TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, ka nënshkruar një marrëveshje me investitorë amerikanë për të operuar biznesin e saj në SHBA.
Pyetja kryesore është se çfarë do të thotë kjo për mbi 170 milionë përdorues amerikanë, të cilët përdorin platformën.
Çelësi i ndryshimeve pritet të jetë mënyra se si do të menaxhohet algoritmi i rekomandimeve të TikTok-ut – sistemi i fuqishëm që përcakton përmbajtjen e faqes “For You”. Sipas marrëveshjes, algoritmi do të licencohet dhe menaxhohet nga Oracle, duke u trajnuar kryesisht mbi të dhënat e përdoruesve amerikanë.
Eksperti i industrisë së mediave sociale, Matt Navarra, i tha BBC-së se pyetja nuk është nëse TikTok do të mbijetojë, por “cilat versione të TikTok-ut do të mbijetojnë”. Ai paralajmëron se kjo mund ta bëjë platformën “më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, por edhe në rrezik për t’u bërë “më pak thelbësore nga ana kulturore”.
Sipas Navarrës, fuqia e TikTok-ut ka ardhur nga ndjesia e një platforme paksa të paparashikueshme, me përmbajtje të çuditshme, niç, herë-herë të parehatshme apo politikisht të mprehtë. “Nëse fillon t’i lëmohesh këto cepa, nuk ndryshon vetëm moderimin – ndryshon rëndësinë e saj”, thotë ai.
A do të mbajë ritmin me versionin global?
Gazetari i teknologjisë Will Guyatt thekson se rëndësi do të ketë nëse versioni amerikan do të marrë të njëjtat veçori të reja, përditësime sigurie dhe përmirësime platforme njëkohësisht me versionin ndërkombëtar.
Ndërkohë, studiuesja e informatikës Kokil Jaidka nga National University of Singapore vlerëson se elementët që e bëjnë TikTok-un popullor – si videot e shkurtra dhe funksionet e blerjeve – ka gjasa të mbeten të pandryshuara, pasi nuk varen drejtpërdrejt nga algoritmi.
Megjithatë, ajo paralajmëron se një version amerikan me të dhëna më të kufizuara mund të ketë “vonese në personalizim” dhe të reagojë më ngadalë ndaj përmbajtjeve virale, krahasuar me fuqinë e algoritmit global.
Investitorët dhe presioni për “sjellje”
Përveç Oracle, në marrëveshje përfshihen edhe fondi shtetëror i Abu Dhabit MGX dhe fondi privat i investimeve Silver Lake. Oracle drejtohet nga Larry Ellison, i njohur si aleat i ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas Navarrës, presioni i investitorëve mund ta bëjë versionin amerikan të TikTok-ut më “të zbehtë” në përmbajtje. “Testi i vërtetë nuk është nëse përdoruesit do të largohen”, thotë ai. “Por nëse TikTok do të mbetet vendi ku interneti eksperimenton – apo do të kthehet në vendin ku interneti sillet mirë”.
Lini një Përgjigje