Shqipëria dhe Kosova një Bashkim Ekonomik

2 Janar 2026, 11:22Ekonomia TEMA
Shqipëria dhe Kosova një Bashkim Ekonomik

Nga Mateo SPAHO

Gjithnjë e më shumë bizneset e Shqipërisë dhe të Kosovës po rrisin bashkëpunimin e tyre, duke bërë zhurmë në mënyrë natyrale dhe eficiente. Në vitet e kaluara, mbledhjet qeveritare të dy shteteve kanë shfaqur ceremonialitet të madh, batuta dhe fjalime, por mes rivaliteteve midis Ramës dhe Kurtit, të gjithë kemi vënë re se sa pak gjë ka ndryshuar për integrimin reciprok të dy vendeve me njëra-tjetrën. Të kujtohet thënia: “U mbars mali dhe polli një mi!”

Ndërkohë që qeveritë bëjnë sikur bëjnë punën e tyre, qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë punuar realisht për të lidhur dy vendet e të njëjtit komb.

Kosova është shndërruar në investitorin më të madh të huaj në Shqipëri për vitin 2025, duke lënë pas ekonomitë tradicionale investuese si Italia, Hollanda dhe Turqia. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë një rritje të fortë dhe të qëndrueshme të investimeve direkte nga Kosova, të nxitura kryesisht nga blerje strategjike të ndërmarrjeve të mëdha në tregun shqiptar. Për të gjithë periudhën janar–shtator të vitit 2025, flukset e investimeve direkte nga Kosova arritën në 153 milionë euro, duke e pozicionuar Kosovën në krye të listës së investitorëve të huaj në Shqipëri.

Në muajin korrik, kompania kosovare Viva Fresh finalizoi blerjen e Spar Albania, zinxhirit të dytë më të madh të shitjeve me pakicë në Shqipëri pas Big Market. Sipas kontratës së nënshkruar, vlera e transaksionit arriti në 36.4 milionë euro. Viva Fresh është rrjeti më i madh i shitjeve me pakicë në Kosovë dhe ka aktivitet të shtrirë edhe në Maqedoninë e Veriut, përmes markave Viva Fresh Store dhe Super Kit Go.

Një tjetër transaksion i rëndësishëm u realizua në muajin shtator, kur kompania me kapital nga Kosova, ALBI Holding, përfundoi blerjen e Fashion Group Albania (FGA) nga grupi shqiptar Balfin. Vlera e këtij operacioni u vlerësua rreth 7.6 milionë euro. ALBI Holding është pjesë e Albi Group, e cila operon në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut rrjete dyqanesh të markave ndërkombëtare të modës.

Në tremujorin e fundit të vitit, një tjetër marrëveshje e rëndësishme u shënua me blerjen e Global Fast Food Albania, kompania që zotëronte të drejtat e markës KFC për Shqipërinë. Shoqëria blerëse, KAN shpk, e regjistruar në Kosovë, tashmë do të kontrollojë markën KFC edhe në tregun shqiptar, krahas Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Falë këtyre zhvillimeve, stoku i investimeve nga Kosova në Shqipëri, në fund të 9-mujorit 2025, arriti në 550 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky tregues konfirmon forcimin e pozicionit të bizneseve kosovare në ekonominë shqiptare.

Italia mbetet investitori i dytë më i madh për vitin 2025, me një fluks total prej 137 milionë eurosh për 9-mujorin. Hollanda renditet e treta për vitin 2025, me investime prej 130 milionë eurosh, por këto shifra ndikohen ndjeshëm nga fakti se Hollanda përdoret shpesh si vend regjistrimi për kompani holding, për arsye fiskale dhe ligjore. Thënë ndryshe, jo të gjitha investimet e kompanive të regjistruara në Hollandë kryhen nga holandezë. Ndërkohë, Turqia mbetet një investitor i rëndësishëm, por me prirje rënëse, me 128 milionë euro.

Investimet shqiptare në Kosovë janë më të kufizuara në volum dhe më pak të centralizuara krahasuar me investimet nga Kosova drejt Shqipërisë. Prezenca e bizneseve shqiptare në tregun kosovar shfaqet kryesisht në formën e zgjerimit të aktivitetit, hapjes së degëve dhe ofrimit të shërbimeve, më shumë sesa përmes blerjeve të mëdha të kompanive ekzistuese.

Sektori financiar dhe bankar është një nga fushat kryesore ku vërehet kapital shqiptar në Kosovë, përmes bankave dhe institucioneve financiare si Credins dhe BKT, që operojnë me degë ose produkte financiare për klientët kosovarë, pa harruar prezencën e kompanive të sigurimeve si Eurosig, INSIG, Sigal dhe Albsig. Gjithashtu, kompani shqiptare janë të pranishme në tregtinë me pakicë, shërbime profesionale, konsulencë, teknologji dhe marketing.

Një rol të rëndësishëm kanë edhe kompanitë shqiptare të ndërtimit dhe infrastrukturës, të cilat kanë marrë pjesë në projekte zhvillimore dhe kontrata ndërtimi në Kosovë, shpesh në bashkëpunim me partnerë vendas. Në disa raste, bizneset shqiptare kanë hyrë në Kosovë përmes franchise-ve dhe markave tregtare, duke hapur njësi të reja shërbimi.

Këto biznese përfaqësojnë një tregues të rëndësishëm të integrimit ekonomik në rritje mes dy vendeve dhe kanë potencial për t’u zgjeruar më tej në vitet në vijim. Infrastruktura rrugore dhe energjitike ka bërë të mundur që shqiptarët të njihen sërish me njëri-tjetrin dhe, pse jo, të bëjnë biznes ne fushat e turizmit, ndertimit, veshjeve, ushqimeve dhe finances. Asgje tjeter nuk te bashkon me shume se paraja!

Çfarë nuk arrin dot të bëjë politika, e bën ekonomia!

4 Komente

  1. L
    Loli

    Shqiperi dhe kosova nuk kane qene dhe nuk jane te ndare!

    Përgjigjjuni
    1. L
      Loli, e verteta eshte e vertete

      Jane te ndara qe cke me te, sepse ekonomikisht Kosova eshte 90% e varur nga Serbia. Po nuk thame te vertete nuk i sherbejme bashkimit te kombit. Dardaneve mavrinj u pelqen gjella serbe jo ajo shqiptareve, nuk kane faj se me ate jane mesuar!

      Përgjigjjuni
      1. j
        juristi

        Trendi i bizneseve kosovare me Serbine eshte ne renie te vazhdueshme nderkohe qe po rriten marrdheniet e biznesit kosovar me Shqiperine, Maqedonine e Turqine pa lene menjane biznesin tradicional me Kroacine. Me Serbine Kosova ka qene e lidhur si pasoje e te qenurit pjese e Serbise ne me shume se 100 vjet. Biznesi nuk eshte veture qe i ndryshon drejtimin sa here te duash. Biznesi mbeshtetet ne infrastrukture e lidhje qe kerkojne shume vite per ti ndertuar. Kosova po ben mire ne ndryshimin e partneritetit nga Serbia ne vendet e tjera mike ku pa dyshim Shqiperia eshte e para si vendi ame.

        Përgjigjjuni
    2. d
      dumduma i

      Pritni SPAKun kur të bëje një dosje me njëmilion faqe dhe të bllokoj kosovarët aty për aty!

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje