“Tokat çeke dhe shqiptare, pikëtakime historike, kulturore e diplomatike përmes shekujve”

24 Qershor 2022, 15:13Dossier Prof. Dr Hamit Kaba

“Tokat çeke dhe shqiptare, pikëtakime historike, kulturore e

(Shënime mbi librin  “Tokat çeke dhe shqiptare, pikëtakime historike, kulturore e diplomatike përmes shekujve” të Dr Dorian Koçit)

Kam kënaqësinë dhe nderin njëkohësisht, që në 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-çeke (sllovake), të paraqes librin e studiuesit Dritan Koçi, Tokat çeke dhe shqiptare, pikëtakime historike, kulturore e diplomatike përmes shekujve. Besoj që ky libër është i veçantë dhe ndofta i pari i kësaj natyre, që merret me një tematikë të tillë të veçantë, komplekse dhe mjaftë të shtrirë në kohë, që nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Kjo ndërmarrje nuk ka qenë e lehtë për autorin, por unë besoj se libri që po promovojmë, ia ka arritur qëllimit që të nënvizojë disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së dy popujve, pikëtakimet dhe marrëdhëniet e tyre, diku të rralla e sporadike e diku më tej intensive. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve, më 5  korrik 1922 e deri më sot, përbën një fazë të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve tona. Si dy vende që i përkasin të njëjtit kontinent-Evropës kanë patur kontakte të hershme, pavarësisht mungesës së shteteve kombëtare dhe qenies  së tyre në përbërje të perandorive të mëdha të kohëve, si ajo romake, bizantine e osmane për popullin shqiptar, apo Perandorinë e Shenjtë Romake,  austriake e austro-hungareze për popullin çek.

Katër kapitujve të këtij libri i paraprin një hyrje e gjatë që i kushtohet periudhës së hershme dhe shkon deri  në luftën e parë botërore. Nuk mund të themi se raportet historike, ekonomike e kulturore në jetën e të dy popujve kanë qenë proporcionale, por sidoqoftë si dy popuj evropianë kanë patur të përbashkëta e të veçanta. Nga viti 1002 deri në vitin 1806, Bohemia si zemra e shtetit dhe kombit çek ishte përfshirë në  Perandorinë e Shenjtë Romake, ndërsa Arbëria, ka nënvizuar autori në vijën e konfliktit Lindje – Perëndim. Me gjithë largësinë, diferencat historike, kulturore dhe etnike, të dy popujt janë përfshirë në procese pak a shumë të ngjashme në rrugëtimin e tyre të gjatë historik. Arbrit dhe çekët do të vendosnin kontakte të tërthorta në koalicionet e mëdha antiosmane, me heronjtë e asaj kohe, Skënderbeun dhe Huniadin, në ushtrinë e të cilit ishin përfshirë edhe  trupat boheme. Imazhin e botës shqiptare të kësaj periudhe e paraqiste më mirë se kushdo tjetër-Skënderbeu, i cili përfaqësonte jo vetëm një komandant ushtarak të famshëm, por edhe një përfaqësues të shquar të Rilindjes dhe të humanizmit  evropian.  Figura e Skënderbeut u bë e njohur sidomos nga vepra e shkruar nga Marin Barleti,  e botuar në latinisht dhe më tej e përkthyer në disa gjuhë evropiane, duke përfshirë edhe gjuhët polake e gjermane, të përdorura edhe nga elita boheme. Jehona e veprës së Skënderbeut në Bohemi e Sllovaki dëshmohet edhe nga kopjet e dy letrave të tij, të gjetura në Bibliotekën e Pragës, nga studiuesi shqiptar  Dhimitër Pilika, në vitin 1956, në të cilat gjenden të stampuara dy vulat e tij, si ajo  shtetërore ashtu edhe vula sekrete.

Shek, XVIII-XIX shënojnë rritjen e interesit të historianëve dhe filologëve për popujt e Ballkanit dhe të Perandorisë Austriake në veçanti. Që në vitin 1832, shkruan autori, Monarkia kishte hapur një konsullatë të saj në Shkodër. Në këtë kohë shfaqet edhe kontributi i disa historianëve dhe filologëve çekë për kulturën, historinë dhe gjuhën shqipe, siç ishin Jan Urban Jarnik, Konstandin Jeriçek gjatë kohës që drejtonte Institutin e Historisë të Evropës Lindore në Universitetin e Vjenës e më vonë në Universitetin e Pragës, Josef Vinar etj.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy popujve bëhen më intensive sidomos gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, atëherë kur mjaftë ushtarakë çekë u ndodhën në Shqipëri, si pjesë e trupave  të perandorisë austro-hungareze. Në Shqipëri u gjendën personalitet të shquar çekë si, presidenti i mëvonshëm komunist Antonin Zapotkij ose poeti, gazetari dhe përkthyesi Stanislav Kostka Neumann. Pas mbarimit të luftës disa ish-pjesëtarë të ushtrisë austrohungareze botuan libra me kujtime për fushatën e tyre në Shqipëri, shumica e të cilëve e shikonin Shqipërinë si portën e orientit. Në natyrën e mahnitshme, xhamitë e qyteteve dhe zakonet e shqiptarëve ata gjetën frymëzim për veprimtarinë e tyre letrare.

Krijimi i Çekosllovakisë më 28 nëntor 1918 shënoi realisht fillimin e shtetit të ri, produkt i të cilit ishte edhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë në 5 korrik 1922. Shteti i ri çekosllovak ndryshonte shumë nga ai shqiptar, si në pikëpamje territoriale, ashtu edhe përsa i përkiste zhvillimit. Bohemia dhe Sudetet përfaqësonin zonat më të zhvilluar industriale të perandorisë së dikurshme, me avantazhe ekonomike për zhvillim e përparim, ndryshe nga Shqipëria e prapambetur dhe pa stabilitet politik. Sidoqoftë, pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, rikonfirmimi i pavarësisë dhe kufijve të saj, krijoi bazamentin e duhur për njohjen e saj nga shtetet evropiane. Jo rastësisht në këto vite u vendosën marrëdhëniet diplomatike me shumë shtete, të cilat në këtë vit shënojnë 100 vjetorin e tyre. Por, Shqipëria në Konferencën e Ambasadorëve të Parisit në nëntor 1921 u vendos nën kujdestarinë e Italisë, duke e ngarkuar me ruajtjen e stabilitetit të saj të jashtëm e të brendshëm, atribut, që ajo e shpërdoroi në mënyrën më të keqe të mundshme. Të dy shtetet, si Çekosllovakia ashtu edhe Shqipëria  patën fatin e keq të përfundonin në pushtimin e Gjermanisë  e Italisë, ndërkohë që reagimi i të Mëdhenjve dhe i Lidhjes së Kombeve ishte pothuajse inekzistent. Autori ka nënvizuar trajtimin e ndryshëm të Çekosllovakisë dhe Shqipërisë gjatë pushtimit gjerman. Në fakt, pavarësisht nga kornizat e vendosura nga autoritetet pushtuese, të dy shtetet kishin statusin e vendeve të pushtuara. Statusi i aplikuar nga gjermanët paraqiste ndryshime për ish-shtetin çekosllovak, por ngjashmëritë me Shqipërinë nuk mungojnë. Autori heq disa paralele për këto ngjarje.

Kreu i III u kushtohet viteve të pasluftës së dytë botërore e cila përbënte më intensive të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Si Shqipëria ashtu edhe Çekosllovakia u bënë pjesë  e Perandorisë komuniste sovjetike. Të dyja iu nënshtruan modeleve dhe proceseve  sovjetizuese. Çekosllovakia, ndryshe nga një pjesë e vendeve ish-komuniste e njohu herët qeverinë e Shqipërisë dhe vendosi me të marrëdhëniet diplomatike. Komunizmi shqiptar dhe ai çekosllovak kishin anë të përbashkëta, por  edhe ndryshime, që buronin nga pozicioni gjeostrategjik, projeksioni historik, e shkuara etj. Përgjithësisht, gjatë kohës së komunizmit Çekosllovakia prirej të hapej ndaj ideve demokratike dhe Perëndimit, ndërkohë që Shqipëria mbeti një vend tipik ortodoks komunist. Autori ndalet tek pushtimi i Çekosllovakisë nga trupat e BS dhe vendeve të tjera të Traktatit të Varshavës në gusht 1968 dhe dalja juridike e Shqipërisë prej tij. Shqipëria pas vitit 1968 u dha përparësi problemeve të sigurisë dhe forcimit të gardhit me vendet fqinje, ndër të cilët ishte edhe Jugosllavia. Çekosllovakia ndryshe nga Shqipëria u bë pjesë e Aktit Final të Helsinkit, por ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste edhe zbatuesja e saj më e mirë. Intelektualët e saj progresistë si Vaclav Havel, Jiri Nimec, Vaclav Benda etj, themeluan ‘Kartën 77’ dhe luftuan fort për zbatimin e lirive dhe të drejtave të njeriut që parashikonte shporta e tretë e Aktit, pavarësisht nga privacionet e dënimet ndaj tyre. 

Rënia e regjimit komunist (nëntor – dhjetor 1989, mbajtja e zgjedhjeve të lira.  Ndarja e Çekosllovakisë dhe krijimi i shtetit çek e sllovak trajtojnë marëdhëniet dipolmatike dhe mbështetjen e e Republikës Çeke për Shqipërinë, Kosovë dhe integrimin e tyre në familjen evropiane. Ky libër është një kontribut i çmuar në bibliografinë e studimeve për Evroën Qendrore dhe një vlerë e shtuar në historigrafinë sghqiptare që mund të ballafaqohet denjësisht në shkrimin modern të historisë.

 

 

1 Komente

  1. A
    Ad

    Zotëri, edhe une kam bindjen se Italia e supériorité rondshem atributin ne fjale, por per ta bere bindes duhet analyse dhe prova, ndryshe ky pohim ben efekt te kundert...

    Lini një Përgjigje