Shpikja: Kamion mallrash me bateri dhe hidrogjen

9 Korrik 2022, 21:20Hi-Tech TEMA

Shpikja: Kamion mallrash me bateri dhe hidrogjen

Një kompani britanike po hedh në treg atë që e cilëson si kamionin e parë në Mbretërinë e Bashkuar që punon me hidrogjen dhe bateri. Kompania Tevva thotë se sistemi me hidrogjen e ka zgjatur në 500 kilometra distancën që mund përshkojë kamioni shtatë tonë e gjysëm.

Duke filluar nga viti 2030, të gjitha makinat e reja në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të jenë elektrike. Kamionët e tonazhit të lartë duhet të përmbushin këtë standard deri në vitin 2040. Por bateritë e tyre janë të rënda dhe distancat, që ata mund të përshkojnë janë të kufizuara.

Por prodhuesit e këtij kamioni shtatë tonë e gjysmë pretendojnë se e kanë gjetur zgjidhjen.

Ata thonë se duke kombinuar elektricitetin dhe hidrogjenin, këta kamionë mund të përshkojnë rreth 500 kilometra me një ngarkesë 2.7 tonë. Firma Tevva e prezantoi kamionin në Ekspozitën e Transportit Rrugor në Stoneleigh.

Prodhimi i enegjisë përmes kombinimit të teknologjisë me hidrogjen dhe baterive nuk e ndot mjedisin. Por hidrogjeni është i kushtueshëm.

Shefi i departamentit të hidrogjenit në firmën Tevva, Harsh Pershad, thotë se hidrogjeni tani mund të prodhohet duke përdorur energjinë e përftuar nga panelet diellore dhe era, me një kosto më efikase.

“Mendojmë se tani është koha e duhur për të hedhur në treg kamionët. Ka investime të shumta në mbarë botën për prodhimin e hidrogjenit me kosto të ulët që nuk e dëmton mjedisin. Investime po bëhen në Angli dhe Evropë. Kompanitë po përpiqen të jenë pjesë e valës së teknologjisë me hidrogjen”.

Kompanitë e transportit, që marrin mallra nga qendrat e shpërndarjes, janë objektiv i firmës Tevva, e cila thotë se ka plane të instalojë pajisje të furnizimit me hidrogjen nëpër këto qendra për kamionët.

Zoti Harsh thotë se furnizimi me hidrogjen merr të njëjtën kohë si furnizimi me naftë. Gjatë natës, thotë ai, kamionët mund të karikohen me energji elektrike.

“Kamionët karikohen gjatë natës dhe duke kombinuar teknologjinë me hidrogjen shtojmë distancën që mund të përshkojë një kamion me tonazh të lartë dhe aftësitë e ftohjes së mallrave, kur nevojitet. Hidrogjeni ka një kapacitet të lartë energjitik, çfarë mund të shtojë kilometrazhin e kamionit. Nga ana tjetër, bateritë janë të mira por shumë të rënda. Duke përdorur hidrogjenin shtohen aftësitë e kamionit për ngarkesa më të mëdha”.

Kamioni mund të kushtojë ndërmjet 190 dhe 230 mijë dollarë. Shtimi i prodhimit do të ulë koston. Zoti Harsh beson se edhe çmimi i hidrogjenit do të ulet ndërsa shtohen kërkesat.

Anthony Kucernak, profesor në Kolegjin Imperial të Londrës, thotë se në të ardhmen automjetet elektrike dhe me hidrogjen do të ekzistojnë krah për krah, sikurse kanë ekzistuar makinat me naftë dhe benzinë dhe se vetëm bateritë nuk do të përmbushin nevojat për uljen e ndotjeve.

“Bateritë zënë shumë vend, sidomos nëse kërkon të vësh bateri në kamionët që udhëtojnë në distanca të largëta, duke zvogëluar ngarkesën e transportit. Por kur kombinon një sasi më të vogël baterish me një burim energjie si hidrogjeni, rritet rendimeti”.

Lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve të karburanteve ka nxjerrë në pah nevojën që bota të shkëputet nga varësia prej naftës dhe benzinës. Kjo kërkon edhe një infrastrukturë të re. Analistët thonë se me kalimin e kohës, çmimi i kamionëve me hidrogjen do të ulet dhe se bota do të përfitojë nga eleminimi i ndotjes nga djegia e lëndëve fosile.

Lini një Përgjigje