Apeli i Policisë së Shtetit zbut masat disiplinore për zinxhirin komandues të policisë së Lezhës

10 Mars 2026, 19:10Kronika TEMA
Apeli i Policisë së Shtetit zbut masat disiplinore për zinxhirin

Zinxhiri komandues i Policisë së Lezhës, i cili u shkarkua dhe u procedua me masa disiplinore pas zbulimit të një skandali të dyfishtë kriminal në qytet, ka gjetur zbutje të masave të dënimit në shkallën e dytë të vlerësimit brenda uniformave blu.

Komisioni i Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka vendosur të rrëzojë masat e rënda të marra më herët, duke i zbutur ato në mënyrë drastike.

Rreth një muaj më parë, Drejtoria e Standardeve kishte vendosur me ”dorë të hekurt” ndaj ish-drejtuesve, me argumentin se nuk kishin përmbushur detyrën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Megjithatë, vendimi i ri i Apelit i rikthen ata në lojë, duke i kufizuar ndëshkimet vetëm në vonesa për marrjen e gradave të radhës.

Ndryshimet e masave disiplinore për ish-krerët e policisë lokale janë si më poshtë:

Taulant Gjokës (ish-zëvendësdrejtor për Rendin), i ishte dhënë masa më ekstreme e përjashtimit përfundimtar nga Policia e Shtetit. Komisioni i Apelimit e ka anuluar këtë vendim, duke e kthyer në vetëm “shtyrje të afatit të gradimit për një periudhë 6-mujore”.

Masa ndaj Altin Mena (ish-drejtor i Policisë së Lezhës), është lehtësuar në një “shtyrje të gradimit për 3 muaj”.

Ndërsa për Oltion Gjoni (ish-shef i Komisariatit), është vendosur “shtyrje e gradimit për 1 vit”.

Zanafilla e skandalit, kazinoja dhe magazina e drogës

Rreth një muaj më parë, qyteti i Lezhës u vu në qendër të vëmendjes pas operacioneve që zbuluan veprimtari të rënda kriminale të papenguara nga autoritetet lokale.

Në mes të qytetit u zbulua se operonte e qetë një kazino e paligjshme, ndërsa po ashtu u evidentua një magazinë që përdorej për grumbullimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike, e dyshuar si kanabis sativa. Ekzistenca e këtyre dy vatrave të krimit në një zonë urbane të populluar, pa u vënë re apo pa u goditur nga strukturat e rendit, solli reagimin e menjëhershëm të Drejtorisë së Standardeve për “mospërmbushje të detyrës”.

1 Komente

  1. A
    Al

    I paski keputur ne b...keta bandit. Nuk behet aj vend fatekeqsisht!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje