Na ishte një herë Kampi i Pionierëve “Qemal Stafa” në Durrës

4 Korrik 2022, 21:40Dossier TEMA

 

Na ishte një herë Kampi i Pionierëve “Qemal Stafa”

Nga Uvil Zajmi

Sa herë që vjen periudha e verës, plazhit, të sjell në kujtesën e largët, mënyrën, format që çdo familje, çdo shqiptar nga i vogël, i rritur organizoheshin për të pushuar, kaluar disa ditë pranë detit. Me to edhe kampet e pionierëve, aq të dashura për atë moshë, sigurisht të ruajtura në memorien e secilit edhe në vitet që do të pasojnë. “Edhe unë kam qenë në kampin e pionierëve….”, pasi nuk ka pionier e pioniere që të mos ketë kaluar, qëndruar e pushuar të paktën një herë në një kamp veror ose dimëror.

Bashkë me fletën e kampit, instruktorët, drejtuesit, ngritjen e flamurit deri edhe burizanin me burinë dhe tingullin e saj “Ta….ta….ta….ta……..”, janë të paharruara. Aq më shumë sot, ai rikthim ngacmohet sa herë që do të kalosh pranë ish-kampeve, ish-ndërtesave, sot të transformuara, ndryshuar, me pak ose aspak gjurmë të lënë nga ajo kohë. Vetëm çfarë mund të shohësh në fotografitë e kohës që mund të ndihmojnë sadopak. Për mua, rikthimi te ai kamp, ishte edhe pak rastësi, kur në një ndër dyqanet antikuarë të Tiranës i interesuar për diçka, syri më zuri një buri.

Një buri normale, jo tipike të orkestrave, bandave frymore, por një buri shumë e njohur dhe që ende sot e ruaj tingullin e saj. Një tingull i paharruar i lidhur me kampin, kur nga mëngjesi deri në mbrëmje, gjithçka ishte e shoqëruar me të. Ajo ishte e para dhe e fundit që me sinjalin saj do të nisje e do të mbyllje aktivitetin ditor. Ishte e pandarë, pa të kampi, qëndrimi në të nuk kishte kuptim. Buria më tërhoqi vëmendjen, e morra në dorë, e shikoja me vëmendje, kuriozitet. Shitësi, një miku im, duke ditur pasionin tim për të tilla sende, më thotë: “Është buria që i kanë rënë në kampion e pionierëve në Durrës”- duke më treguar edhe një revistë “Fatosi” të kohës, ku shihet qartë, djaloshi burizan me burinë. I ruante të dyja bashkë, për të konfirmuar njëra-tjetrën.

U largova i emocionuar, por atë buri, bashkë me revistën, nuk e lashë aty, e kam në shtëpi. Një kujtim i bukur, ndonëse vlera monetare e saj shumë modeste nuk ishte asgjë para vlerës historike së saj. Ishte edhe ky një argument që më nxiti të shkruaj këtë rrëfim-kujtues, për atë kamp, për për ato breza. Si e kujton sot, Kujtim Plaku, burizani i vogël, kur me tingullin e saj zgjonte çdo ditë pionierët, pastaj ngritja e flamurit, deri kur me sinjalin e saj ata shkonin për të fjetur. “Buria ishte simbol i kampit”-thotë muzikanti i njohur durrsak.

Na ishte një herë Kampi i Pionierëve “Qemal Stafa” në Durrës

Me emrin e heroit kombëtar, i projektuar dhe i vendosur te Plepat, siç njihet ajo zonë pas Ilirisë, aty ka qenë Kampi i Pionierëve, “Qemal Stafa”. Në atë zonë të njohur për ish-vilat e Bllokut, Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, dhe atë të Mbrojtjes, në hapësirën midis tyre për shumëvjeçarë ka qenë edhe kampi veror i njohur për pionierë e pioniere, më i madhi në të gjithë vendin. Me disa ndërtesa një katëshe, afër njëra-tjetrës, fusha sportive, gjelbërim, një shesh qendror ku bëhej grumbullimi i pionierëve çdo mëngjes shoqëruar me ritualin e ngritjes së flamurit, bashkë me mensën, kapanonet ku pionierët flinin me krevate marinari.

Në çdo tur-deri në 1000 pionierë nga e gjithë Shqipëria kalonin pushimet aty. Gjithçka e organizuar me instruktorë-mësues për çdo grup, kompani, me programe ditore sportivo-kulturore, ku merrnin pjesë të gjithë. Me qendrën shëndetësore, personelin mjekësor gjithmonë në gatishmëri. Nisja dhe kthimi i pionierëve nga qytetet e tyre ishte i organizuar me autobuzë. Të tilla kampe, por më të vegjël, kishte thuajse në të gjithë bregdetin, si në plazhet Shëngjin, Vlorë, dhe ato liqenor, Shirokë, Pogradec. Njëkohësisht funksiononin edhe kampet malore, si në Dajt, Voskopojë, etj. Sigurisht më të pëlqyera për pionierët ishin ato buzë detit, në veçanti “Qemal Stafa” në Durrës.

Ato funksiononin në periudhën e verës, ose më mirë në tri muajt e nxehtë, qershor, korrik, deri në mesin e muajit gusht, për t’u mbyllur në prag të të fillimit të sezonit shkollor që niste me 1 shtator. Vajtja aty sigurohej me fletë-kampi që familjarët për fëmijët e tyre i merrnin nga qendra e punës ndërmjet Bashkimeve Profesionale, të cilat shpërndanin për pionierë, nxënës të dalluar në të gjithë Shqipërinë. 800 lekë kushtonte, ndërsa për fëmijët e minatorëve e naftëtarëve, ajo ishte falas. Por, ai kamp ka qenë shumë i frekuentuar edhe nga pionierë të huaj.

Kryesisht gjatë kohës së miqësisë me vendet demokratike, në Kampin e Pionierëve “Qemal Stafa”, vinin për të kaluar pushimet në çdo sezon rreth 100 pionierë nga Rusia, Gjermania, Polonia, Bullgaria, etj. Madje më i 1964, në këtë kamp si vizitorë, do të jetë edhe një grup me pionierë belgë, diçka e rrallë për kohën. Gjatë qëndrimit ato njiheshin, me aktivitetet e ndryshme te pionierëve shqiptarë, dhe merrnin pjesë në ngritjen e flamurit çdo mëngjes. Një jetesë në komunitet, të pa mësuar, larg shtëpisë, për atë moshë nuk ishte e lehtë.

Spartakiadat e famshme sportive të pionierëve

Kanë qenë të famshme për kohën, vitet, periudhën. Nuk ka pionier, që të mos ketë luajtur aty, duke përfaqësuar qytetin e tij. Edhe për këtë fakt është bërë i njohur Kampi i Pionierëve “Qemal Stafa”, pasi vetëm aty janë zhvilluar të famshmet Spartakiadat Sportive për pionierë. çdo vit, aty merrnin pjesë pionierë -sportistë, mbi 600, një aktivitete masiv, i jashtëzakonshëm, tejet e frekuentuar, i dashur dhe nga ku janë zbuluar talente, që më pas kanë shkruar historinë e sportit kombëtar.

Në harkun e dy javëve në fushën e futbollit në lindje të kampit, rrethuar me disa shkallë për spektatorët, në çdo paradite, mesditë, ajo do të gjallërohej nga rivaliteti, golat, entuziazmi, që shoqëronte takimet e futbollit, të basketbollit, volejbollit. Ai ka qenë dhe mbetet ende sot, një turne i paharruar specifik për të gjithë. Të fitoje Spartakiadën e Pionierëve, ishte eveniment i madh për qytetin. Veçanërisht futbolli. Aktiviteti programohej në dyjavorin e dytë të muajit gusht, kur pionierët pushues ishin larguar, për t’ja lënë vendin sportistëve pionierë.

Ai aktivitet i zhvilluar pikërisht në Kampin e Pionierëve “Qemal Stafa”, ka qenë më shumë se një festë, jo për konkurruesit, pjesëmarrësit por për gjithë vendin. Në ceremonitë hapëse, mbyllëse merrnin pjesë, ishin të pranishëm edhe drejtues të lartë të shtetit, ndërsa shtypi sportiv i kushtonte vëmendje me informacionet e tij atij aktiviteti madhor. Në një kënd ishte tabela shoqëruar me rezultatet sportive të spartakiadës.

Kujtim Turku: “Ai burizani i vogël, kështu më kujtojnë edhe sot”

Këngëtar, kompozitor, muzikant, jo vetëm në Durrës ku banon, por i njohur kudo, për këngët që ka kompozuar kryesisht për fëmijë, si dhe pjesëmarrës në shumë festivale të qyteteve të ndryshme, përfshirë edhe atë tradicional në Shkodër. Pas kaq vitesh Kujtim Turku, i rikthehet me shumë nostalgji, kujtime, detaje, jetës në Kampin e Pionierëve “Qemal Stafa”. Ka qenë një ndër burizanët e njohur, kur ai me burinë e tij ishte kthyer si pionieri më i dashur për kampistët: “Buria ishte simbol rregullit, disiplinës, shumë e dashur për pionierë e instruktorë, kur ata dëgjonin “Ta, ta ta, ta-në e saj” – thotë Turku.

Kujtim, një fëmijë i talentuar keni qenë?

Ndonëse i vogël, fund vitet ’70-të kanë qenë, dallohesha si një pionier i shkathët. Këndoja bukur, isha i njohur në mjediset artistike të Durrësit. Ishte një moment kur kërkohej një pionier që duhet t’i binte burisë në Kampin e Pionierëve në Plepa. “Ta provojmë Kujtimin”, tha dikush në rrethin, dega e muzikës në Pallatin e Pionierëve në Durrës.

I vogël, 8-9 vjeç mund të keni qenë, pionier, ende nuk i njihnit veglat muzikore? 

Bëhet fjalë që burizani duhet të ishte pionier. E vërtetë që në atë moshë askush nuk ishte shkolluar për vegla. Pra duhej thjesht një rënie e saj. E kishin provuar edhe fëmijë të tjerë e provova edhe unë. Buria ishte e thjeshtë, pa pistona.

Pate vështirësi në atë fillim? 

Ato ishin melodi thirrje, që do të shërbenin si jehonë. Duhej të kishe vesh dhe intuitë t’i bije burisë si kërkohej. Më panë që mbajtja e buzëve, vendosja te bukina e burisë ishte e mirë, sikur të kisha studiuar kështu iu duk atyre, më morën. “Ta.. ta…. Ta… ta….”, ta, kujtoj kur i rashë, ishte hera e parë që e provoja. Për çdo eveniment kishte melodi ndryshe. Nga mëngjesi për zgjim, ngritja e flamurit, vajtja në mensë, dalja në rërë, qëndrimi aty, gjithçka me buri. Në plazh për hyrje e dalje nga uji, kishte thirrje tjetër dhe çdo ritual kishte burinë dhe tingulli i saj që ishte simbol për të gjithë, i edukimit me rregullin e disiplinën

Çfarë kujton, më shumë nga ajo kohë kampi?

Flija në një dhomë, fjetore, në krevate marinari. Zgjohesha herët, vija shallin e pionierit, kisha vendin tim, te Sheshi i Flamurit dhe me burinë që e mbaja lart, jepja sinjalin “ta…ta…ta…ta…”, një tingull i fortë, i bukur, kumbues me te cilin në pak ditë pionierët u mësuan. Momenti i rëndësishëm ishte kur ngrihej flamuri. Gjatë ditës unë isha i fundit që flija, pasi të kisha dhënë komandën: “Pionierë të gjithë në gjumë”.

Të merrnin “inat”, kur me burinë tënde i nxirrje nga uji?

Ishte kënaqësi t’i thirrje pionierët. Të gjithë dëfreheshin më shumë se unë, ishin më të lirë, unë jo shumë. Vetëm një tur me pionierë. Pastaj vinin të tjerë burizanë, me të cilët zëvendësoheshim. Por dëshira ishte e madhe, kam bërë për disa vite, pastaj u rrita deri, kur vjen mosha që nuk je më pionier.

Dr. Flamur Topi: “Ti shërbejë pionierëve, vitet më bukura të jetës sime”

Mjek shumë i njohur e popullor, Flamur Topi një personazh shumëdimensional, nuk e fsheh nostalgjinë që ka për atë kamp, për 15 vite kur shërbeu me përkujdesje pionierëve, që nga e gjithë Shqipëria vinin aty. “Drejtoja Qendrën Shëndetësore, dhe mund ishim në gatishmëri natë e ditë. Kurrë të kemi patur raste të rënda”.

Dr. Flamuri çfarë ju kujtohet nga Kampi i Pioniervë “Qemal Stafa”, në Durrës

Kampi qendror ose nacional, “Qemal Stafa” se edhe kështu është quajtur ai i pionierëve në Plepa, fillimisht futeshe në një rrugë të mbuluar me gjelbërim, pas të cilës ndodheshe në një shesh të madh të pyllëzuar me shelgje. Kur futeshe dukje se kishte qetësi, pastaj të dilnin përpara disa ndërtesa, dhe më në fund ishe në qendrën e kampit, në sheshin ku ngrihej flamuri me bustin e “Qemal Stafës”. Në fasadën e hyrjes ishin vendosur ekspozita, me pionierë të dalluar, gazeta e murit me vjersha, shkrime dhe një tabelë e madhe me germa të mëdha: “Pushojmë dhe dëfrejmë”

Dr. Flamuri, si niste sezoni në kamp?

Që në ditët e para u ngrinin rrethet kulturore – sportive, që pionierët të ishin sa më aktivë. Kishte rrethe, të këngës, shëtitje me varka, brenda tij ishte edhe një klub, klubi i kampit quhej i pajisur me lojëra zbavitëse. Kampi ishte i rrethuar, dhe askush nuk mund të futej pa leje. Pionierët përcilleshin nga familjarët, që kishin të drejtë të vinin në kamp për t’i parë. Një fëmijë nuk lejohej të shkonte dy herë në një kamp. Por kishte nga ata që brenda një sezoni, siguronin fletë kampi, duke vajtur në dy turne, në dy kampe të ndryshme. Kur i zbulonin i largonin nga kampi.

Ngritja e flamurit, çast emocionues për pionierët? 

I kujtoj edhe sot, pionierë, pioniere me shall, buria, të rreshtuar në kuadrate, dhe flamuri që ngrihej nga një pionier. Për to ishte shumë e veçantë. Javët e tyre në kamp ishin të organizuar në mënyrë të tillë që asgjë të mos i mungonte, që nga zgjimi e deri në çastin e sinjalit për gjumë. Programi i çdo dite ishte i tillë që pionieri kampist t’i kalonte orët me pushim, studim, argëtim. Mbi 1000 pionierë e pioniere nga e gjithë Shqipëria, nxënës të shkollave fillore, shtatëvjeçare e tetëvjeçare ishin aty. Nga mëngjesi, ngritja e flamurit, pastaj në plazh, dreka, pushim i detyruar, në mesditë “zemra” dhe argëtim deri në mbrëmje, kur pas darkës shkohej në fjetore.  Ky ishte rituali ditor.

Ora më argëtuese, padyshim futja e pionierëve në ujë?

Ora 10.30 ishte ora e plazhit, në zonën para kampit. Me burizanin që jepte sinjalin, nën kujdesin e instruktorëve, të ndarë në kompani, ai ishte një argëtim i jashtëzakonshëm i tyre, sapo ato binin në kontakt me detin. Zhurma ishte e madhe kur dëgjohej buria dhe të gjithë me vrap drejt ujit. Dhe kjo vazhdonte për rreth dy orë. Në mesditë nuk kishte seanca plazhi, në raste të rralla.

Gjithçka në sinkron, me udhëheqës çete, instruktorë të shërbim të fëmijëve?

Kishte udhëheqës që kishin grupin me 30 pionierë nga e gjithë Shqipëria. Si dhe instruktorët të specialiteteve të ndryshme, të noti, për lojërat me dorë, skaut, qendrën e zërit, etj. Ato ishin nga qytete të ndryshme, mësues, rreth 1600 bashkë me pionierët në një turn. Kishte udhëheqës çete me 20 persona që drejtonin 20 kompani. Këta mund të qëndronin edhe një turn më shumë. Ata ishin të parët që na njoftonin, për raste shëndeti, problemet që kishin pionierët, pasi ishin shumë të lidhur dhe qëndronin në çdo çast pranë tyre.

Më folët për një drejtor të paharruar?

E keni fjalën për drejtorin Pëllumb Gjebrea, drejtuesin e njohur, sa rigoroz, aq i dashur për fëmijët. Vite pa fund drejtues i atij kampi, duke rritur e përcjellë breza pa fund pionierësh. Njeri korrekt, i angazhuar, si prind, edukator, dhe organizator i jashtëzakonshëm. Nuk ishte e lehtë më besoni. I fundit flinte, i pari zgjohej. I kontrollonte fëmijët, i kujdesshëm në trajtimin e tyre. Në ballë të Kampit nga drejtor Pëllumbi ishte shkruar: “Kampi i Pushimit i Pionierëve”, pra gjithçka ishte vetëm për ato, fëmijët, jo për udhëheqës e instruktorë. Ky ishte mesazhi i atij baneri.

Ju kujtohet kur niste periudha e kampit?

4 korrik turi i pari. Fillimisht funksiononin katër turne, dhe 16 ditë një tur, pastaj periudha e qëndrimit u reduktua në tre turne nga 21-ditë qëndrim. I rrethuar, ku askush nuk mund të futej pa leje. Ka një kuriozitet, që lidhet me drejtor Pëllumbin, se pikërisht aty është njohur me gruan e tij, vitit 1955 ka qenë, kur ajo ishte udhëheqëse, ai drejtues.

Si organizohej, administrohej gjithë ai aktivitet masiv?

Kishte udhëheqës që kishin grupin me 30 pionierë nga e gjithë Shqipëria. Ato ishin nga qytete të ndryshme, mësues, rreth 1600 në total pionierë-udhëheqës bëheshin një turn. Kishte udhëheqës çete me 20 persona që drejtonin 20 kompani. Këta njerëz mund të ëndërronin edhe një turn më shumë. Kishte fëmijë, pionierë që nuk e njihnin detin, kishin frikë, qanin, duhej kujdes i madh me to. Ishin, vinin nga zona të largëta e të thella malore.

Punë e madhe, përgjegjësi, korrektësi gjithashtu?

Drejtor Gjebrea strukturën e kishte në kokë, shkonte vetëm pak dita para se të vinin pionierët. Kampi kishte edhe drejtorin e përgjithshëm për çështjet administrative, Manushaqe Boja nga Durrësi. Të gjithë punonin me vetëmohim, nga instruktorë, udhëheqë, pa harruar edhe Viktor Skanjeti, magazinierin e palodhur, kuzhiniere Xhepi, Aliu, Sadiku, kameriere Feruzja, Sadiku, përgjegjësin e lavanterisë, Fiqon. Leta dhe Mamica në qendrën e zërit dhe i përvitshme Sula, nga Elbasani, instruktor muzike janë disa që mundem të kujtoj. Kampi funksiononte edhe ne dimër, për Bashkimet Profesionale, që e shfrytëzonin për punëtorët, etj

Në mbyllje doktor Flamuri, çfarë do ti themi lexuesve për atë kamp të paharruar?

Më shumë se 16 – vite punë, bashkë me drejtorin e paharruar Pëllumb Gjebrea, edhe ai pa aq ka besoj. Nga ai kamp, ato vite, kam shumë kujtime, madje kam shkruar edhe një libër, “Ditë verë”, i kthyer më pas në film. Gjithçka dedikuar atij kampi. Asnjë rast problematik nuk kemi patur me pionierët në ato vite, edhe kjo është për t’u evidentuar. (Memorie.al)

9 Komente

  1. V
    Vjola

    Na sollët kujtime të mrekullueshme! Ju faleminderit !

    1. B
      Bardha

      Ti je nje mashtrues,une kam pasur rastin te jem ne cdo kamp te pionierve te Shqiperise.Bashkimet profesionale shperdanin flet kampi per djem e puntore qe kishin perfundua vitin shkollor me rezultate te mira pamvarsishte te biografise (kete vertetoj me nje shok timin)qe kishte probleme me biografin,kjo praktie ashte ndjekur dhe per mbrambjet e viti ri si ne shtepit e pionierve ashtu dhe per pallatin e pionierve ne Tirane.Sot dalin gjithfare mashtryesish e diftojne prralla per nete dimri

      1. s
        sali qeni dhe banda

        Ishte koha kur njeriu edukohej me sjellje qytatare dhe familjare dhe jo kafsherohej si sot.

        1. P
          Pensionisti i Porcelanit

          Eh, jetojme ne epoken e Doktor Sali Mortjes: dikur atje ngrihej Kampi i Pioniereve, sot lulezon prona Private e Milionereve.

          1. a
            aaaaaa

            Kam qene njehere kur isha 10 vjec dhe mbaje mend qe drejtorin P.Gjebreja e kishim frike jo vetem ne femijet por edhe mesuesat ose udheheqesat sic u thoshin.Na mbante ne sheshe cdo dite rreth 30 min para cdo vakti qe te na conin ne menxe per te ngrene,duke folur me shume autoritet dhe me nje fytyre te vrerosur qe nuk buzeqeshte asnjehere dhe kete stil ai ua impononte edhe udheqesave qe vetem bertisnin dhe ulerinin.Rregullorja e kampit ishte dicka me e ashper se e nje reparti ushtarak dhe te gjithe femijet ndiheshim te ndrydhur dhe te friksuar dhe i gezoheshim vetem detit ose ndonje filmi qe shfaqesh ne mbremje.Kishte shume kontrolle per disiplinen dhe ne ishim thjesht ushtar qe duhet te zbatonim rregullat.Ushqimi ishte ne sasi normale,por pamvaresisht kontrolleve cilesore ne te gjithe femijet kalonim ndonja 2 dite me diare.Me sa me kujtohet dite me e bukur ishte kur vinte autobuzi nga rrethi nga kishim ardhur dhe ne femijet gezonim dhe kendonim nga qe do ktheheshim ne familjet dhe shtepit tona. Ne kontekstin e asaje kohe mendoje se kjo ka qene normale dhe i jape te drejt edhe P.Gjebres qe duhej te sillej ashtu per fituar besimin ndaj autoriteteve te larta te kohes per te mbajtur vendin e punes qe me sa di ishte neme ne nje post me rendesi ne ministrine e arsimit.

            1. m
              macja

              Kam qene ne kampin e pioniereve ne Durres ,Vlore, Pogradec, Shirok,Dajt.Nuk kthehen ato vite.Bobo c'na kujtuat,vite te pa haruara!

              1. H
                Homer

                Macja ne Voskopoje ka qene edhe me mire si ushqimi dhe ajri, und per shembull atje kam pare per here te pare ne jeten time Derr te Eger.

              2. O
                Operacioni Zjarri

                Kur te flisni per kohen e Enver Hoxhes permendini edhe keto. Fleten e kampit e merrnin njesoj si femija i puntorit ashtu edhe ai i drejtorit. Te dy kishin te njejtin trajtim. Po sot? Ishte ai shteti qe ju nuk e doni qe kujdesej njesoj per te gjithe.

                1. k
                  kritiku

                  aaaaaaa e ka mire ishin pushime sipas konceptit te asaj kohe, ngjanin me shume me stervitje ushtarake. per ata qe skishin pare det me sy apo skishin shans tjeter sigurisht qe pushime quheshin. Shkoje me kanatiere te bardha deh ktheheshe me ngjyre kafe etj. etj por sidoqofte per ne femijet mjaftonte grumbullimi rremuja....

                  Lini një Përgjigje