Zbardhen kostot dhe përfituesit nga marrëveshja e pensioneve Shqipëri-Itali

19 Mars 2025, 20:29Ekonomia TEMA
Zbardhen kostot dhe përfituesit nga marrëveshja e pensioneve

Mijëra emigrantë shqiptarë pritet të përfitojnë në vitin e parë të futjes në fuqi të marrëveshjes për sigurimet shoqërore midis Romës dhe Tiranës.

Nga Ada Hazizolli

Marrëveshja e firmosur me Shqipërinë, do ti kushtojë buxhetit Italian 12 milionë euro në vitin parë të zbatimit, ku përfitues pritet të jenë 1387 persona.

Detajet janë të përcaktuara në dokumentin e dorëzuar në Senatin Italian, ku në 5 mars kaloi për miratim marrëveshja e përbashkët, e cila një javë më pas u firmos edhe nga Presidenti i Italisë Sergio Mattarella.

Nisur nga praktika që ndiqet, ligji pritet të jap efektet e para në muajin Qershor, pra gati dy muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, teksa mësohet se një pjesë e qytetarëve shqiptarë që jetojnë atje kanë nisur, që të dorëzojnë aplikimet e para.

Të dhënat tregojnë se në total deri në vitin 2020, janë 433,789 shtetas shqiptarë, që kanë paguar sigurimet shoqërore në Itali.

Ndërkohë, referuar regjistrit të kontributeve janë 30 614 mijë persona (duke marrë në konsideratë këtu kategorinë e atyre që në 2020 janë të grupmoshës 55-64 vjeç dhe që aktualisht janë 60-69 vjeç) që mund të përfitojnë nga ligji pension të parakohshëm, nëse kanë plotësuar mbi 42 vite kontribute bashkuar periudhat në Shqipëri dhe Itali dhe pension pleqërie duke plotësuar kriterin e moshës që është 67 vjeç, si për burrat ashtu edhe për gratë.

Por sa pritet të jetë numri i përfituesve për vitin 2025?

Dokumenti, nënvizon se para nënshkrimit të marrëveshjes me Shqipërinë numri i qytetarëve, që do trajtohen me pension parashikohej të ishte 4727 persona me një kosto në buxhet 39.6 milionë euro, ndërsa pas firmosjes së marrëveshjes ky numër pritet të shkojë në 6114 në vitin 2025 me një efekt buxhetor 51.6 milionë euro. Pra parashikohet që skemës ti shtohen 1387 persona me një rritje buxhetore 12 milionë për këtë vit.

Këtu përfshihen edhe ata persona që trajtohen me ligjin nr. 189 të vitit 2002 (ligji Bossi-Fini) që ju jep mundësi emigrantëve shqiptarë që të përfitojnë pension, por me kushtin e riatdhesimit, pra kthimin e tyre në Shqipëri.

Numri i përfituesve vjen në rritje, në të njëjtën kohë edhe fondi i vënë në dispozicion, ku në vitin 2032 pritet të arrijë në 270 milionë euro, 23.4 milionë euro më tepër.

Nisur nga këto tregues, numri i përfituesve dhe kostoja e tyre si rezultat i marrëveshjes rezulton të jetë më e ulët nga çfarë është komunikuar nga autoritetet në Shqipëri.

Dokumenti parashtron disa hipoteza për këtë, siç janë: Fakti që një pjesë e atyre që mbushin moshën e daljes në pension, do të vijojnë që të jenë pjesë e tregut të punës, fakti që marrëveshja nuk ka fuqi prapavepruese apo edhe që modalitetet e përcaktuara në të, nuk i japin mundësinë një pjese që të përfitojnë pagesë.

Ajo ç’ka vihet në dukje tjetër në dokument është edhe fakti që gati 20 për qind e personave 67 vjeç, që nuk janë trajtuar deri më tani me pension do të mund të përfitojnë të ardhura deri në 400 euro në muaj.

Marrëveshja për njohjen e periudhave kontributive mes Shqipërisë dhe Italisë, ju jep mundësinë emigrantëve shqiptarë, që të trajtohen me pension në Itali dhe në Shqipëri në të njëjtën kohë.

Konkretisht, një qytetarë shqiptarë që ka në total 27 vite pune, nga të cilat 14 vite në Itali dhe 13 në Shqipëri (kujtojmë që në Shqipëri pragu për pension minimal është 15 vite ndërsa në Itali është 20 vite punë) do të marrë pension në Itali për 14 vite dhe në Shqipëri për 13 vite. Jo vetëm kaq, marrëveshja ju jep mundësi emigrantëve që të përfitojnë edhe nga skema të tjera siç janë: pensionet e invaliditetit; pensionet familjare; pagesa e papunësisë; nga sëmundjet si edhe nga barrëlindja.

2 Komente

  1. E
    EMIGRANTI

    Lejeni pordhet na thoni udhzimet dhe kriteret e zbatimit te ketij ligji dhe jo hamendjet jane aq e kaq persona qe perfitojne.E kam thene dhe etheksoj asnje emigrant i dt.1975 e deri tashti nga skema e pensionit nuk perfiton ne Shqiperi sepse s'kane punuar asnje dite dhe tjetra se ligji nuk ka fuqi prapa vepruese athere amen.Prandaj mos ushqeni iluzione tek njerzit.Botoni ligjin bashke me udhzimet perkatese.

    Përgjigjjuni
    1. p
      pjeter

      Mjafton ta lexosh te fletorja zyrtare shoku,"gazzetta ufficiale" besoj se te shteron te gjitha pikepyetjet,gjithsesi,imagjinoj qe je i 75-ses,dmth,ne Shqiperi nuk ke vite,ose ke paguar,ndonje vit,dhe ndoshta edhe me ushtrine,ne qofte se e ke bere,keshtu qe te ngelet vetem Italia,dhe ketu, siç mund ta dish, ne Itali eshte pension per ata qe kane fillu te kontribojne nga 1996 e ketej,eshte kontrubutiv,e sa vite ke futur aq merr,sot per sio teshte 67 vjet,por me mesataren e jetes qe rritet ,ç'do 3 vjet,rriten 3 muaj,te bie te dalesh 69-70 vjet,gjithnje ne qofte se i ke 20 e kusur vjet tani per tani,sepse edhe minimumi flitet per rritje deri ne 25 vjeteshi!. Personalisht njof shume persona qe kane goxha vite ne Shqiperi dhe mbi 20 vjet ne Itali kontribute,por jo 67 vjec,dhe jo mjaftushem mbi 42 vjet kontrubute ne te dyja vendet qe mund te perfitojne,ne kete rast,o ploteson vitet e kontrubuteve o moshen,kjo nuk ndryshon po nuk i pate keto parametra,nuk del dot parakohe!! Ajo qe eshte pozitive per kete ligj eshte se ne qofte se kishte 19 vjet ne Itali e 10 ne Shqiperi,edhe kurbushje moshen 67,(ligji aktual) me kete marrveshje perfiton dhe del,per ndryshe do presesh vetem pension pleqerie,qe ne Itali eshte aktualish 71 e 5 muaj, dhe minimumi eshte 5 vjet kontrubute,ne mos gaboj kontribute realisht te paguara jo figurative,keshtu pra,me kete ligj,ai person perfiton mbi 4 vjet para,qe ne ate periudhe te moshes jane jashtezakonisht te larta pa asnje pension,te pakten keshtu e di une!!

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje