisë.

Ngjarja e rëndë e Tivarit është cilësuar si një krim shtetëror me përmasa ballkanike. Viti 1945, është viti i vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë. Në Kosovë ky vit cilësohet dhe si viti i pushtimit jugosllav të Kosovës me ndihmën e divizioneve të Shqipërisë për të realizuar të ashtuquajturin projekt të Cubrilovicit, mbi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe bashkimin e Kosovës me pjesët e tjera të Serbisë.

Uran Butka (studiues): Dua të theksoj për këtë një saktësim të profesorit historian Zekarie Cana, i cili ka shkuar dhe i ka zbuluar kufomat më vonë atje dhe thotë: “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar në rrugën e vdekjes, e quajtur Golgota e madhe shqiptare”.

Uran Butka (studiues): Për shembull, në arkivin e Kosovës, është një dokument në fondin OKMM, kutia 10/29, viti ’45, kam gjetur dokumentin i cili thotë …që komandantët e ushtrisë jugosllave janë urdhëruar që të vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë në këto troje, e citoj siç është. Pra menjëherë pas projektit të Çubriloviçit, më 8 shkurt të vitit 1945, nga Titoja u vendos regjimi i pushtimit, apo siç quhet regjimi ushtarak në Kosovë dhe nisi në një mënyrë apo në një tjetër dhe shpërngulja masive e shqiptarëve, ‘gjuetia e shtrigave’ në Kosovë dhe në vise të tjera.

Rreth 13,000 rekrutë shqiptarë u dëbuan me forcë nga Kosova dhe Maqedonia dhe u dërguan të paarmatosur në Frontin e Adriatikut në mars dhe prill të vitit 1945. Statistikat ushtarake jugosllave tregojnë se 2,543 prej tyre vdiqën, por shifra reale është shumë më e lartë.

Uran Butka (studiues): Nëse përpiqemi, sipas pyetjes suaj, që të konkludojmë numrin e të vrarëve në masakrën e Tivarit dhe në rrugëtimin nëpër Shqipëri, unë kam studiuar dokumentat e kohës dhe ka rezultuar një numër prej 2933 të masakruar në Tivar, Trogil, Dubrocnik – se një pjesë e atyre që shpëtuan vazhduan rrugëtimin gjoja për në Trieste që do luftonin kundër gjermanëve. Po t’i shtosh këtij numri edhe 1000 shqiptarë të vrarë që u deklaruan nga qeveria shqiptare, rezulton shuma prej 3933 shqiptarësh të vrarë, të mbytur dhe të helmuar në tragjedinë e quajtur të Tivarit. Por kjo është vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut, ajo e dokumentuara sepse pjesa tjetër e padokumentuar, e thënë, e dëshmuar nga vetë qytetarët e Kosovës për bijtë e tyre është shumë e madhe. Kështu që masakra e Tivarit i kalon 4000 – 4500 të vrarë.

E vërteta është se i gjithë ky aksion i përbashkët i të dy ushtrive partizane, jugosllave dhe shqiptare, në dëm të shqiptarëve të Kosovës të cilët u asgjësuan me jetë, u mbajt i fshehtë. Asnjë raport nuk ju dërgua forcave anglo- amerikane se çfarë qëllimi kish dhe çfarë po ndodhte në të vërtetë. Të paktën burimet arkivore të luftës kështu thonë. Këtë, e thonë gojarisht dhe të mbijetuarit e ngjarjes. Por a patën ata burime të tjera informimi?

Uran Butka (studiues): Shteti komunist jugosllav dhe shqiptar e mbajtën të fshehur dhe të pa hetuar këtë masakër… 90 vjet përpara e deri më sot qëllimisht për të fshehur krimin se ishte masakër ndërshtetërore, për të fshehur fajin dhe përgjegjësitë që kishin në këtë tragjedi me përmasa ballkanike sepse nuk ishte vetëm shqiptare.

Qerim Lita (historian): Janë shumë burime të tjera që flasin, por në masakrat që ndodhën, në masakrën e Tivarit dhe të Dubrovnikut, ka qenë i informuar dhe kryetari i misionit ushtarak britanik, gjenerali Hotson, i cili ai merr një letër, promemorje nga kryetari i Besës Kombëtare, profesori Met Berisha, diku në tetor të vitit 1945 dhe e njofton për krimet dhe masakrat që kanë bërë brigadat jugosllave në atë kohë në Kosovë.

E dukshme është se në vitet e mëvonshme as komunistët jugosllavë të Titos dhe as komunistët shqiptarë të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët bashkëpunuan mes tyre, nuk do të ishin aspak të interesuar të hapnin marrëveshjet kriminale që kishin bërë në kurriz të rekrutëve të pafat kosovarë. Shumë masakra të tjera, në shkallë edhe më të tmerrshme, ndodhën në Jugosllavi në vitet 1944-1945, aq sa ngjarja tragjike e Tivarit u zbeh me kohën.

Uran Butka (studiues): Heshtja dhe mosdënimi i krimit solli që masakra të tjera ndaj shqiptarëve të përsëriteshin në mënyrë tragjike, si përshembull ato të fundit si masakra e Reçakut ose gjenocidi serb i Milosheviçit në 1999 ndaj shqiptarëve në Kosovë. E vërteta, vetëm e vërteta mund të shërojë plagët dhe të kapërcejë urrejtjen dhe konfliktet, jo vetëm midis njerëzve por edhe midis popujve.

Në Jugosllavinë komuniste në vitet e mëvonshme, diskursi publik i tragjedisë së Tivarit mbeti një tabu për dy arsye kryesore; së pari, hapte plagë të vjetra mes komunistëve dhe jokomunistëve dhe, së dyti, sepse kërcënonte destabilizimin e marrëdhënieve shpeshherë të dobëta etnike mes shqiptarëve të Kosovës dhe malazezëve që jetonin shumë ngushtë me njëri-tjetrin. Në Shqipëri, akoma dhe më keq. Regjimi stalinist i Enver Hoxhës i kaloi ngjarjet në heshtje të plotë për të shmangur kështu çdo dyshim për përfshirje të saj. Sepse mesa duket përfshirje ka pasur.

Emisioni Eksluzive

9 Komente

  1. b
    ben

    Pas lufte dhe bile dhe sot vazhdojme te drejtojn plehrat komuniste ne Shqiperi, including Sali Berishen dhe djalin e kriminelit Kristaq Rama qe dha urdher per pushkatimimin e te pafajshme dhe sot i ben karshillek drejtuesve serb.

    1. U
      Universi shpresa ime

      Turpi I historis son orkedtruar nga srbët dhe ekzekutuar nga komunistat shqiptarë. Ja pra sa e paska dashur haleja e qoftlargut çështjen shqiptare dhe Kosovën.

      1. K
        Karaburuni

        Duket se Intervista mbeshtetet ne te dhena, te mundshme arkivore dhe deshmi te te mbijetuarve. Gjithsesi ajo duket se eshte nje masaker. Problemi komplikohet shume, sepse ne kete masaker kane marre pjese fronti I bashkuar komunist jugosllavo-shqiptar i Lufte se Dyte Botrore (L2B),por dhe qeverit e krijuara (gati te njesuara jugosllavo-shqiptare) te 1944-1945.. Ne nje denoncim nderkombetare, pergjigja do ishte: kerkoheni nga vetja. Gjithsesi, per ta denoncuar si Masakra Armene, Genocidi Cam i Greqise, duhen deshmi plotesisht te verteta dhe dokumente autentike. Nese ne nje gjykim nderkombetar, vetem nje here nuk paraqet te verteten, behesh pak i besushem. Dokumentet qe paraqiten qofte dhe pak por duhen 100% te verteta. Gjat Luftes se Dyte Botrore Brigadier (Gjeneral) Maclean ka qene ne dhe rreth Jugosllavise nga fundi I vjeshtes te 1943 deri ne formimin e qeverise se bashkuar jugosllave ne Mars, 1945 Bashke me te ka qene Randolph Churchill (djali i Winston Churchill) deri ne Korrik, 1944 Maclean ka shkruar librin (qe duhet lexuar) Eastern Approaches Fitzroy Maclean, London, 1949 Balkan War: With Tito in Yugoslavia Negotiating the future of Yugoslavia (duke negociuar per te ardhmen e Jugosllavise)

        1. T
          Trapajane hesapi

          O Uran.A na thua dot pse YT ate ,Safeti,iu bashkuan italiane e Dhe gjermaneve ne Shqiperi dhe cili ishte shkaku qe vrau vehten ne hale.Mund t'ha vriste ne tavoline e bhkes,te zyres,ne krevat apo divano,por pse pikerisht ne hale. Po regjimenti SS kosova pse iu bashkengjit forcave naziste ne Tirane ,Duke kryer krimet ne emer te nazizmit.

          1. M
            M.Lèpusha

            Ky zoti Butka nuk èshtè pa tendenca, mund tè jepet njè e drejtè qè pèr kètè masakèr ka gisht edhe Qeveria Shqipètare e kohès. Tito dhe serbèt kanè luajtur gjithmonè njè lojè tè rrezikèshme ndaj Shqipèrisè dhe shqipètarève. Gjithèsesi kètu ka vènd pèt ta hapur si çèshtje nga Akademia e Shkencave tè Shqipèrisè qè konkluzioni tè dèrgohet Gjykatès sè Hagès dhe OKB e tè denoncohet gjenocidi ndaj Shqipètarève njè herè e mirè. Kurrè nuk èshtè vonè!

            1. p
              pirro

              Nuk ka lidhje me masakren e Tivarit- Ushtria nac-cl. Kush kerkon te akuzoje per ate masaker mbetet nje burre i poshter dhe anti-shqiptar.

              1. p
                pirro orthodhoks epirjot

                nuk i duan turqit e ballkanit perendimor ,,,,

                1. A
                  Arsimtari

                  Me keta"vullnetare"ka qene edhe kusheriri im Qerkin Muharrem Salihu,i cili i mbuluar me trupa shqiptare te vrare ne kete ndertese arrin te ike me shume peripeti deri ne rrethinen e Shkodres,ku e pranojne si familiar familja Doklani,derisa organet e sigurimit e zbulojne pas 2-3 vjetesh dhe e deprtojne per Kosove-Jugosllavi,kur e denojne me 8 vjet burg,te cilat i mbajti ne Nish te Serbise! Pra,thoshte Qerkin dikur,i cili jetoi deri ne 1999:-ne ishim te vrare si prej shtetit shqiptar si prej atij jugosllav!

                  1. b
                    besim.ari

                    Ka ardhur koha qe te hqni mut e perseri nuk ngopeni.Nuk kuptoni me themeloren qe per per analfabetet qe i servirni keto shkrime lodheni kot sepse ata nuk dijne te lexojne,pavaresisht se jane sot ajka e shoqerise kapitaliste shqipetare.Keto dikur quheshin pordhe me rigon,ku sot me siguri qe gjithe injoranca i shijon.

                    Lini një Përgjigje