VIDEO/ Alarm pas arratisjes në Durrës: Lul Berisha dhe 14 të burgosur “VIP” transferohen në Peqin nën masa ekstreme sigurie

15 Janar 2026, 09:30Kronika TEMA
VIDEO/ Alarm pas arratisjes në Durrës: Lul Berisha dhe 14 të

Një operacion i zhvilluar në fshehtësi të plotë dhe nën masa të jashtëzakonshme sigurie u realizua në orët e para të mëngjesit të 15 janarit 2026, kur 15 të burgosur me rrezikshmëri të lartë u transferuan nga Burgu i Durrësit drejt Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, burg i sigurisë së lartë.

Mes të transferuarve janë emra të njohur të botës së krimit, si Lul Berisha, Orges Molla, Juxhin Koka, si dhe dy shtetas brazilianë dhe një shtetas nga Venezuela. Zhvendosja u krye pak pas mesnate, me shoqërimin e dhjetëra mjeteve policore dhe zbatimin e protokolleve të rrepta të sigurisë, ndërsa kolona mbërriti në Peqin rreth orës 00:15.

Vendimi për transferimin e të burgosurve më problematikë erdhi pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, një ngjarje që vuri në alarm sistemin penitenciar dhe solli rishikim urgjent të masave të sigurisë. Burgu i Durrësit, i njohur ndryshe si “burgu i VIP-ave”, u vu në qendër të vëmendjes për shkak të kushteve dhe nivelit të kontrollit.

Sipas burimeve, në këtë kuadër u rivlerësuan 206 të dënuar dhe paraburgosur, nga të cilët u përzgjodhën elementët me rrezikshmëri më të lartë për t’u sistemuar në Peqin, i pajisur me seksione të posaçme të sigurisë së lartë.

Operacioni shihet si një sinjal i qartë i autoriteteve për shtrëngimin e kontrollit dhe forcimin e sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit, në një përpjekje për të shmangur ngjarje të ngjashme dhe për të izoluar figurat më të rrezikshme të kriminalitetit./TemA

Lini një Përgjigje