Portat e ferrit – shqiptarët në Guajanë

10 Gusht 2023, 13:03Dossier TEMA

Portat e ferrit – shqiptarët në Guajanë

Nga Luan Rama

Odiseja e jashtëzakonshme e shqiptarëve në burgjet e Guajanës

Jo shumë kohë më parë kisha lexuar një roman të jashtëzakonshëm të një «bagnard-i» (siç i quanin dikur të burgosurit që i çonin në brigjet e Guajanës franceze), të titulluar Le Papillon (Fluturaku). Ishte historia e një njeriu që kishte vjedhur diçka të vogël e që kryeneçësia e tij ballë gjykatësve e kishte çuar atë deri në Guajanë (Guyanne), ku do të kalonte vuajtjet dhe aventurat më të çuditshmet të kësaj bote. Vite të tëra ishte betuar se do të hakmerrej ndaj gjykatësve që e kishin dënuar padrejtësisht. Disa herë i arratisur, disa herë i burgosur brenda Guajanës, pas 30 vjetësh, duke u arratisur drejt Venezuelës përmes oqeanit, ai mundi të kthehej në atdhe. Rrëfimet e tij, ngacmuan dëshirën e gazetarëve, të cilët u përkujdesën që ato të shkruheshin brënda një romani, i cili, për francezët dhe gjithë botën, u kthye menjëherë në një «best-sellers». I përkthyer në mjaft gjuhë, ky roman, do të realizohej në një film interesant francez por dhe një tjetër amerikan, ku rolin e tij do ta luante Dustin Hoffman. Por çuditërisht, jo shumë kohë më vonë do të ndeshja një listë të gjatë shqiptarësh në arkivat e Quai d’Orsay-it, që dëshmonin për të njëjtën histori të burgosurish në Guajanë, por kësaj rradhe për fate shqiptarësh të burgosur në brigjet e këtij vëndi të humbur në Amerikën e jugut, përballë arqipelagut të Karaibeve. Kuptohet habia ime që po gjendesha përballë atyre emrave shqiptarë duke përfytyruar njëkohësisht udhëtimin e tyre të jashtëzakonshëm e plot vuajtje, që zakonisht shoqërohej nga këngët e «bagnard-ëve»:

«Po ikim drejt lumit Maroni/ Atje ku peshkaqenët vigjëlojnë/ Nuk kemi emra, nuk jemi asgjë/ Jemi veç një anije qensh/ Që po i çojnë të ngordhin në ishull…/

Në mes Qamil Panariti që vdiq në Guajanë
Në mes Qamil Panariti që vdiq në Guajanë

Ç’donin vallë ata shqiptarë në atë vënd nga ku kthimi ishte një shpresë e humbur? Cilët ishin dhe ç’faj kishin bërë? Vallë a arritën të ktheheshin një ditë? Historiografia shqiptare nuk ka folur gjer më sot për këtë episod të hidhur, për këtë keqkuptim që do të kushtonte jetë njerëzish të pafajshëm. Sigurisht, atje, në atë fund bote, secili prej të burgosurve mendonte veç një gjë: të arratisej dhe të kthehej në vëndin e tij, pranë të dashurve të tij. Por kjo ishte me rrezik, se shpesh të burgosurit iknin dhe ktheheshin në kufoma.

Ishin vitet e para të pas Luftës së Parë Botërore kur grupi i shqiptarëve do të ndiqte ata qindra të burgosur të tjerë, duke ngjitur shkallaret e vaporit «Martinière» të kompanisë nanteze të lundrimit me avull në portin verior të Francës. Për herë të parë në jetën e tyre ata do të kapercenin oqeanin për të shkuar në burgjet dhe kampet më të tmerrshme të Francës, në ishujt e Guajanës ku çoheshin të burgosurit me dënime të rënda. «Këshilli i Luftës» në Selanik apo «Këshilli i Luftës» i Divizionit 57 të këmbësorisë franceze, i kishte dënuar disa nga ta me burgim të përjetshëm apo me 20 vjet punë të detyruar. Lufta e Parë botërore apo siç quhej atëhere «la Grande Guerre» („Lufta e Madhe“), pasi nuk dihej se do të kishte një të dytë, kishte marrë fund. Ushtria franceze ishte tërhequr nga Korça, duke preferuar t’ia linte atë jo ushtrisë greke por shqiptarëve. Por nga ana tjetër, veç Themistokli Gërmenjit që ishte pushkatuar me intrigën e ushtarakëve grekë dhe dëshmive të disa shqiptarëve në Selanik në nëntor të vitit 1917, disa dhjetra shqiptarë ishin dënuar nga gjykatat ushtarake për bashkëpunim me bullgarët dhe austriakët, të cilët ishin armiq të Antantës. Ishin vallë informatorë të austriakëve apo thjesht fshatarë që gjendeshin në vijën e frontit dhe që nuk kuptonin se përse gjithë këto ushtri të huaja, greke, austriake, franceze, serbe apo bullgare bënin luftë në tokën e tyre… Sigurisht qe jo! „Ushtria e Orientit“ e gjeneralit francez Sarrail kishte bërë të mundur largimin e ushtrisë greke nga Korça të cilën ajo e kishin pushtuar. Kapiteni Descoins do të asistonte në shpalljen e „Republikës autonome franceze“ të Korçës dhe ngritjen e flamujve shqiptar e francez në ballkonin e bashkisë së qytetit. Do të ishin pikërisht francezët që do të kujdeseshin për Republikën e re autonome, për rrugët dhe mbarrëvajtjen e jetës së qytetit, për shkollat dhe ndërtimet, për hapjen e Liceut francez në fundin e vitit 1917, ku do të formohej më vonë pothuaj gjithë elita shqiptare e shoqërisë shqiptare të para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe pikërisht kur Korça nisi të përjetonte ngjyrat pariziane, atëhere ndodhte dhe tragjedia e atyre fshatarëve të mjerë, që të akuzuar nga ushtarakët grekë në gjyqet e Selanikut, dhe të akuzuar si agjentë të austriakëve, çoheshin në skajet e botës, nga ku pak prej tyre do të ktheheshin.

…Vetëm kur anija la pas portin e Nante-s dhe atë grup njerëzish që sapo kishin përcjellë të afërmit e tyre, shqiptarët e kuptuan se po shkonin drejt një bote tjetër dhe se zor të ktheheshin që andej. Pothuaj të gjithë ishin nga kazaja e Korçës, e Pogradecit dhe rrethinat përreth… Udhëtimi kishte qenë i gjatë dhe i tmerrshëm. Shumë prej tyre që nuk e kishin provuar skorbutin dhe u sëmurën rëndë. Muaj të tërë sytë e tyre shihnin veçse oqean, diell dhe stuhi deti me dallgë të stërmëdha që binin mbi anijen. Kur mbritën në brigjet e Guajanës ata menduan se i shpëtuan më së fundi atij kalvari nëpër oqean. Por një kalvar më vete do të ishte ajo tokë e panjohur, plot pyje, ku kishte pak indigjenë dhe shumë të dënuar, të dytyruar për të punuar apo «farçats» siç i quanin në zhargonin e tyre këta lloj të burgosurish.

            Për herë të parë francezët kishin mbritur këtu më 1595, në një kohë kur në këtë vend banonin indianët «wayana» dhe «oyampi», si dhe tribu negro-afrikane. Më pas ishin tregëtarët e qytetit francez Rouen që vinin deri në Guajanës për të bërë tregëti dhe për të evangjelizuar indianët autoktonë. De Poncet de Bretigny, i cili themeloi këtë qytet, u vra pasi ishte shumë mizor me indianët dhe skllevërit, të cilët popullonin këto pyje. Një shekull më vonë, 12 mijë emigrantë arritën në Kajenë (Cayenne) nga Lorraine, si dhe nga Gjermania, Irlanda e Zvicra. Por shumica e tyre vdiqën rrugës nga sëmundjet e skorbutit, tifos, ethet e verdha e malarja. Vetëm dy mijë arritën të zbarkonin në një ishull të vetmuar pranë Kajenës. Që atëhere ata e quajtën atë «Ishulli i Shpëtimit» apo «L’ile du Salut». Të dënuarit e parë nga Franca, filluan t’i sillnin këtu nga viti 1852. Kampi quhej «les bagnes». I nisnin nga portet e Brest-it, të Rochefort apo porti i Toulon-it nga jugu i Francës. Me të zbarkuar, ata i vinin në punë të vështira për shfrytëzimin e pyjeve, kërkimin e arit, të cilin e kërkonin në rrjedhën e lumejnve Maroni dhe Casewene.

            Ç’bënin vallë ata shqiptarë të mjerë në atë skëterrë që quajtur «Ishulli i Djallit  «Ishulli Royale» apo «Ishulli Saint-Louis»? Ishuj ku gëlonin veç të burgosur leprozë, turbekulozë e që vdisnin në krye të pak viteve nga sifilisi apo paludizmi ? Përreth, në ato shkëmbenj të asaj toke vullkanike ku ngriheshin barakat dhe muret e trashë, ku në kafazët e hekurt futeshin ata që ndëshkoheshin, ata shihnin veçse oqeanin, palmat dhe krokodilët, që në moçalet e Guajanës gjuanin këdo që kërkonte të arratisej. Ishte një përçartje e përditshme që do te vazhdonte për vite me rradhë, rrethuar nga ajo masë prej  rreth pesëdhjetë mijë kriminelesh, vrasësish te të gjitha llojeve të krimeve e ku midis tyre nuk mungonin homoseksualët që të burgosurit, kur ata kalonin, u thërrisnin në emrat e tyre të rinj: «La Panthere», «La Marquize» apo «La Princesse». Të gjithë mbanin fshehurazi thika pasi në çdo moment mund të vriteshe nga dikush tjetër. Shumica vriteshin thjesht për tu vjedhur monedhat që ata i fshihnin në anus, ku i fusnin të mbështjellë në një tub druri dhe që në zhargonin e tyre quhej «plan». Herë-herë, në sytë e shqiptarëve zhvillohej spektakli i gijotinës. Për herë të parë në jetën e tyre këta shqiptarë zbulonin këtë shpikje kaq barbare e të llahtarshme: prerjen e menjëherëshme të kokës së njeriut nga një rënie me vërtik të një thike të rëndë. Ata që vrisnin rojet e kampeve dërgoheshin menjëherë në gijotinë, koka e prerë dhe e përgjakur e të cilit, u tregohej menjëherë të burgosurve që ishin të detyruar të ndiqnin ritualin e ekzekutimit të atij që kishte vrarë, që kishte tentuar të arratisej apo bënte «la belle» siç thonin të dënuarit. Por tmerri vazhdonte edhe më tej. Trupin pa kokë të të dënuarit e hidhnin në det poshtë shkëmbenjve të ishullit Royale, ku peshkaqenët vinin të gjenin prehën e tyre të zakonshme njerëzore. Jo më kot, një nga doktorët e Guajanës, duke kujtuar ferrin e atij vendi shkruante se «teoricienët e shfarosjes njerëzore do të kënaqeshin me spektaklin e këtushëm».

            Më 19 maj 1921, Mithat Frashëri, si president i «Délégation Albanaise» në Konferencën e Paqes në Paris, i vendosur para disa muajsh në kryeqytetin francez, i kërkoi qeverisë franceze lirimin e të burgosurve shqiptarë që ishin në burgjet e Francës dhe shumica në Guajanë.  «Në emër të qeverisë sime, kam nderin t’ju tërheq vëmendjen për gjendjen e një numuri shqiptarësh të dënuar gjatë luftës nga Këshillat e Luftës së « l’Armée d’Orient ». Këta shqiptarë, disa prej të cilëve janë dënuar me punë të detyruar, gjenden aktualisht në burgjet franceze: 18-të në Thouars, 13-të në Nîmes, 5 në Beaulieu, 1 në Rion… Një listë emrash lidhet me të burgosurit shqiptarë në Guajanë. Një letër të dytë ai e dërgon në 9 qershor të po atij viti, adresuar shkëlqesisë së tij Aristide Briand, président du Conseil dhe Ministre des Affaires Etrangères. Kësaj rradhe në shkresë janë shtuar emra shqiptarësh që janë në burgjet Meulun, Valence, Poissy. Në Vannes, (Morbihan) ishte i burgosuri Nuri Avduli, i dënuar nga Këshilli i Luftës të Selanikut. Rushit Istrefi, ishte dënuar me 10 vjet punë të detyruar, sepse kishte prerë një linjë telefonike mes shtabit të ushtrisë dhe një baterie artilerie. Ibrahim Ismaili, Hasan Qazimi, Salih Osmani dhe Avdul Veseli ishin dënuar me 20 vjet «T. F», që do të thotë «Travaux Forcés», apo «Punë e Detyruar». Një tjetër shqiptar i quajtur H. Tefiku, dhe që gjendej në Nîmes, ishte i dënuar me burgim të përjetshëm. Beqir Shaqiri, në Beaulieu, ishte i dënuar me 10 vjet «T.F» për vjedhjen e një kali, ndërsa Qazim Xhemali, në Poissy, ishte dënuar me vdekje (pastaj i kthyer me burgim të përjetshëm) vetëm se i është gjetur në shtëpi një armë. Pas kërkesave të qeverisë shqiptare se këta të burgosur ishin të pafajshëm dhe viktima të spiunazhit grek, siç dëshmohet në arkivat e Quai d’Orsay, administrata franceze vihet në lëvizje: korrespondenca të shumta shkëmbehen mes ministrisë së Jashtme, kryeministrisë, Ministère de la Marine, Garde des Sceaux, (Ministria e Drejtësisë) apo Ministère des Colonies (Ministria e Kolonive). Administrata kërkonte informacione më të hollësishme për çdo të dënuar dhe çdo gjykim.

Më 20 dhjetor, Mithat Frashëri, përsëriti kërkesën e qeverisë shqiptare për lirimin e të burgosurve. Në këtë letër përmenden dhe emrat e të burgosurve të tjerë si Tahir Mehmeti, Demir Ramadani, Qamil Panariti, Risto Stefa, Sefedin Celiku, Ibrahim Rakipi, Hasan Tefiku, Jakup Mehmeti, Ali Demiri e Ali Qerimi, të çuar në Guajanë më 30 korrik 1921. Një vit më vonë ishte Xhafer Ypi që i dërgonte një shkresë të tillë presidentit të Këshillit të Ministrave dhe ministrit të Jashtëm të Francës. Në vitet 1922-1923 shumë dosje të shqiptarëve të dënuar u rishqyrtuan menjëherë, duke i ulur në minimum dënimet e tyre dhe shpesh, duke i liruar. Madje në shumë raste kishin qenë ushtarakët grekë që kishin kërkuar dënimin e tyre. Të burgosurit shqiptarë, këta «forçats  albanais» siç i thërrisnin ata, ishin shpërndarë në disa nga kampet e Guajanës. Shumica ishin në Saint-Laurent-du-Maroni, ku bashkë me të burgosur të tjerë francezë apo të kolonive, krijonin një komunitet popujsh të çuditshëm, ku fliteshin me qindra gjuhë. Të tjerë shqiptarë ishin në l’Ile du Diable (Ishulli i Djallit), ku kishte qenë i burgosur më parë kapiteni Drejfus, i njohur në gjithë botën nga «proçesin Drejfus». Të tjerë gjendeshin në Saint-Martin-de-Re, në l’Ile Royale, apo l’Ile Saint-Joseph, të rrethuar nga oqeani e nga ku nuk mund të arratiseshin. Shumë nga të burgosurit aty kishin tentuar të iknin me trape druri apo me dërrasa të mbledhura aty-këtu, por pothuajse gjithnjë ata i kapnin në derdhjen e lumit Maroni. Të tjerë i kthenin dallgët ndërsa ata që s’ktheheshin, ishin përpirë nga oqeani dhe peshkaqenët. Të rrallë ishin ata që kishin mbritur me njëmijë mundime në Trinidad Tabaco, Guatemala, Brazil apo në Venezuela.

Shqiptarët, si dhe të tjerët ishin të detyruar të punonin në pyjet e Guajanës, duke jetuar një botë surealiste dhe të pa imagjinueshme më parë nga ta. Të burgosurit e tjerë u tregonin plot histori. Atëherë të dënuarit shpesh i lidhnin me zinxhirë me njëri-tjetrin, që të mos mund të largoheshin. Njëherë, dy të burgosur, të lidhur, ia kishin mbathur nëpër pyje. Njëri quhej Moroni dhe tjetri Yvon. Pas disa ditësh, Moroni ishte kafshuar në pyll nga një gjarpër i tmerrshëm dhe vdiq. Por Yvon nuk mund të shqitej nga kufoma e tij. I lodhur për vdekje, duke tërhequr me mundim kufomën e shokut të tij, një mëngjes, kur u zgjua, pa se pumat ia kishin ngrënë këmbët shokut të tij të vdekur. I tmerruar mori rrugën e kthimit për në kampin Orapu, që të mund t’ia shkëpusnin atë kufomë nga trupi. Me të arritur, Yvon, që luftonte me ethet, mes jetës dhe vdekjes, më së fundi u çmend. Ja pse të burgosurit shqiptarë u shkruanin me tmerr familjeve të tyre që të bënin çmos ti shpëtonin nga kjo botë e tmerrshme, ku njerëzit vinin dhe nuk ktheheshin më.

            Të burgosurit shqiptarë që prisnin me ankth ditën e tyre të lirimit, ishin kthyer thjesht në numra: Mustafa Xhezairi kishte numurin 42682, Germanos Papa numrin 42906, Risto Stafa – 42941, Sefedin Teliku – 43012, Avdul Veseli – 43038, etj. Ndërkohë, më 28 dhjetor 1922 kishte vdekur Rushit Qamili, pra numri 42339, dhe më 19 shkurt 1923 Ali Qerimi – 42789. Familja, që nuk e dinte vdekjen e këtij të fundit, i kishte dërguar atij 2500 franga përmes konsullatës franceze. Thuhej se atë e kishte vrarë një shqiptar tjetër por për mungesë provash, ky nuk ishte dënuar për vrasje. Më 1923, ministri shqiptar i Financave Pandeli Vangjeli, i kërkoi konsullit francez në Shkodër që të burgosurit që do të faleshin nga qeveria franceze të transferoheshin «gratis» nga anijet e «Compagnie Transatlantique touchant à Cayenne». Në fakt, do të ishte «Compagnie Nantoise de Navigation à Vapeur» që do të bënte transportimin e tyre. Atë vit anija sapo ishte kthyer që andej. Duke qenë se anija e bënte atë rrugë dy herë në vit, do të duhej të priteshin dhe shumë muaj të tjerë. Të burgosurit shqiptarë në « Guyanne Française » ishin njoftuar se qeveria shqiptare po bënte çmos ti shpëtonte nga ai vend i tmerrshëm ku mendonin se s’do të dilnin të gjallë. Jaho Asimi me matrikulën 42331, nga Babien i Pogradecit, ishte dënuar me burgim të përjetshëm e pastaj me 10 vjet «T.F», në kampin Godebert, në Sant-Laurent-du-Maroni. Gruaja e tij, Peme Asimi, i shkruan legatës franceze në Shkodër t’i kthejnë burrin e saj. Sabrije Mustafa, i drejtohet konsullit francez De Wiet, në Selanik, dhe ky i fundit presidentit Poincare, për lirimin e burrit të saj Mehmet Mustafa, që ndodhej i dënuar me 20 vjet burg dhe 10 vjet «T.F», në kampin e Saint-Laurent.

            Pikërisht në vitin 1923, gazetari i famshëm francez Albert Londres, kureshtar nga legjendat e dëgjuara në Paris, zbarkoi në Guajanë. Ai nuk e kishte imagjinuar se këtu do të gjente ferrin e vërtetë që as Dantja nuk e kishte përfytyruar. Gjatë ditëve që kaloi nëpër ishujt e Guajanës, ai takoi të burgosurit më të tmerrshëm dhe më me emër të Guajanës, për të cilët shkruan në reportazhet e tij: ata që prisnin kokat, të dënuarit e përjetshëm, leprozët, të pa korigjueshmit, të pafatët… Francezë, algjerianë, marokenë, senegalezë, vietnamezë… njerëz me tatuazhe në trup të të cilëve shkruhej „AMEN“ apo fraza të tjera të gjata që mbulonin gjithë trupin: „Fëmija i mjerimit“… “I mundur por jo i zbutur“… “Pashë, besova, qava“.

Kur Londres shkoi në Guajanë, të burgosurit flisnin për këtë personazh të çuditshëm të ardhur nga metropoli francez që interesohej për fatin e tyre. Por në shkrimet e tij, Londres nuk flet për shqiptarët: kuptohet, ata nuk kishin të bënin me atë tufë kriminelësh që ishin degdisur aty dhe ku çdo vit vdisnin njëmijë prej tyre ngaqë jeta ishte e pamundur. Kur Londres u largua, shqiptarët që punonin në guroret, hapjen e rrugëve apo pyjet e tmerrshme të Guajanës nuk e dinin se shkrimet e tij për kampet e Guajanës dhe qelitë e izolimit do ta trondisnin ndërgjegjen e shtetit Republikan të Revolucionit dhe të të Drejtave të Njeriut. Por gjërat nuk do të ndryshonin shpejt. Shqiptarët e pafajshëm që do të jetonin një tmerr të pambarimtë, do të qëndronin ende me endrrën e kthimit në brigjet shqiptare apo me idenë e mos-kthimit. Por dita e tyre, më së fundi do të vinte. Pas shumë muaj udhëtimi, siç shkruhet në një shkresë të «l’Autorité Pénitentiaire de la III-ème République» (Drejtorisë së Burgjeve të Republikës së III-të), të burgosurit shqiptarë mbritën në Francë, në portin e Saint-Nazaire, më 13 janar 1924. Policia franceze i pajisi ata me pasaporta për të shkuar në Marsejë e që andej, me anije, drejt Shqipërisë për në portin e Durrësit. Vallë a dinin gjë familjarët e tyre për ta? Gratë, fëmijët, nënat apo baballarët e tyre? Ekzistenca e tyre ishte hipotetike. Thuhej se ishin diku në fund të botës dhe se për të shkuar atje duhej të kaloje një oqean të tërë. Fundi i botës dhe i jetës… Veç një Zot mund ti kthente ata. Por ja, një ditë, në portin e Durrësit ata do të zbrisnin dhe do të puthnin tokën e tyre. Ishte një rilindje e dytë por me mbresat e pashlyera të përjetimit të një kalvari, të një vdekje. Padyshim që historia e çdo njerit prej tyre ishte një tragjedi e madhe, që vështirë se mund të përshkruhej nga dikush tjetër. Të fundit që do të linin ishujt e Guajanës, ishin Hysen Çaushi me matrikulën 42500 në dhjetor të vitit 1927. Stavro Mistro, me matrikulën 42489 do të merrte rrugën e kthimit më 6 mars 1928; Hajdar Laze më 13 tetor 1932 ; Mehmet Tahiri, 42397 më 28 nëntor të po atij viti dhe Haxhi Hyseni i matrikulës 43964, më 29 qershor 1939. Haxhi Hyseni kishte ikur në fundin e një lufte dhe vinte në pragun e një lufte të re. Kohë luftrash, kohë paradoksesh. Por paradoksi më i madh ishte se pikërisht këta njerëz që nuk e donin luftë, pikërisht këta ishin dënuar ta përjetonin atë.

            Reportazhet e Albert Londres do të trondisnin opinionin publik francez për gjendjen tragjike të të burgosurve atje, të kthyer në skllevër pune. Disa vjet më vonë, presidenti francez do të detyrohej të dekretonte mbylljen e tyre. Por do të duheshin akoma dhe shumë vjet, për të larguar që andej të gjithë të burgosurit e mbetur ende. Eshtë e çuditshme që asnjë nga shqiptarët që ka qenë në ishujt e Guajanës nuk ka shkruar kujtime rreth tyre. Madje as tregimet e familjarëve të tyre nuk janë dëshmuar nga askush. Duket se tmerri ka qenë aq i madh, sa të gjithë ata që mundën të kthehen, nuk kanë dashur ta rikujtojnë atë kohë të tmerrshme dhe atë vend të mallkuar që quhej Guajanë, Kajenë, l’Ile du Diable, Saint-Laurent-du-Maroni, Saint Joseph… Megjithatë ende nuk është vonë. Jo shumë kohë na ndan nga të afërmit e tyre që ndoshta ky shkrim mund ti ngacmojë që të rrëmojnë në historitë e gjyshërve, në fotografitë dhe letrat e tyre, për të rindërtuar një episod historik, atë të burgosurve shqiptarë në Guajanë, në ishujt e ferrit, të cilët kurrë nuk e kuptuan se përse po çoheshin kaq larg drejt vdekjes dhe përse ishin dënuar. Ishte kohë e kaosit të madh, kohë e paradoksit dhe e ferrit. Para disa vitesh, duke u interesuar për historinë e luftëtarit të madh Qamil Paariti, i shkrova bashkisë së Cayene duke kërkuar informacione rreth emrit dhe matrikullës së tij. Dhe përgjigja nuk vonoi të vinte: trupi i tij ishte varrosur në varrezat e përbashkëta të të burgosurve të Cayenne-s. E vetmja dëshmi ishte data e vdekjes së tij dhe fotot e asaj varreze si dhe të godinave me mure të rënë dhe porta të hekura ku ata njerëz kishin përjetuar një kalvar të vërtetë.

Shënim: Elida Jorgoni më kishte kërkuar të mësoja se ku ishte varri i Qamil Panaritit në Guajanë. Një figurë heroike, një personazh i dorës së parë në mbrojtjen e Korçës dhe të tokave shqiptare por që fatkeqësisht, ashtu si Themistokli Gërmenji, edhe ai ra në kurthin e makinacioneve politike dhe përfundoi në Guajanë. Menjëherë u shkrova autoriteteve atje. Por përgjigja, edhe pse vonoi, ishte se varret e tyre ishin zhdukur dhe se vetëm një përmendore kujtonte eshtrat e tyre. Në lulen e rinisë, Qamil Panariti ishte i dashuruar dhe letrat që kishte shkruar për të dashurën në Korçë i mbetën një shoku shqiptar që ishte me të në Guajanë. Por fatkeqësisht, me kthimin e tij nga Guajana, ai mësoi se e  dashura korçare e Qamilit tashmë kishte nisur një jetë të re.

5 Komente

  1. 1
    1234

    Demokracia Franceze. Pyetni popujt e kolonizuar nga republika Franceze sepse ata e njohin me mire demokracinevFranceze

    1. j
      janullatos topefagos

      greket si gjithmone te pabese

      1. F
        Flutra

        Respekt per autorin qe ka bere nje kerkim dhe shkrim te tille.

        1. s
          shqip

          Sigurisht qe Luan Rama duhet falenderuar per kete shkrim qe na jep nje informacion sado te vogel te historise se shqiptareve ne ato vite te veshtira qe ishin vendimtare per te ardhmen e vendit tone. Ka kaq shume histori te harruara dhe eshte mire qe individe si zoti Rama i hulumtojne dhe i bejne ato publike.

        2. T
          Tanja

          Luan Rama eshte nje Shkrimtar dhe aq me teper Poet mjaft Profesionist. Me pelqen pena e ketij njeriu. Faleminderit.

          Lini një Përgjigje