Konsumatorët apo punëtorët të parët?

12 Mars 2026, 22:25Ekonomia TEMA

Konsumatorët apo punëtorët të parët?

Nga Dani Rodrik, Project Syndicate

Shumica e ekonomistëve thonë se një ekonomi që funksionon mirë është ajo që ofron një gamë gjithnjë e më të gjerë mallrash dhe shërbimesh me çmime gjithnjë e më të përballueshme. Por ajo që na nevojitet është një mënyrë të menduari rret politikave ekonomike, që pranon se njerëzit janë njëkohësisht konsumatorë dhe punëtorë.

Për çfarë shërben ekonomia? Që nga koha e Adam Smithit, ekonomistët i kanë dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë kësaj pyetjeje: ekonomia rrit mundësitë tona për konsum. Një ekonomi e mirë është ajo që ofron një gamë gjithnjë e më të gjerë mallrash dhe shërbimesh, me çmime gjithnjë e më të përballueshme, nga ushqimi dhe mallrat e konsumit te banesat dhe transporti. Një ekonomi që funksionon keq është ajo e mungesës, ku mallrat dhe shërbimet që kërkojnë konsumatorët ose nuk gjenden fare, ose janë shumë të shtrenjta.

Kjo mënyrë të menduari, e përqendruar te konsumatori, ka qenë tradicionalisht e lidhur ngushtë me ekonomistët akademikë dhe teknokratët. Por sot ajo përshkon edhe mënyrën aktuale të të menduarit në qarqet progresiste.

Në Shtetet e Bashkuara, opozita e demokratëve ndaj Donald Trump është përqendruar tek tema “përballueshmërisë” – një perspektivë qartësisht konsumeriste. Ngjashëm, agjenda e “bollëkut” (abundance), e popullarizuar nga gazetarët Ezra Klein dhe Derek Thompson, i jep përparësi zgjerimit të disponueshmërisë së mallrave dhe shërbimeve, edhe pse në një spektër më të gjerë sesa thjesht mallrat e konsumit, duke përfshirë edhe banesat, transportin dhe energjinë e rinovueshme.

Por ekziston edhe një këndvështrim tjetër ndaj ekonomisë, që thekson një anë tjetër të natyrës dhe nevojave njerëzore. Njerëzit janë njëkohësisht konsumatorë dhe prodhues. Ne gjejmë domethënie, vlerësim social dhe kënaqësi jetësore sa nga puna që bëjmë, aq edhe nga mallrat dhe shërbimet që konsumojmë – në mos edhe më shumë nga këto të fundit. Punët tona na japin ndjesinë e komunitetit, dinjitet dhe identitet.

Kjo është arsyeja pse humbja e një vendi pune shoqërohet me rënie të mirëqenies individuale shumë më të mëdha sesa thjesht pakësimi i të ardhurave që vjen si rezultat i papunësisë. Po ashtu, kjo shpjegon pse një pjesë e madhe e polarizimit aktual social dhe politik, si dhe rritja e populizmit autoritar, lidhen me plagët që kanë lënë në tregjet e punës rajonet e lëna pas nga deindustrializimi, masat e shtrëngimit fiskal dhe globalizimi. Kur vendet e mira të punës zhduken përgjithmonë, pasojat shkojnë shumë përtej humbjes së menjëhershme të të ardhurave dhe konsumit.

Këto dy mënyra për ta parë ekonominë – konsum kundrejt vendeve të punës – çojnë në kuadro shumë të ndryshme politikash dhe zgjidhjesh. Merrni për shembull shërbimin e kujdesit afatgjatë për të moshuarit, një industri e madhe dhe në rritje që sot në SHBA punëson disa herë më shumë njerëz sesa industria e automobilëve. Një pjesë e madhe e diskutimit aktual në lidhje me këtë sektor formulohet rreth sfidës që paraqet “mungesa e punëtorëve”. Kjo është një perspektivë konsumeriste: analiza e politikave përqendrohet te disponueshmëria e shërbimeve të lira të kujdesit për të moshuarit.

Perspektiva e përqendruar te vendet e punës e formulon ndryshe sfidën: si krijimin e punëve të mira në shërbimet e kujdesit afatgjatë. Perspektiva e vendeve më të mira të punës do të tërhiqte më shumë punëtorë drejt sektorit dhe do të rriste ofertën, njëkohësisht me cilësinë e punës.

Ose merrni industrinë e energjive të rinovueshme, si panelet diellore dhe turbinat me erë. Mënyra më e lirë për të zgjeruar përdorimin e energjive të rinovueshme dhe për të përshpejtuar kalimin larg lëndëve djegëse fosile është të mbështetesh te importet nga Kina, lideri botëror në këtë sektor.

Një perspektivë e orientuar nga vendet e punës, përkundrazi, do të mbështeste një qasje më të balancuar që kërkon gjithashtu mundësi për të krijuar punësim brenda vendit. Spanja ndjek një strategji të tillë dhe kryeson në Evropë si për prodhimin vendas të energjisë së rinovueshme në shkallë të gjerë, ashtu edhe për uljen e çmimeve të energjisë.

Së fundi, merrni çështjen e banesave. Produktiviteti në ndërtimin e banesave në SHBA ka mbetur në vend vitet e fundit, pjesërisht për shkak të rregullave të sigurisë dhe rregullave sindikale. Një perspektivë konsumeriste, si ajo e agjendës së “bollëkut”, do të përqendrohej te reduktimi i burokracisë.

Megjithatë, shumë nga rregulloret që e ngadalësojnë ndërtimin njëkohësisht ulin edhe numrin e aksidenteve në vendin e punës. Vdekjet dhe lëndimet mes punëtorëve të ndërtimit në SHBA kanë rënë ndjeshëm që nga vitet 1970 falë rregullave të sigurisë në punë. Si duhet ta peshojmë përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve që këto rregulla kanë mundësuar kundrejt uljes së disponueshmërisë së banesave për popullsinë në tërësi? Përqendrimi te punët e mira duhet të na bëjë më të ndjeshëm ndaj rregullave që sakrifikojnë një pjesë të efikasitetit nëse rezultati është punë më e mirë, më e sigurt dhe më pak e pasigurt.

Për të përmirësuar standardet e jetesës dhe dinjitetin personal, politikëbërësit duhet t’i adoptojnë të dyja perspektivat. Dy qasjet shpesh ofrojnë zgjidhje që bien ndesh me njëra-tjetrën, por një strategji ekonomike që promovon rritjen e produktivitetit në mënyrë miqësore me punëtorët mund të arrijë dy qëllime njëherësh.

Në parim, inovacionet organizative dhe teknologjike që rrisin produktivitetin përmirësojnë si kushtet e punës, ashtu edhe disponueshmërinë e mallrave dhe shërbimeve. Por në shumë raste, punëtorët përfitojnë vetëm një pjesë të vogël të këtyre përfitimeve. Platformat digjitale dhe magazinat e automatizuara e kanë rritur ndjeshëm produktivitetin e punës, por pjesa më e madhe e përfitimeve ka shkuar te kompanitë si Uber dhe Amazon.

Siç argumenton një studim i ri nga ekonomistët e Massachusetts Institute of Technology, Daron Acemoglu, David Autor dhe Simon Johnson, kompanitë shpesh përballen me stimuj të shtrembëruar kur vendosin se cilat teknologji të adoptojnë. Ato mund të preferojnë sisteme hierarkike të orientuara nga efikasiteti, që ushtrojnë kontroll të fortë mbi punëtorët dhe thellojnë ndarjen e punës. Por inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e tjera të reja mund të përdoren edhe për të rritur autonominë e punëtorëve, për t’u dhënë më shumë përgjegjësi dhe për t’i lejuar të kryejnë një gamë më të gjerë detyrash më të sofistikuara. Për shembull, në kujdesin afatgjatë për të moshuarit, organizimi i shërbimeve në ekipe të decentralizuara mund të përmirësojë cilësinë e punës, duke rritur njëkohësisht produktivitetin përmes uljes së qarkullimit të punonjësve dhe shpenzimeve spitalore.

Politikëbërësit nuk kanë pse të bëjnë një zgjedhje të prerë mes një ekonomie që u shërben konsumatorëve dhe një ekonomie që u shërben punëtorëve. Politikat produktiviste që forcojnë zërin e punëtorëve dhe njëkohësisht i fuqizojnë ata përmes inovacioneve organizative dhe teknologjike mund të sjellin progres në të dy drejtimet. Por politika të tilla kërkojnë një mënyrë tjetër të të menduarit: një qasje që balancon perspektivën konsumeriste me vëmendjen e duhur ndaj rëndësisë së vendeve të mira të punës.

Lini një Përgjigje