
Lumi është super kompjuteri më i fuqishëm i Evropës. Ai është në funksion që prej së hënës në Kajaani të Finlandës dhe ka një fuqi prej 151 mijë e 900 trilionë operacionesh në sekondë.
Lumi është pjesë e një konsorciumi të përbërë nga një dyzinë vendesh evropiane, që do të mund ta përdorin atë për studimet e tyre.
“Ky është investimi më i madh në historinë e shkencës dhe kërkimeve të Finlandës. Është një arritje domethënëse. Vende të ndryshme evropiane kanë paguar për ndërtimin e super kompjuterit këtu në Kajaani. Ne po forcojmë bashkëpunimin evropian dhe po ecim drejt së ardhmes me këto projekte”, tha Ministri i Shkencës dhe Kulturës në Finlandë, Petri Honkonen.
Vetëm dy kompjuterë të tjerë janë më të fuqishëm se Lumi, njëri në Shtetet e Bashkuara dhe tjetri në Japoni.
Studiues nga e gjithë Evropa mund të aplikojnë për të pasur akses në kapacitetet e LUMI-t, që do të thotë se gjithë kontinenti mund të përfitojë nga kjo pajisje.
Lini një Përgjigje