Të rinjtë që kanë ide dhe dëshirë për të përmirësuar komunitetin e tyre nuk do të kenë më nevojë të regjistrojnë një organizatë jofitimprurëse (OJF) për të përfituar fonde nga shteti. Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime thelbësore në skemën e financimit të projekteve rinore, duke zgjeruar rrethin e përfituesve dhe duke dixhitalizuar të gjithë procesin e aplikimit.
Vendimi i ri, i cili ndryshon rregullat e përcaktuara në vitin 2022, synon t’i bëjë fondet publike më të aksesueshme dhe të nxisë aktivizmin qytetar që në moshë të hershme.
Të rinjtë mund të aplikojnë pa status juridik
Risia më e madhe e këtij vendimi është njohja dhe financimi i “grupeve joformale rinore”. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç tashmë mund të bashkohen në grupe prej të paktën 4 personash për të kërkuar mbështetje financiare për nisma vullnetare me interes publik.
Për të shmangur burokracitë ligjore dhe kostot e regjistrimit të një shoqate, qeveria ka vendosur rregulla lehtësuese. Mjafton që grupi të ketë një përfaqësues në moshë madhore, i cili merr përsipër përgjegjësinë ligjore dhe financiare, si dhe të dorëzojë një deklaratë të nënshkruar nga të gjithë anëtarët ku përcaktohet qëllimi dhe ndarja e roleve në projekt.
Fonde për infrastrukturën rinore në bashki
Krahas të rinjve, një tjetër shtyllë e vendimit është përfshirja e bashkive si përfituese të drejtpërdrejta të këtyre granteve. Pushteti vendor mund të aplikojë për të ndërtuar ose rikonstruktuar objekte publike dedikuar infrastrukturës rinore. Për t’u shpallur fituese, bashkitë duhet të paraqesin një dosje të plotë teknike që përfshin planin arkitekturor, preventivin e punimeve dhe dokumentin e pronësisë së godinës.
Aplikime pa letra përmes e-Albania
Epoka e dosjeve fizike dhe radhëve nëpër zyra merr fund. Të gjitha aplikimet, dorëzimi i dokumenteve provuese dhe madje edhe ankimimet në rast skualifikimi (të cilat mund të bëhen brenda një afati 10-ditor), do të kryhen ekskluzivisht online përmes portalit qeveritar “e-Albania”.
Megjithatë, qeveria ka parashikuar një dispozitë kalimtare: derisa sistemi elektronik për financimin e projekteve të dedikuara të jetë plotësisht funksional, Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) do të vijojë të pranojë aplikime përmes postës fizike apo asaj elektronike.
Për të garantuar mbarëvajtjen e projekteve dhe mirëmenaxhimin e parave publike nga grupet e reja, qeveria ka miratuar një skemë pagesash të ndarë në tre këste.
Kësti i parë (50%), lëvrohet menjëherë pas firmosjes së kontratës së grantit; kësti i dytë (40%) lëvrohet pas miratimit të raportit përshkrues dhe financiar të fazës së parë nga AKR-ja; kësti i tretë (10%) kalon në llogari pas dorëzimit dhe miratimit të raportit përfundimtar të projektit.
Idiotesi populiste e rradhes qe sherben per te shperdoruar fonde nga buxheti i shtetit a thua se nuk mjaftonin rruget e SaliEdit qe po bien dite pas dite.