“Rritje ekonomike, por sfidat mbeten”, eksperti: Sfidat kryesore informaliteti, zbatimi i kontratave dhe siguria ligjore

15 Mars 2026, 11:10Ekonomia TEMA
“Rritje ekonomike, por sfidat mbeten”, eksperti: Sfidat kryesore

Dokumenti “Libri i Bardhë 2025–2029”, i publikuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj, e vlerëson ekonominë me 45 nga 100 pikë, duke shënuar një rënie prej 4 pikësh krahasuar me vitin 2024.

Dokumenti, pavarësisht se vlerëson se ekonomia vijon rritjen, thekson se ajo përballet me sfida të vazhdueshme.

Eksperti i ekonomisë Elvin Meka vlerëson informalitetin si një ndër problematikat kryesore.

“Ka ndikim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë në shkallën e konkurrueshmërisë, jo vetëm në sferën e shërbimeve, por kryesisht në atë të prodhimit”, tha eksperti.

Nga ana tjetër, respektimi i kontratave mbetet një çështje serioze, duke vështirësuar garantimin e të drejtës së pronës.

“Kësaj mund t’i shtohen edhe problematikat që ka Shqipëria me regjistrimin dhe shitblerjen e pronave. Ky element duket se do të jetë një ndër faktorët kryesorë që mban larg kryesisht investitorët e huaj”, nënvizoi Meka.

Eksperti vlerëson se momente si forcimi i lekut kërkojnë politika të qarta në mbrojtje të bizneseve.

“Pjesa që ka të bëjë me zhvlerësimin e shpejtë dhe të fortë të monedhave kërkon politika të caktuara në këndvështrimin strategjik për mbrojtjen e sipërmarrjes në Shqipëri”, vlerëson eksperti.

Harmonizimi i legjislacionit mbetet një hallkë e rëndësishme, por nga ana tjetër institucionet duhet të punojnë më shumë në drejtim të zbatueshmërisë së rregullave dhe ligjeve.

“Mbetet shumë për të bërë për të projektuar dhe ndërtuar një fuqi punëtore të aftë, jo vetëm për tregun europian, por edhe për të sjellë dhe për të menduar e punuar si e tillë”, theksoi eksperti Meka.

Pavarësisht problematikave, komuniteti i sipërmarrjes vlerëson se progresi i qëndrueshëm në integrimin në BE do të jetë kyç për forcimin e ekonomisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja të qëndrueshme./rtsh.al

Lini një Përgjigje