Fantazma e pluralizmit politik kishte kohë që vërtitej me kërkesat e përsëritura të intelektualëve dhe nuk mund të pengohej më tej. Pritej vetëm thirrja e studentëve, e cila nuk mund të censurohej nga askush.
Në gazetë më kërkuan të organizoja një bisedë në redaksi me intelektualë të njohur me temë: “Debati si shprehje e demokracisë.” Fillim nëntori i vitit 1990. Po përpiqesha të kuptoja se përse po thirreshin intelektualët, kur mendimet e tyre për zhvillimet në vend e në botë njiheshin. I kishin shprehur ato në takimin me Ramiz Aline tre muaj më parë si dhe ne gazetat “Drita”, “Zëri i rinisë”, radion “Zëri i Amerikës” etj.
Gazeta “Zëri i popullit” po braktisjes dita - ditës nga intelektualët dhe lexuesit. Kjo kishte filluar pas ngjarjeve të 2 korrikut, me shkarkimin e kryeredaktorit reformator Marash Hajati. Në këto rrethana, kjo ftesë e tanishme për intelektualët dukej si përpjekje e sforcuar për të rifituar “pozitat et e humbura” të gazetës komuniste në opininonin publik.
Në listën e ftuarve ishin emra të njohur: Profesor Alfred Uçi, kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve; Profesor Luan Omari, jurist konstitucionalist; Dr. Servet Pëllumbi, profesor i filozofisë; Profesor Doktor Sali Berisa, kardiolog i njohur; Doktor Fatos Nano ekonomist, Sekretar Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave; Doktor Petrit Skënde, drejtori Institutit të Fizikës Bërthamore.
Retrospektivë: “Kurrë pluralizëm partiak në Shqipëri!”
Më 10 gusht Presidenti Alia organizoi një takim me intelektualë “të zgjedhur”, kryesisht shkrimtarë dhe artistë, por edhe nga fusha të tjera. Tema e takimit nuk dihej dhe shumica e të ftuarve ishin thirrur nga plazhet ende pa mbaruar pushimet verore.
Udhëheqësi komunist po përpiqej të tregohej “i hapur”. Përshëndetet me të gjithë, pastaj i drejtohet shkrimtarit Ismail Kadare: “Ku je ti Ismail, përse në rreshtin e tretë (të karrigeve) Hajde këtu pranë”. Duket, ka diçka të veçantë për t’i thënë atij. “Hë pra, do ta filloni ju apo ta filloj unë? (Ata nuk dinë se për çfarë të fillojnë) Mirë pra, po e filloj vetë”. Fjalimi i tij është i gjatë, rreth dyzetë minuta, për ndryshimet që kanë ndodhur në vendet komuniste ku, siç thotë, “pushtetin e kanë marrë në duar klasat e përmbysura”. “Direktiva” e tij është e qartë: qëndroni edhe ju në këtë linjë diskutimi.
Flasin emra që nuk përfaqësojnë gjë të madhe në kulturën shqiptare dhe deklarojnë atë që kërkon udhëheqësi: “Duam pluralizëm mendimi, por jo pluralizëm politik.” Por “njëshi” nuk është i kënaqur. Ideja kryesore e fjalimit që sapo ka mbajtur: nuk do të ketë ndryshime rrënjësore në Shqiperi, sepse ajo është “rast i veçantë” pra, “as lindje as perëndim.” “Ramiz Alia nuk kish dalë para grupit të intelektualëve në rolin e dëgjuesit, por të kreut të Partisë e të Shtetit, që jep direktiva se çfarë lejon Partia dhe çfarë nuk lejon”. (Alfred Uçi, gazeta “Dita”) Ai kërkon të flasin “të mëdhenjtë” në mbështetje të tij: “Jo, dëgjo Ismail, e kuptoj, por këtu e kam hallin, që ndoshta duhet të nxjerrim një konkluzion edhe neve: që të tërë duhet të jemi më aktivë, mendoj unë…”

Përplasja me shkrimtarin
Shkrimtari mundohet të rihapë çështjen e pluralizmit partiak. “Lidhur me pluralizmin që shtruam këtu, që unë nuk e kam shumë të qartë, të them të drejtën, nga ana juridike, as statusin e pluralizmit d.m.th….” Alia ndërhyn: “Shiko, “pluralizëm”, “status”, e di që ç’ke me të ti se ç’domethënë, posi. S’e ditke ti! Të ma thotë ndonjë që s’e di, mirë. Si s’e di? E di, e di ti…”. Kadare vazhdon të bëjë të “paditurin”: “Ose më mirë: ç’kuptohet me këtë fjalë tek ne...?”
Tensioni është ulur këmbëkryq midis tyre edhe pse të tjerët nuk e dinë shkakun. Kadare i ka dërguar Alisë një letër tre muaj më parë (3 maj ‘90) ku ngrinte probleme të mprehta të situatës, sidomos dhunën e përdorur nga policia ndaj protestuesve në Shkodër dhe Kavajë. Ai kërkonte që vendi të futej në rrugën e demokratizimit. Për letrën ka marrë një përgjigje ironike, prandaj tani nuk ka shumë besim te udhëheqësi. “Letra nuk më la përshtypje të mirë, jo për paragrafët “e zymtë”, po për shpërthimin inatçor ndaj atyre forcave që ti i quan “konservatore”… Në letrën tënde me mbi 3 mijë fjalë, nuk ndesha asnjëherë në fjalën “Parti”” (Alia, përgjigje për Kadarenë, 21 maj ‘90) Kuptohet qartë pezmi aktual i politikanit ndaj shkrimtarit dhe anasjelltaz.
Alia merr përsipër të shpjegojë çfarë është pluralizmi politik: “Ç’kuptohet? Kuptohet që përveç Partisë së Punës së Shqipërisë të ketë edhe një parti tjetër, social - demokrate, republikane, një parti liberale, një parti e gjelbër. Ja, kjo është. Ja, këto janë…” Kadare ndërhyn sërish: “Kjo është një temë shumë e vështirë për t’u trajtuar aktualisht, sepse këtu ka dhe shumë ngarkesë politike për këtë problem…”
Alia bën deklaratën e qëllimit të takimit: “Shiko, ngarkesë politike ka dhe ky është i tëri politik. Që ta përmbledh këtë muhabet. Unë mendoj që ky problem është tepër delikat dhe ne nuk duhet të pranojmë kurrë pluri - partizmin. … Kjo do të ishte shkatërrimi i pushtetit popullor pa pikën e dyshimit.”

Berisha “provokon” me gazetën a partisë
Doktor Sali Berisha ndërhyn: “Unë, në radhë të parë, i përmbahem një shprehjeje: “Never say never!” Kurrë mos thuaj kurrë. Unë jam i bindur se në stadin aktual, ky popull nuk është i përgatitur edhe po t’ia japësh (pluralizmin partiak - H.J). Jam për pluralizmin e mendimit”. Ai pra, tregohet i “kujdesshëm”: edhe “kurrë mos thuaj kurrë”, edhe “ky popull nuk është i përgatitur”.
Por ai hedh në sallë një “popël” të padëgjuar: “”Zëri i popullit” të jetë organ i partisë, jo i Komitetit Qendror”, siç ka qenë për 48 vjet. Kjo është si t’i hedhësh benzinë zjarrit. Paskërka një hendek të madh midis partisë, nga njera anë dhe udhëhejqes së saj, nga ana tjetër sipas Berishës. Ideja kundështohet nga Alia. Ai nuk mund të pranojë egzistencën e konfliktit parti - udhëheqje dhe të lejojë gazetën t’i ikë nga duart.
Në takimin prej tre orë e gjysmë nuk pati të kënaqur, por në pamje të parë, as të pakënaqur, megjithëse fjala “pluri - partizëm” u lakua në të gjitha rasat. Alia kërkonte një miratim sado formal të intelektualëve kundër pluralizmit politik dhe, në pamje tè parë, ia arriti. Në gazetën e partisë njoftimi për takimin botohet sipas kronikës së ATSH - së, (e përgatitur në Drejtorinë e Shtypit në Komitetin Qendror) pa u përmendur fare thelbi i tij: përpjekja e sforcuar e Alisë për t’i vënë fre pluri- partitizmit. Megjithatë, djalli kishte dalë nga shishja dhe vërtitej tani nëpër Tiranë në formën e diskutimeve për këtë çështje. Takimi nuk ka shkuar ashtu siç pritej për udhëheqjen. Kjo është përshtypja e përgjithshme. Alia nuk e mori atë që priste.
Ikja e Kadaresë
Më 24 tetor radio “Zëri i Amerikës” dha lajmin se Ismail Kadare kishte kërkuar strehim politik në Francë. Vetë autori deklaroi në valët e saj se ka ikur nga atdheu, sepse nuk ishte dakord me politikat e udhëhqjes komuniste. Zi në redaksinë e gazetës së partisë. Çfarë duhet të ndodhte tjetër për ta quajtur situatën katastrofë? Kanë kaluar vetëm dy muaj nga përplasja e shkrimtarit me Alinë në takimin me intelektualët.
Udhëheqjes së shokuar komuniste i duhen dyzetë e tetë orë kohë për të formuluar tre rreshta lajm për opinionin e brendshëm. Titulli: “Ismail Kadare dezertoi”. Lajmi, (i botuar në fundin e faqes së parë të gazetës): “Nga njoftimet e shtypit të huaj bëhet e ditur se shkrimtari Ismail Kadare, që ndodhej prej afro një muaji në Francë, kërkoi pardje strehim politik atje. Me këtë akt të shëmtuar që fyen rëndë ndërgjegjen patriotike e qytetare të njerëzve tanë, ai braktisi popullin dhe atdheun dhe e vuri veten në shërbim të armiqve të Shqipërisë e të popullit shqiptar.”
Është lajmi më i shkurtër dhe më i trishtë i botuar në gazetë, ku Kadare ka filluar punën si gazetar i ri tridhjetë vjetë më parë, pas kthimit nga studimet në Bashkimin Sovjetik. Ai ishte jo vetëm shkrimtar i njohur botërisht, por edhe deputet dhe nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Goditja ndaj regjimit pra, ishte “brinjë më brinjë”, prandaj edhe gjuha e përdorur në njoftimin zyrtar ishte nervoze dhe e ulët.
Nuk ka shenja se do të ndalohet vepra letrare e “dezertorit” dhe “shërbëtorit të armiqve” Kadare, siç ka ndodhur me shkrimtarë të tjerë më parë. “Gjenerali” i letërsisë botërore do të vazhdonte të lexohej e të studjohej edhe më tej. Cari i Rusisë e kishte frikë Tolstoin, ndërsa Tolstoi nuk e kishte frikë carin. Më vonë autori do të deklaronte: “Kam kërkuar azilin politik, pas një letërkëmbimi të ashpër me presidentin Alia, ku përfundimisht kuptova, se asnjë shpresë nuk mund të pritej prej tij, në kohën kur shumë njerëz besonin se ai mund të bëhej një Gorbaçov shqiptar.” (“Shqiptarja.com”, 7.07.2019)

Gjinushi në Kuvend: “Të lejohet pluralizmi partiak”
Kuvendi Pupullor zhvilloi punimet në sesionin e vjeshtës më 13 dhe 14 nëntor. Deputetët Skënder Gjinushi dhe Ismail Ahmeti, përkatësisht Ministër i Arsimit dhe Ministër i Ndërtimit, kërkuan në diskutimet e tyre lejimin e pluralizmit politik në vend. Flitej se kishte edhe deputetë, ministra dhe intelektualë të tjerë që i mbështesnin. Përmendeshin emra. “Kështjella e pamposhtur ” komuniste po kriste nga brenda. Regjimi kishte përgatitur “varrmihësit” e vet. Kjo ndodhte vetëm tre muaj pas takimit të Alisë me intelektualët, ku ai kishte theksuar se nuk do ketë “kurrë” plualizëm politik. Disidenca e vërtetë politike ishte ende e ngujuar në qelitë e Spaçit dhe Burrelit.
Diskutimet e deputetëve erdhën të plota me buletinin e ATSH-së në gazetën e partisë. Sektori i Brendshëm merrej me redaktimin e tyre. Ato nuk kanë ndonjë gjë interesante për lexuesit për t’i botuar të plota, thjesht “për të pasqyruar” atmosferën e Kuvendit në gazetë. Në këtë kuadër të përgjithshëm të redaktimeve, “redaktohet” edhe diskutimi i deputetit dhe ministrit Gjinushi: hiqet fraza ku kërkohej lejimi i pluralizmit politik dhe vendoset diskutimi në fund të faqes tre të gazetës: “Ja, ta botuam edhe ty diskutimin!”
Por diskutimet janë dëgjuar nga dyqind e pesëdhjetë deputetë dhe punonjës të administratës së Kuvendit, kështu që fjala merr dhenë: është kërkuar pluralizmit politik në Kuvend. Është rasti i parë që një kërkesë e tillë bëhet zyrtarisht nga folëtorja e institucionit të lartë të shtetit nga dy ministra të qeverisë komuniste, në prani të udhëheqjes së lartë. Duket se në kupolën e kuqe ka një krisje e madhe, ku një pjesë e saj, kryesisht të rinj, janë kundër pjesës tjetër për çështjen e pluralizmit politik.
Të ftuarit në redaksi
Në ftesën për intelektualët jepej edhe lista e të ftuarve, për t’u dhënë të kuptonin se me kë do të ishin në tryezë. A do të vinin apo jo? Që të vinin, ata duhet të flisnin atë që mendonin dhe dihej se çfarë mendonin ata, ndërkohë që njihej qëndrimi i udhëheqjes dhe i gazetës ndaj zhvillimeve. Me ftesat në duar shkova në të gjitha institucionet, ku punonin për t’ua dorëzuar në dorë.
Në spitalin 1, kati i dytë, te dhoma e kardiologut, takova doktor Sali Berishën, i veshur me bluzën e bardhë të mjekut. Nga të ftuarit, ky dukej më “problematiku” për të pranuar ftesën, me mendimet që kishte shfaqur në shtyp. Doktori e lexoi ftesën, pa atje listën e të ftuarve të tjerë, falenderoi dhe tha: “Do vij patjetër.” Ky ishte një reagim më shumë se i mirë, sepse prisja refuzimin e tij me justifikime të ndryshme. Të dytit ia çova ftesën Fatos Nanos, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë. I konsideruar nga disa si “ylli në ngjitje” i politikës shqiptare, Nano e pranoi ftesën pa hezitim.
Problematike ishte dorëzimi i ftesës kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Profesor Uçit. Për faj tim apo të drejtuesve të gazetës, isha vënë në pozicion të vështirë me të, sepse e kisha tepruar disi me shkrime kritike ndaj institucioneve të kulturës dhe artit. Atë sektor mbuloja, por nuk mungonin edhe nxitjet e herëpashershme të shefave që thoshnin: “Bjeri Komitetit të Kulturës!” Ndoshta kishin “llogari” të tjera për të larë me të dhe prandaj përdornin gazetën për ta goditur. Protestat e artistëve të Kinostudios me rastin e ngjarjes së dy korrikut, kishin tensionuar marrëdhëniet midis udhëheqjes komuniste dhe tij.Për fat të mirë, profesori i estetikës nuk ndodhej në zyrë atë çast dhe ftesën ia lashë sekretares së tij.

Pëllumbi refuzon gazetën e partisë
Si sallë për takimin kishim lënë saletin e Hotelit “Arbëria” në krah të gazetës, (sot Miinistria e Drejtësisë) Mendoja se për nivelin e të ftuarve, takimi do të zhvillohej në zyrën e kryeredaktorit, e vetmja zyrë për të qenë në gazetë, sepse ata ishin personalitete të shquara, dy prej tyre Nano dhe Uçi anëtarë të qeverisë, por kjo nuk ndodhi. Po afronte ora dhe po prisja te porta e gazetës, gati duke u dridhur nga frika se mos nuk vinin. Por ja tek u duk i pari në trotuar, duke ecur ngadalë, Profesor Servet Pëllumbi. Ai pra, i ishte përgjigjur ftesës. Ç’gëzim i madh! Ky është njeri për së mbari, mendova. Por, jo, isha gabuar. Pas përshëndetjes së rastit, profesori i hodhi ujë të ftohtë gëzimit tim.
- Erdha për të qenë korrekt me ju. Të më falni, por nuk mund të vij në bisedën në redaksi, sepse kam mësim në universitet. Dua të më kuptoni drejt, kam humbur shumë orë mësimi, prandaj duhet të shkoj. – Më dha dorën dhe u largua.
I gjithë gëzimi u kthye në trishtim. Pra, nuk do të vinin intelektualët. Ky ishte i pari dhe nuk e kisha menduar kurrë refuzimin prej tij. Të ndonjë tjetri, po. “Arsyetimi” se kishte mësim e kuptoja që ishte thjesht një alibi. Përse nuk po vinte profesori? Kishte frikë të fliste, se mendonte që gazeta nuk do t’i botonte fjalët e tij, apo nuk i pëlqenin të ftuarin e tjerë në tryezë? Nuk mund ta pyesja për këtë. E vërteta u mësua më vonë.
Më 15 shtator Pëllumbi kishte botuar një artikull gati një faqe në gazetën e partisë me titull: “Thellimi i demokratizimit - domosdoshmëri për zhvillimin tonë”. Jehona pozitve e shkrimit e kishte “grohur” profesorin dhe e kishte bërë të ngrinte “stekën” e kërkesave të tij ndaj udhëheqjes. Në fillim të nëntorit i kishte dërguar një letër Alisë ku, pas analizës së situatës në Shqipëri e në botë, theksonte nevojën e ndryshimeve demokratike. “Vëzhgimi i kujdesshëm i proceseve të sotme … tregon se shoqëria jonë objektivisht po shkon drejt nevojës së pranimit të pluralizmit politik, përfshi edhe atë partiak”… (Pëllumbi: “Dritëhije të tranzicionit”, faqe 13)
“Vëzhgimet” e profesorit e kishin sëkëlldisur udhëheqësin e lartë i cili, në një takim në Presidencë, ia kishte dorëzuar letrën e Pëllumbit ministrit të Brendshëm Hekuran Isai me fjalët: “Ja, shikoni se kush do të na e mësojë pluralizmin tani!” (Pëllumbi: Po aty) Duket se kjo ishte arsyeja e vërtetë që ai refuzoi gazetën, me prekstin e “orëve të mësimit”.
Nuk i dija këto, prandaj mbeta i shtangur në trotuar, ndërkohë që koka me thinja e profesorit po zhdukej mes turmës së kalimtarëve në Bulevardin “Stalin”. Një fillim i prapë ky për bisedën. Prit tani kur të vijnë edhe të tjerët e të thonë: “Nuk vij dot, se më doli një punë.” Ose thjesht, të mos vinin, se s’kishe çfarë t’u bëje. Dhe kështu, dështim i plotë, bisedën po e merrte lumi. Por, jo, nga gjashtë të ftuar, pesë të tjerët iu përgjigjën ftesës.
“Fajin e ka magnetofoni”
A do të vinte dikush nga drejtuesit e gazetës t’i takonte intelektualët e ftuar? Erdhi vetëm shefi i sektorit P.Xhixha. As kryeredaktori, as zëvendësi nuk u dukën.Kjo tregonte se ftesa për intelektualët nuk ishte fort e sinqertë. Kryeredaktori Spiro Dede ishte bërë kandidat i Byrosë Politike pak kohë më parë dhe ndoshta prandaj kishte filluar t’i shikonte të tjerët “nga lart.”
Nuk kisha magnetofon për të regjistruar bisedën, sepse nuk kishte të tillë në gjendje pune në gazetë. Kisha marrë një tufë letrash formati me vete të mbaja shënim ato që do të thuheshin dhe pastaj t’i shtypnim në redaksi. I pari e mori fjalën Profesor Alfred Uçi, shumë i nervozuar. Ndoshta ngaqë drejtuesit kryesorë të gazetës nuk kishin begenizuar të dilnin ta takonin kryetarin e Komitetit të Kulturës dhe Arteve. Ndoshta, nga disa artikuj kritikë që ishin botuar në gazetë për institucionet e artit. Ndoshta për arsye të tjera të marrëdhënieve të tij me udhëheqjen e lartë që nuk i dija. M’u drejtua me fjalë të ashpra:
- Ç’është kjo bisedë në redaksi në saletin e hotelit? A nuk u gjet dot një zyrë në gazetë për t’u futur ne të ftuarit? Përse na ftoni këtu, kur nuk keni krijuar kushte? Kjo nuk është aspak serioze, kjo është për t’u tallur me intelektualët. Por unë nuk mund të lejoj që ju të talleni me mua, a më kuptoni, nuk lejoj? Ja, ti si gazetar nuk ke magnetofon për të regjistruar fjalët e mia. Si do flas unë këtu, ashtu, kuturù do flas? Jo, jo jo, kjo nuk mund të ndodhë, nuk mund të ndodhë. - Dhe vazhdoi disa çaste kështu profesori duke bërë kritika.
Ai po më drejtohej sikur të isha unë fajtor për gjendjen e mjeruar të gazetës. Kisha filluar punë atje vetëm gjashtë muaj më parë. Kuptohej që e kishte inatin gjetkë, te drejtuesit e gazetës e më lart. Unë isha thjesht “kali i kapur që shin lëmin”.

Diskutimi me shkrim i Berishës
U krijua një situatë e nderë. Edhe të pranishmit e tjerë miratonin me kokë parafolësin: “Ka të drejtë profesori , nuk bëhen kështu këto punë!” Bisedën po e merrte lumi për faj të “magnetofonit”, kur e mori fjalën doktor Berisha.
- Me leje! Unë mendoj se nuk është fajtor gazetari për këtë situatë të gazetës, prandaj të mos ia lemë atij përgjegjësinë. Ne të gjithë e dimë, nuk ka magnetofonë edhe nuk ka. Kjo është gjendja në gazetën e partisë. Ja, unë për vete, duke e ditur këtë, kam ardhur i përgatitur me shkrim, sipas ftesës që na është bërë. Këto që kam shkruar në letër, do t’i lexoj tani këtu dhe pastaj do t’ia dorëzoj gazetarit. Prandaj mendoj ta zhvillojmë bisedën.
Dukej se Berisha ishte më i interesuari për zhvillimin e saj. Kjo ndërhyrje e tij sikur i bindi edhe të tjerët: kemi ardhur që kemi ardhur, t’i themi ato që kemi për të thënë dhe të ikim. Filloi biseda dhe mbaja shënim fjalët e secilit prej tyre. Tensioni i krijuar nga fillimi takimit bëri të përqëndrohesha maksimalisht dhe të shënoja gati fjalë për fjalë ato që thoshnin. Me diskutimin me shkrim dore në rreth dy faqe e gjysmë në format A5, Berisha i lexoi ato dhe ma dorëzoi.
Daktilografistja e gazetës u përpoq të shtypte diskutimin e Berishës, por shumë fjalë në të ishin të palexueshme. Shkrimi i tij ishte i tmerrshëm. Kisha punuar për dhjetë vjet mësues i gjuhës dhe letërsisë në shkollë, kisha korrigjuar mijëra hartime e diktime të nxënësve, por shkrim aq të palexueshëm nuk kisha parë ndonjëherë. Me shumë përpjekje munda të lexoj disa nga fjalët, ndërsa për të tjerat lamë vendet bosh në faqe t’i plotësonte vetë autori.
I gjithë debati i shtypur doli 12 faqe. Kryeredaktori tha se materiali do të botohej vetëm katër kolona në gazetë, që do të thoshte vetëm gjashtë faqe daktilografike. Pra duhet të hiqej gati gjysma e tij. Ku t’i çoja gjashtë faqe të tjera të diskutimeve të tyre?! Hall mundimi, por çfarë t’u thosha autorëve? Paskish patur të drejtë Profesor Pëllumbi që nuk kishte ardhur. Dukej sikur kjo bisdë në redaksi po u digjte duart drejtuesve të gazetës: “Ç’na u desh që i ftuam këta ngatërrestarë!” Me materialin e fotokopjuar në duar shkova edhe një herë tek të gjithë, duke iu lutur ta shkurtonin. Nuk kundërshtuan, e kuptonin që kjo që po ndodhte, nuk ishte punë e gazetarit.

Berisha: “Të lejohen organizatat e pavarura politike”
Një natë para botimit, doktor Berisha erdhi vetë në redaksi. Me dy kolegë gazetarë dëgjonim në korridor bisedën e nxehtë të tij me kryeredaktorin nga dera gjysmë e hapur e zyrës:
- Shoku Spiro, ju lutem shumë, atë fjali nuk mund të ma ndryshoni. Jo, jo, jo, ju lutem, aty është i gjithë thelbi i diskutimit tim. Po hoqe atë, atëherë është e kotë e gjithë pjesa tjetër. Është e kotë.
- Shiko doktor. Po sikur ta bëjmë kështu fjalinë? Ja, tingëllon më bukur kështu, dëgjomëni mua, nuk ka ndryshuar asgjë nga kuptimi i saj.
- Jo, jo, jo, nuk pranoj, nuk pranoj, në asnjë mënyrë. Më mirë e tërheq fjalën time fare. Shiko, nuk më ngelet hatri, po e hoqe të gjithën. Por jo, po e botove, atë fjali nuk mund ta ndryshosh, nuk mundet.
Vazhdoi kështu debati mes tyre një copëherë. Cila ishte fjalia që ngulte këmbë Berisha? “Duhet të lejohen organizatat e pavarura politike.” Organizatat e pavarura politike janë partitë. Pra të lejohen partitë. Ky ishte thelbi i fjalisë së tij. Me këtë fjali ndoshta ai kishte dashur të korrigjonte tani gabimin që kishte bërë në takimin me intelektualët tre muaj më parë, kur kishte thënë: “…ky popull nuk është i përgatitur edhe po t’ia japësh (pluralizmin partiak) Tani kishte ardhur koha për shprehjen tjetër: “kurrë mos thuaj “kurrë!””
Të nesërmen, e diel 18 nëntor, materiali u botua në katër kolona të faqes tre të gazetës me format të madh. Mora frymë i lehtësuar, pas një tensioni të madh. Biseda ishte botuar pa emrin tim që e kisha përgatitur. Të punosh dy javë rresht mes tensioneve dhe në fund, të përfundosh në anonimat!
Ngjarjet po lëviznin me shpejtësi. Studentët ishin ende “ngrohtë” në qytezën e tyre. Duhet të kalonin edhe njëzetë ditë të tjera që ata të ngriheshin dhe të kërkonin “dritë”. Alia do t’ua jepte atë menjëherë. Fantazma e pluralizmit politik kishte kohë që vërtitej në vend me kërkesat e përsëritura të intelektualëve dhe nuk mund të pengohej më tej. Pritej vetëm thirrja e studentëve.
Rikthim te “vendi i krimit”
Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 2007, Berisha ishte kryeministër, ndërsa vetë isha rikthyer në gazetë. Një ditë përpara saj u shfaq një punonjëse e Drejtorisë së Shtypit në Kryeministri, ish - gazetare e Televizionit “Klan”.
- Vij nga Kryeministria - tha - Më ka dërguar Doktor Berisha tek ju, të më ndihmoni të gjej një intervistë të tij të botuar në “Zëri…” në fund të vitit 1990. Ai ka në plan të botojë një libër për atë kohë, prandaj i duhet ajo intervistë.
- Berisha nuk ka dhënë intervistë te “Zëri ….” në fund të vitit 1990 - i thashë, me sigurinë e njeriut që e di mirë punën.
- Si nuk ka dhënë?! - pyeti e habitur. - Mua kështu më thanë.
- Nuk ka qenë intervistë, por një bisedë në redaksi me intelektualë të tjerë. Nëse e ke fjalën për atë, shkojmë e gjejmë në gazetë.
Berisha po rikthehej kështu te “vendi i krimit” të tetëmbëdhjetë viteve më parë. Në redaksi ishte i ruajtur koleksioni i gazetës komuniste qysh nga botimi i parë i saj në vitin 1942. Atje ishte edhe “intervista” e Berishës e datës 18 nëntot 1990. Zoti Berisha nuk e ka botuar ende librin e tij me kujtime për atë kohë.
(Nga libri “Shënimet e gazetarit”)
Ismail Kadare
Takimi i Alisë me intelektualët 10 gusht 1990
Kronike e nje vdekje te paralajmeruar!
Gradat shaken ore dhe titujt pedagogjike te Berishes, Nanos dhe Servetit i ke fantazuar Z. Jupe. Fatosi kishte garden shkencore Kandidat i shkencave. Te njejten grade kishte edhe Berisha, i cili nuk e kishte titullin Profesor. Edhe Serveti nuk kishte grade shkencore Doktor. Keto grada shkencore dhe titujt pedagogjike u konvertuan veten kur minister Arsimi ishte Ylli Vejsiu. Duhet të jeni më korrekt, se keni qënë edhe gazetar, megjithese i gazetes Zeri i Popullit.
Dhe te mendosh qe shteti i Kosoves ne fare pak vite ka arritur shume me teperse ju t Shqipnise keni arrit per 100 e kusur vjet. Kosova prodhon talent, Shqiperia banda Shullazi. Per kete jeni xheloz se s keni shanse te prodhoni Xhaka, Lipa, Ora. Ej medet Shqipnia e shkrete
Një gjë nuk kuptoj. Përse glorifikohet Kadare ndërkohë që siç e thoni edhe në shkrim ai mbajti një qëndrim krejt kundër pluralizmit duke thënë një herë se kuptoj dhe pastaj u shpreh për pluralizmin e mendimit. Pak kujt i është dhënë rasti që të shprehet për këtë çështje dhe qëndrimi i Kadaresë në këtë takim nuk është një qëndrim prej intelektuali të vërtetë. Këto unë kam pasur rastin ti dëgjoj në origjinal dhe për hir të së vërtetës autori i ka paraqitur besnikërisht. Por elozhet për Kadarenë janë të neveritshme dhe aspak reale. Gjsesi ai mbetet një shkrimtar i madh një politikan i keq, një intelektual frikacak dhe një njeri me vlera të dyshimta( kujto rastin e dashurisë së vajzës tij me dikë që Kadare nuk e donte)
Ne 6-7 nentor te atij viti u mbajt Plenumi i KQ te PPSh ku u vendos qe te lejohei pluralizmi politik ( pseudopluarlizmi i Ramizit) dhe nderkohe doli dhe Ligji i Zgjedhjeve.... Pas tij ata qe ne gusht kerkonin vetem pluralizem mendimesh nga Ramizi nxituan te flasin ... me 12 në Kuvend Gjnushi, ashtu dhe Saliu, qe e dinte kete nga miku i tij Mehmet Elezi Prandaj kembngulte qe te thuhej kjo ide e tij... Po ashtu dihet mire se shkrimet qe u botuan aato kohe te Gazetat i dergonte Zyra e Shtypit ne KQ... Miti Tona
Dardania e madhe e ka bishtin pas andaj mos u dhjas , Shkupi eshte Dardania jo Prishtina mësoje mire , pastaj kur tregon unin e hajvanit duke u mburrur me te pa shkolle dhe bythjashte qe te bejne krenar çfare mbetet per intelektualet shqiptare nga Kosova deri ne Çameri , meso historine tone kombetare deri sot ku djem e vajza na nderojne si shkencetare, doktarre , inxh. etj. qe kane emer ne bote e jo keta te perkohshmit vlerepak , ok ?
Bravo qe ju pergjigje me aq qetesi provokimeve idiote. Une bie ne gracke zakonisht e shaj. Por sic thote dhe fjala e urte, mos u ndesh me derrin se ai e ka llucen habitat