
Apeli i Gjykatës ë Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të Gazmend Mahamutajt, vëllait të deputetit të PD, Kasem Mahmutaj.
“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 15.06.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shpall vendimi lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 82 akti, datë 27.04.2022 regjistrimi, mbi ankimin e subjektit G.M. dhe personave të afërm, lidhur me “Kundërshtimin e vendimit nr. 11, datë 22.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka disponuar mbi konfiskimin e disa pasurive”, ku trupi gjykues i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i përbërë nga gjyqtarët Nertina Kosova, Dhimitër Lara dhe Daniela Shirka vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr. 11, datë 22.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.” thuhet në njoftimin e Apelit të GJKKO.
Gjykata e Posaçme ka konfiskuar disa pasuri në emër të deputetit të Partisë Demokratike në qarkun e Beratit, Kasëm Mahmutaj. Në favor të shtetit kanë kaluar 2 pasuri të paluajtshme tokë truall, 1 automjet dhe apartamente me dyshimin se e kanë prejardhjen nga aktiviteti kriminal. Mahmutaj është deputeti i parë që i konfiskohet pasuria, me kërkesë të prokurorisë së Posaçme SPAK, pasi vëllai i tij Gazmend Mahmutaj është subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.
Ai njihet si person me precendent kriminal dhe është dënuar me 25 vite heqje lirie, për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni në Itali. Gjykata ka konfiskuar në total 22 pasuri, që janë në pronësi të Gazmend Mahmutaj, familjarëve apo lidhjeve miqësore e shoqërore të tij. Referuar vendimit të gjykatës tre vëllezërve Mahmutaj i janë sekuestruar, apartamente, automjete dhe disa ndërtesa që janë ende në proces legalizimi.
Pasuritë janë në emër të vëllezërve Gazmend, Behar dhe Kasëm Mahmutaj. Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi formularin për deklarimin mbi burimin e të ardhurave Mahmutajt më 18 shkurt të vitit 2020. Operacioni Forca e Ligjit nisi më janar të vitit 2020, ku përgjatë një viti, OFL evidentoi rreth 1500 pasuri të dyshimta nga të cilat 523 u sekuestruan me vendim gjykate.
Lini një Përgjigje