Rregulli i Artë 80/20: Si të fitosh pavarësi financiare? (VIDEO)

18 Janar 2026, 16:15Ekonomia TEMA
Rregulli i Artë 80/20: Si të fitosh pavarësi financiare? (VIDEO)

Në një mjedis ekonomik ku pagat shpesh nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet në rritje të jetesës, edukimi financiar për të rinjtë nuk është më luks, por mbijetesë. Eksperti i ekonomisë, Dr. Selami Xhepa ndau në Apostrof nga Bjorn Runa, disa parime thelbësore për të rinjtë - por jo vetëm - të cilët aspirojnë pavarësi financiare në dekadën e ardhshme. Thelbi i këshillës ishte kalimi nga mentaliteti i thjeshtë i punëmarrësit tek ai i investitorit.

Këshilla kryesore bazohet në mençurinë e lashtë financiare: “Paguaj veten të parin”. Eksperti rekomandoi që pavarësisht nivelit të të ardhurave, individi duhet të disiplinojë veten për të jetuar me 80% të fitimeve, ndërsa 20% duhet të kursehen dhe, më e rëndësishmja, të investohen. Megjithatë, sipas tij kursimi i thjeshtë nuk mjafton për shkak të inflacionit; paraja duhet të vihet në punë.

Por ku duhet të investojnë të rinjtë shqiptarë? Eksperti sugjeroi një qasje të balancuar të portofolit. Për siguri maksimale, bonot e thesarit të qeverisë mbeten instrumenti më i sigurt (“risk free”), duke ofruar gjithashtu interesa më të larta. Megjithatë, shton ai, për të rritur kapitalin, duhet marrë përsipër edhe risk i përllogaritur. Njëkohësisht, Xhepa bën thirrje për kujdes ndaj kriptomonedhave dhe skemave me luhatshmëri ekstreme që shpesh mund të fshijnë kursimet brenda natës.

Një aspekt i rëndësishëm i diskutimit ishte hapja e horizonteve. Të rinjtë sot kanë akses në tregjet globale përmes platformave online dhe nuk duhet të kufizohen vetëm në tregun e vogël shqiptar. Investimi në bono korporatash ndërkombëtare apo fonde investimi u përmend si një mundësi reale për të diversifikuar rrezikun dhe për të rritur fitimet. Teknologjia ka demokratizuar aksesin në financë, duke bërë të mundur që çdokush me një kompjuter të menaxhojë portofolin e tij.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Rrugë, beton, apartamente… po për kë? | Selami Xhepa | Apostrof #53

Lini një Përgjigje