Si pati sukses kultura e pjeshkës në Peqin: Ja shpjegimi i fermerëve!

2 Gusht 2025, 18:31Ekonomia TEMA
Si pati sukses kultura e pjeshkës në Peqin: Ja shpjegimi i

Fshati Gjocaj në Peqin njihet si zona më e madhe në Shqipëri për prodhimin e pjeshkëve dhe nektarinave, me mbi 200 hektarë të mbjella.

Falë klimës së favorshme dhe tokës pjellore, kjo zonë është kthyer në një qendër të rëndësishme të bujqësisë frutore në vend.

Agim Hasko është një nga fermerët që vendosi të kthehet nga emigracioni në Greqi për të investuar në tokën e tij, duke u bërë një nga kultivuesit më të mëdhenj në vend.

“Pas 10 viteve që emigrova në Greqi, fitova eksperiencë dhe prej 15 vitesh jam kthyer në vendin tim. Kam bërë shpenzimet e mia dhe kam futur tokën në prodhim, bazuar në përvojën e fituar. Çmimi këtë vit ka qenë i mirë: 100, 120 apo edhe 130 lekë për kilogram, në varësi të cilësisë së mallit. Jemi të kënaqur, s’e kemi pasur ndonjëherë më parë”, thotë fermeri Agim Hasko.

Sot, Agimi kultivon 30 dynym me pjeshkë dhe synon ta zgjerojë më tej sipërfaqen. Ai thotë se kultura e pjeshkës është fitimprurëse dhe e mban të gjithë familjen të angazhuar në punë.

“Kemi pasur mbështetje edhe nga Bashkia, sidomos me përmirësimin e kanalit vaditës. Problemi më i madh mbetet mungesa e krahut të punës. Punëtorët paguhen deri në 40 mijë lekë të vjetra dita, por sërish nuk gjen, nuk kanë dëshirë të punojnë”, thotë fermeri Agim Hasko.

Për të lehtësuar procesin e tregtimit, në zonë është ngritur edhe një pikë grumbullimi për frutat.

“Zona e Peqinit njihet për prodhimin masiv të pjeshkës. Ne vendosëm të hapim një pikë grumbullimi për të ndihmuar fermerët në shpërndarjen e prodhimit. Malli po shkon mirë si në tregun vendas, ashtu edhe në eksport”, thotë grumbulluesi Fatjon Terbuni.

Por pjeshka dhe nektarina nuk janë të vetmet kultura që mbillen në Gjocaj. Fermerët e zonës kultivojnë gjithashtu kajsi, dardha dhe rrush, duke krijuar një mozaik të pasur pemëtarie që e bën këtë fshat një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit frutor në vend.

1 Komente

  1. B
    Besimtari

    Usaa, Sa mire !

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje