Banka Botërore nuk i ka certifikuar nga ana mjedisore tecet lundruese të Vlorës

26 Tetor 2022, 17:41Ekonomia TEMA

Banka Botërore nuk i ka certifikuar nga ana mjedisore tecet lundruese

Banka Botërore ka përgënjështruar deklaratën e ministres së Energjisë Belinda Balluku, lidhur me certifikimin mjedisor të dy anijeve lundruese të prodhimit të energjisë në Vlorë. Në një përgjigje për Faktoje, menaxheri i BB për Shqipërinë Emanuel Salinas hodhi poshtë pretendimet e ministres Balluku, duke sqaruar se Banka Botërore nuk certifikon këto objekte në asnjë vend të botës. Ndërsa ekspertët mjedisorë llogarisin se dy tecet lundruese do djegin 219 mijë tonë mazut në vit dhe për të përthithur diksidin e karbonit (CO2) që çlirohet do të duheshin 200 mijë hektarë pyje shtesë.

Nga Esmeralda Topi

“Dua të siguroj të gjithë banorët e Vlorës, por edhe të gjithë vizitorët, që jemi munduar shumë për të gjetur dy anije që janë të ceritifikuara nga Banka Botërore, përsa i përket respektit të kushteve ambientale”- deklaroi më 5 prill ministrja e Infrastrutkurës dhe Energjisë Belinda Balluku, teksa ambientalistë dhe ekspertë të mjedisit vunë alarmin mbi ndikimet negative në mjedis nga vënia në punë e dy teceve lundruese të prodhimit të energjisë në Triportin e Vlorës.

Nga një kërkim i Faktoje rezulton se në daljet publike të ministres Balluku ky argument është përdorur si mburojë përballë opinionit publik sa herë flitej për këtë çështje.

“Janë të pajisura me certifikatën e Bankës Botërore për të sqaruar edhe publikun, sa i përket ndotjes ambientale, pra plotësojnë të gjitha kushtet sipas kritereve të BB.”- deklaroi sërish më 29 korrik ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, teksa inspektonte punimet në Portin e Ri të Vlorës.

Edhe gjatë inspektimit të dy anijeve me Ambasadoren Amerikane në Shqipëri Yuri Kim, Balluku u kujdes të siguronte opinionin publik për kritere të përmbushura mjedisore.

“Ju sigurojmë që edhe sasia e emetimit është sipas kritereve të konventave ku Shqipëria aderon dhe sipas të gjitha kritereve të vendosura nga Banka Botërore për njësitë gjeneruese të energjisë elektrike.”- tha Balluku më 26 shtator.

Nisur nga rëndësia që ka kjo çështje për publikun, Faktoje vendosi të bëjë një verfikim.

Më 9 shtator, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion zyrës qëndrore të Bankës Botërore në Shqipëri, për t’i pyetur nëse dy anijet lundruese të prodhimit të energjisë elektrike janë të certifikuara nga Banka Botërore për sa i përket kushteve mjedisore.

Deri në 24 tetor ne nuk morëm një përgjigje me shkrim nga ana e Bankës Botërore. Por gjatë një konference me mediat, për prezantimin e Raportit të Rregullt Ekonomik per rajonin e Ballkanit Perendimor, Faktoje iu drejtua me të njëjtën pyetje Emanuel Salinas, Menaxherit të Bankës Botërore për Shqipërinë i cili përgënjeshtroi publikisht deklaratën e zonjës Balluku kur tha:

“Banka Botërore nuk certifikon këto objekte në asnjë vend të botës dhe aktualisht ne nuk jemi pjesë e këtij operacioni. Ajo që ne i theksojmë qeverive, jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe në vende të tjera është rëndësia që ka diversifikimi i burimeve drejt burimeve të gjelbra.” – u përgjigj për Faktoje Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë.

Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me një faturë prej 336 milion euro.

Ankorimi i teceve lundruese në gjirin e Vlorës këtë shtator nxiti protesta nga aktivistë dhe ambientalistë, nën moton“Ne nuk e japim Vlorën”.

“TEC-et lundruese do të djegin 600 tonë naftë të rëndë në ditë, ose 219 000 tonë naftë/vit. Nëse konvertojmë sasinë e naftës në dioksid karboni (CO2), atëherë shifra është rreth 712, 409 tonë CO2/vit. Kjo shifër është e barabartë me; 3749.5 kg CO2 në vit për çdo banor të Vlorës, 275.7 kg CO2 në vit për çdo banor të Shqipërisë, e shtuar kjo në mushkëritë tona. Në nivel vendi, për çdo banor = 82% më shumë CO2 nga ajo sasi që një person nxjerr gjatë frymëmarrjes për një vit. Ose për çdo banor të Vlorës = 10.5 herë më shumë (1050%) se sasia e CO2 që një person nxjerr çdo vit. Për ta përthithur nga atmosfera këtë sasi CO2 që çlirohet nga këto TEC-e lundruese, Shqipërisë i duhen edhe rreth 200,000 ha të tjera pyje shtesë (ose një investim prej 1 miliard euro, për të mbjellë ato pyje).” – argumenton për Faktoje, ambientalisti Abdulla Diku.

Por mesa duket ky nuk është i vetmi problem që do të sjellin anijet në mjedis.

“Unë si inxhinier kimist me eksperiencë të gjatë në industri, problemin kryesor në djegien e naftës së rëndë për prodhim energjie e shikoj tek çlirimi i oksideve të squfurit, të cilët do të jenë më katastrofike për atë zonë, në rritjen e shiut acid etj. Gjithashtu edhe oksidet e metaleve të renda që do të prodhohen në mënyrë të pashmangshme. Nuk ka asnjë informacion dhe as që përmendet fare rendimenti dhe filtrimi i këtyre platformave lundruese. Dhe mbi të gjitha mundësia e rrjedhjes së naftës së rëndë. Imagjino të ndodh një aksident dhe të derdhet një sasi e madhe nafte në ujë, thjesht katastrofë.”- argumenton për Faktoje inxhinieri kimist Genti Migla.

Dy anijet lundruese të prodhimi të energjisë pritet të zhvendosen në zonën e Triportit, pranë TEC-it të Vlorës. Autoritetet janë angazhuar që prodhimi nga këto asete gjeneruese të nis në fund të këtij viti apo fillimi i vitit të ardhshëm dhe përmes tyre thonë se do të sigurohet 15% e konsumit të energjisë në Shqipëri.(Faktoje.al)

4 Komente

  1. n
    nga Vlora, që mos e kruani se ju Q... Nona

    -Faktoje-, je një portal MASHTRUES që paguhesh dhe shkruan nga Zyrat e dy Mortjeve më të mëdha të Shqipërisë post Komuniste prej 3 dekadash; Sali Berishës dhe Ilir Metës. Sot në Internet 99% e portaleve shqiptare (në Shqipëri e disa në Kosovë e Maqedoni) janë pronë direkte e dy Mortjeve, tashmë në rimarrë për ti shpëtuar Burgut dhe Sekuestrimit të pashmangshëm shumë shpejt.

    1. K
      Klodi

      Ore ti perfaqesuese I Faktoje, ti je inxhinjere limits, siç jam dhe unë por unë kam punuar për mjedisin shume vjet, por lexo ne mendje jo me b…. Perse te them keshtu? Sepse behet fjale për anije qe do te gjeneroje energji elektrike dhe ju qellimisht e ngaterroni kete problem. Eshte fakt qe zonja thote jane sipas kritereve te për caktuar nga BB jo se paisjet jane certifikuar nga BB. Po cudi ja eshte se jeni bëre te gjithe si Sazani, mby tja kot, dhe mbi te gjitha me vjen keq qe nje specialist i pyjeve si Abdullai behet vegjel e juaja ne keto sulme mashtruese.

      1. Z
        Zen

        Banka boterore eshte Banke jo autoritet certifikues. Si cdo Banke jep vetem kredi e borxhe dhe perpara se ti jape te ben nje studim tregu apo faisabiliteti dhe ta faturon bashke me kredine. Ja keto ben Banka Boterore se na çat menderen.

        1. L
          Leo diKario

          5000 veta nxori Rama ne proteste kunder Petroliferes dhe Tecit me gaz. Besoj ju kujtohet. 10 vjet pushtet spati kohe ta riparoje Tecin dhe as te shtroje 40km tub per ta lidhur me gazin e TAP. Do ja shikojme tymin e zi shume shpejt :( Ku eshte Eco Albania dhe Leo diKario qe bllokoi kaskaden e Vjoses

          Lini një Përgjigje