"21 Janari", Artan Hoxha: Komandanti fliste, njësia me MP5 dëgjonte në kufje, komunikimi u regjistrua me diktofon

24 Janar 2023, 09:23Kronika TEMA

"21 Janari", Artan Hoxha: Komandanti fliste, njësia me MP5

Publikimi i një materiali audio ku dëgjohen urdhrat e zinxhirit komandues të Gardës për të qëlluar me armë zjarri ndaj protestuesve më 21 Janar 2011 ku mbetën të vrarë 4 persona, ka bërë që gazetari Artan Hoxha të japë dëshmi në Policinë e Tiranës si personi që zotëron këtë regjistrim.

Por si është regjistruar kjo audio dhe përse doli 12 vite më vonë? Artan Hoxha u shpreh se në këtë regjistrim ku dëgjohen urdhrat e komandantit të Gardës, bisedat bëheshin në një frekuencë në radio me pak pjesëmarrës.

Kjo frekuencë, sipas gazetarit, është dëgjuar edhe nga një person tjetër në radio-marrësen, që më pas e ka regjistruar me diktofon.

Në këtë komunikim mes komandantin e Gardës kanë qenë vetëm pjesëtarët e njësisë së armatosur me armë MP5.

“Ishte një urdhër i prokurores së Tiranës e cila ka çështjen e 21 Janarit në hetim prandaj nuk e kuptoj për çfarë duhen bërë kallëzimet e tjera, çështja është në Prokurori. Ka një dosje të 21 Janarit e cila nuk është mbyllur, sepse kemi 2 të vrarë pa autorë. Dhe këta 2 që janë pa autorë njëri është vrarë në krahun tjetër të bulevardit, Hekuran Deda është hipur mbi platformën e mediave.

Janë në dy vendet më të pajustifikueshme për tu goditur në atë protestë. Unë kam nxjerrë të premten një transkriptim të marrë nga një regjistrim ku është komunikimi në radio në momentet para, gjatë dhe pasi ka ndodhur vrasja. Komunikimi është më i gjatë por komunikimi thelbësor që unë mendoj vlente më tepër është dinamika e momentit kur është marrë vendimi për të hapur zjarr mbi turmën.

Prokuroria në hetimin e parë nuk e ka patur, nuk e ka gjetur asnjë regjistrim. Ndërkohë në librin e shërbimit ku shënohen urdhrat këto mungojnë, Prokuroria nuk i ka gjetur këto elementë. Është përdorur një kanal komunkim për një grup të caktuar njerëzish që komunikonin me radio dhe kufje që janë ata me ato MP5 (armë).

Këto urdhra i kanë dëgjuar zinxhiri komandues i Gardës dhe kjo njësia me MP5. Komunikimi ka qenë në radio, janë urdhra, flet komandanti të tjerët konfirmojnë. Si mund të jetë marrë ky material? Ky material është regjistruar, ky është diktofon. Një radio nga ato që janë përdorur ka hyrë në atë kanal dhe iu ka regjistruar me diktofon. Në një kasetë është origjinali”, u shpreh gazetari Artan Hoxha.

Lini një Përgjigje