
Nga Auron Tare
Në një foto të rrallë të Ahmet Zogut, teksa ai po hyn në Tiranë nën shoqërinë e rojës së tij personale Llesh Topollaj dhe shefit të inteligjencës në emigracion, Vasil Kalluci, Zogu mban në kokë një kapele mjaft të pazakontë.
Në përgjithësi, fotot e Ahmet Zogut para emigrimit të tij në vitin 1924 në Jugosllavi e paraqesin me veshje ushtarake dhe me fez të kuq turk në kokë. Mirëpo në fotografinë e kapur në momentin e hyrjes në Tiranë, së bashku me ndjekësit e tij dhe me një repart ushtarak bjellogardist (rusë të bardhë), ai mban një kapele të çuditshme, të panjohur deri më sot.
M’u desh pak kohë të shqyrtoja një sërë festesh (kapelesh) të përdorura në atë periudhë, për të gjetur një identifikim të mundshëm për këtë kapele që mban Ahmet Zogu në foto.Gjatë qëndrimit në Beograd, ndër marrëveshjet që Ahmet Zogu arriti me autoritetet serbe për të siguruar mbështetjen e tyre në rikthimin e tij në Shqipëri, ishte edhe vendosja e një reparti të rusëve të bardhë në shërbim të tij. Këta ishin ish-trupa të Gjeneralit Vrangel, një prej figurave më të rëndësishme të rezistencës antisovjetike. Pas humbjes së luftës nga rusët e bardhë, njësitë e Vrangelit u shpërndanë në disa vende të Europës. Një njësi e kavalerisë kozake, e udhëhequr nga Gjenerali Sergei Ulagai, kishte gjetur strehim në Beograd. Në rrethana ende të paqarta, Ulagai dhe Zogu duket se arritën një marrëveshje, dhe kjo njësi kozake iu bashkua Zogut, duke luftuar përkrah tij gjatë fushatës së rikthimit në vitin 1924.
Kozakët, si edhe etnitë e rajonit të Kaukazit, Çeçenisë dhe Kubanit, mbajnë si shenjë dalluese një kapele tradicionale papakha, e bërë nga lëkura e deles. Kjo kapele është pjesë e veshjes tradicionale të kozakeve dhe mbahet edhe sot në parada ushtarake, ku kavaleria e famshme shfaqi dhe vazhdon të shfaqë aftësitë e saj luftarake.
A mban Ahmet Zogu një papakha në këtë foto? Me shumë gjasë po, pasi fotografia është realizuar pikërisht në momentin e hyrjes së tij në Tiranë, shoqëruar nga trupat kozake. Është e mundshme që Zogu, në shenjë nderimi për këtë njësi ose si një gjest diplomacie ushtarake, të ketë zgjedhur të mbajë këtë kapele karakteristike.
Nuk kam informacion nëse Zogu e përdori më vonë këtë kapele simbolike, por pas shpalljes së tij “Mbret i Shqiptarëve”, ai shfaqet në fotografi ose me kapelë ushtarake, ose me kapelen e bardhë të mirënjohur.
Papakha nuk duket të ketë qenë më pjesë e garderobës së Mbretit, megjithëse një pjesë e mirë e kozakëve që ai solli me vete u vendosën në Shqipëri. Shumica prej tyre u integruan në ushtrinë shqiptare.
Komandanti i tyre, Sergei Ulagai, përmendet në raportet e ushtrisë italiane gjatë zbarkimit në Shëngjin, ku thuhet se nga oficerët e Zogut, i vetmi që organizoi rezistencë në Shkodër kundër italianëve ishte pikërisht Ulagai.

Me interes mbetet fakti se, pasi Zogu u largua nga Shqipëria, ai nuk shfaqet më me uniformë ushtarake ose me kapele. Megjithatë, pas vendosjes së tij në Egjipt, ai i rikthehet mbajtjes së fezit të kuq turk, i cili mesa duket vijonte të ishte në modë në Egjiptin e periudhës së Mbretit Faruk.
Foto 1. Marre nga arkivi i Albanian Vintage Fotography)
2. Trupat e kozakëve të Gjeneralit Vrangel
Une them se asht nje genjeshter alla enveriane qe e kane ndihmuar trupat vrengeliste. Ne rast se asht e vertet, kjo asht madheshtore e Mbreti Zog mbetet fantastik, ne rast se i ka vu ne sherbime te hedhe me bythe perpjete ata qe kerkonin hazretin Lenin. Besoj qe ne Rusi nje dite, pasardhesit e kater gjeneraleve rus ta hedhin Carin e Kuq e te na leshojne nje dore dhe ne se per Evropen me sa duket komunistet shqiptare do te perfundojne milioner e miliarder dhe as nuk duen me ja ditur per te. E kane trullosur Europen me demagogji e me spiralen vica-versa te pluralizmit tip komunist. Mbase ilaçi i persosur kunder komunizmit do te lind atje ku fituan se pari bolsheviket.
Ne permbysjen e grushtit te shtetit te vitit 1924 u perdoren fuqi ushtarake vullnetare shqiptare nga shqiperia dhe nga shqiptaret e ish jugosllavise. Nje repart prej 104 vetesh te ish ushtrise se gjeneralet Vranger ju bashkua kesaj fuqie ushtarake dhe keto ishin me pagese. Ruset nuk moren pjese ne rikthimin e kesaj ushtrie ne Tirane. Ata luftuan vetem ne Peshkopi. Vetem 1/2 e kesaj trupe ushtarake Ruse ndejti ne Shqiperi. Pjesa tjeter mori pagesen dhe u larguan per ne ish Jugosllavi. Nga keto vetem nje 10 vete qe kishin shkollim ushtarak u perthithen nga ushtria Mbreterore Shqiptare. Ulugai ishte njeri nga keto ushtaraket. Kur zbarkuan Italianet ne pushtimin e Shqiperise Ulugai ishte ne Shkoder e sebashku me trupat shqiptare te komanduar nga Spiro Mojsiu braktisen frontin dhe kaluan ne Mal te Zi. Gjate pushtimit italian Ulugai i sherbeu italise dhe ka vdekur ne Itali si gjeneral italian. Zoga ka dhe foto me kapele republike si duket i kishte qef kapelet e ndryeshme.