Sa milionë euro pensione në vit nga Italia?

9 Shkurt 2024, 20:21Ekonomia TEMA
Sa milionë euro pensione në vit nga Italia?

Nga Fatos Çoçoli

Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë, që përfitojnë nga zbatimi i Marrëveshjes për pensionet reciproke, që u nënshkrua nga dy ministrat e jashtëm të Italisë dhe Shqipërisë në Romë, më 6 shkurt 2024.

Marrëveshja do të mundësojë që si shqiptarët(janë shumica) edhe disa mijëra italianë, të sigurojnë bashkimin e periudhave kontribuese për pensionet e tyre, në vartësi të sa vite pune të rregullt kanë bërë në Itali dhe sa në Shqipëri, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë. Ka pasur një këmbëngulje 10-vjeçare nga qeveria jonë. Në çdo takim me palën italiane, pika kryesore e bisedimeve, sidomos nga ana e Ministrisë sonë të Financave, ka qenë firmosja e marrëveshjes për pensionet. Këmbëngulja dhe presioni pozitiv dha rezultat pas 15 vitesh bisedime mes autoriteteve shtetërore të të dyja vendeve.

30 milione euro vetem per kete vit?

Nëse shteti italian që këtë vit do të ketë gati fondet për pagesat për 4 mijë pensionet e para të qytetarëve shqiptarë që kanë kontribuar me punë me kontratë të rregullt për të, me një mesatare 600 euro në muaj, i bie 2.4 milionë euro në muaj ose 30 milionë euro në vit.

Përfituesit e marrëveshjes së pensioneve

Përfituesit e marrëveshjes së pensioneve

Shqiptarë nga shqiptarët me banim në Itali                                           430 mijë qytetarë
Shqiptarë në Shqipëri ose vende të tjera                                                  90 mijë qytetarë
Italianë me banim në Shqipëri                                                                      20 mijë qytetarë
Italianë që ju lind e drejta e pensionit në Shqipëri                                  8 mijë qytetarë
Një shumë e tillë parashikohet të dalë nga buxheti i shtetit italian këtë vit, ndërsa shumë më tepër fonde do të livrohen në vitet më vonë. Ndoshta mund të kalojnë në 50 milionë euro në vitin 2025 dhe shumë më tepër në vitet e mëtejshme. Nuk janë fonde dhuratë. Këtë e kanë të qartë zyrtarët e shtetit italian, shtetit fqinj dhe mik me ne.

Në 30 vjet, miliarda euro kontribute nga shqiptarët në Itali

Shqiptarët kanë kontribuar në arkën e shtetit italian në tre dekadat 1993-2023 në mënyrë të jashtëzakonshme. Zyrtarët e shtetit italian janë të ndërgjegjshëm për këtë. Në rast se në këto 30 vite kemi patur mbi 600 mijë qytetarë tanë në Itali, të paktën 350 mijë prej tyre kanë qenë të punësuar dhe prej këtyre, të paktën 280 mijë kanë punuar me kontrata të rregullta pune. Duke derdhur po rregullisht detyrimet e tyre-kontribute për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në shtetin fqinj. Në 30 vjet, këto detyrime kanë kaluar nivelin e disa miliarda eurove kontribute.

Sa pensione çdo vit? (parashikim jo-zyrtar)

Shqiptarët 2024                                                4 mijë pensione
Italianët 2024                                                       300 pensione
Shqiptarët 2025                                                8 mijë pensione
Italianët 2025                                                       1000 pensione
Shqiptarët 2026                                                14 mijë pensione
Italianet 2026                                                       2000 pensione

Meritë e kryeministres Meloni? Mirënjohja jonë

Është qeveria e kryeministres Xhirxhia Meloni, që e jetësoi kthimin e një pjese të këtyre parave në pensione për qytetarët shqiptarë që kanë punuar dhe kontribuar në buxhetin e shtetit italian.

Sipas një vlerësimi paraprak, në vijim të nënshkrimit të Marrëveshjes për pensionet mes Italisë dhe Shqipërisë, numri i përfituesve shqiptarë në Itali dhe detyrimet e pensioneve që rrjedhin nga mundësia e përmbushjes së kushteve të legjislacionit në fuqi, por edhe nëpërmjet bashkimit të periudhave, do të fillojë me rreth 4 mijë pensione në vit. Ky numër do të jetë në rritje të fortë vit pas viti.

Marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, firmosur më 6 shkurt 2024, mundëson ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore, si dhe trajtimin e barabartë të personave të punësuar dhe për të vetë-punësuarit.

Marrëveshja do të zbatohet për legjislacionet që lidhen me sigurimin për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar (pasjetuesit). Ajo përfshin edhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen, si dhe sigurimin e papunësisë. Është marrëveshje e plotë dhe shumë e mirë.

Sa para çdo vit? (Parashikim jo zyrtar)

Pensione për shqiptarët 2024                                     36 mln euro
Pensione për italianët 2024                                            1.3 mln euro
Pensione për shqiptarët 2025                                     76 mln euro
Pensione për italianët 2025                                            6 mln euro
Pensione për shqiptarët 2026                                     103 mln euro
Pensione për italianët 2026                                            10 mln euro
Duhet realisht t’i jemi mirënjohës popullit italian që na priti zemër-hapur në vitin 1992, por edhe qeverisë së sotme të tij, që vuri në vend një mungesë drejtësie me kontributin e shqiptarëve në buxhetin e shtetit italian.

Po Greqia?

Mjafton të shikojmë që bisedime të tilla nuk po ecin me shtetin fqinj dhe mik grek. Po pse nuk po ecin me Greqinë? Mos vallë nuk kanë kontribuar në buxhetin e shtetit grek qindra mijëra shqiptarë që kanë punuar me kontratë të rregullt dhe kanë derdhur detyrimet e tyre të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore? Sigurisht që e kanë bërë. Por shteti grek nuk është, për fat të keq, akoma gati që t’ua njohë qytetarëve tanë këtë kontribut. Sikurse po ua njeh shteti italian. Do të arrijmë këtu edhe me Greqinë, por jo tani. Ndoshta duhet të kalojnë disa vite.

6 Komente

  1. p
    pilo Lala

    Shifrat jane shume te fryra. Kjo marrveshje perfshin ata emigrante qe nuk kane arritur te bejne 15 vite pune ne Itali, pra nuk kane kapur minimumin e ligjit Italian per pension. Kjo shifer mund te jete afersisht 30 mije vete, jo 500 mije sic e analizon gazeta. Pjesa tjeter ose kane punuar ne te zeze pa letra, pa kontribute, ose kane punuar me letra me kontribute, dhe tashme marrin pension Italian. Nga ana tjeter kontributet jane te uleta per keta emigrante qe nuk kane mbushur 15 vjet ne itali., flitet per nje pension nga 100 deri ne 250 Euro per pune te pjesshme. Pra buxheti shtetit Italian parashikon nje vlere rreth 30,000 x 200 njerez = 6 Miljon Euro ne muaj.

    1. R
      Roma

      Mos lexoni e degjoni keta idiotet analiste te Shqiperise. Mos merrni asnje hap pa u keshilluar me nje specialist ne Itali apo edhe ne Shqiperi. E gjitha kjo behet per ti kursyher para Italise ne te ardhmen e jo per tu bere nder shqiptareve. Nese vendos te dalesh pension para kohe duke shtruar vitet shqiptare humbet nga 200 deri ne 300 euro ne muaj. Do marresh 2 pensione qesharake dhe me pak nese ke 20 vite pune Italiane. Nese je ne Itali dhe punon vazhdo punen deri sa te besh 20 vite te pakten.

      1. I
        Ilirjan

        Shume falemnderit te dyja qeverive, Edi Rames dhe Giorgia Melonit! Me mire vone se kurre... meglio tardi che mai.

        1. Analist

          Greket jane turp i botes.Si fqinje qe i kemi pl te ishin te mire duhej ta kishin bere te paret.Kuptohet se shteti Grek eshte me me shume informalitet se Italia Greket kane mbyllur syte sidomos per punen e zeze te shqipetareve ne Greqi dhe menyra e vetme dhe favorizuse per shqipetaret eshte patjeter perfitimi nga bashkimi i kontributeve ne 2 vendet.Ndofta kusgedi do tregoje nje here te vetme ne jete shteti grek nedo ja faturonim kete te mire si merite e popullit fqinj grek duke vene ne vend meriten e djerses e te gjakut te popullit shqipetar ne mbajtjen gjalle dhe zhvillimin e ekonomise se Greqise.Perendia kthellofte men8djen e grekeve.

          1. p
            pjeter

            Roma e Pilo lala,ju ju referoheni ligjeve ne fuqi te te dyja vendeve,kurse artikulli ne fjale i referohet marrveshjes per pensionet.Autori i artikullit ndoshta ka ndonje burim informacioni nga ministria perkatese,kurse ju nuk besoj se keni lexuar detajet e marrveshjes,sepse akoma nuk eshte ratifikuar nga parlamentet perkatese,dmth,akoma jo publike,keshtu qe:per c'fare komentoni??!!

            1. I
              Ismail alliu

              Po ata qe kane punuar nga viti. 1993 do të marrin. Pension. Per 6 vjet qe kane me kontribute

              Lini një Përgjigje