Apeli tërhiqet të marrë vendim për ish-gjyqtaren Mimoza Margjeka

6 Dhjetor 2023, 21:50Kronika TEMA
Apeli tërhiqet të marrë vendim për ish-gjyqtaren Mimoza

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u njoh të mërkurën më 6 nëntor me konkluzionet dhe kërkimet e fundit në çështjen në ngarkim të ish-gjyqtares së Durrësit, Mimoza Margjeka, bashkëshortit të saj dhe tre të pandehurve të tjerë të akuzuar për korrupsion të cilët të gjithë kërkuan pafajësi. Prokuroria kërkoi lënien në fuqi të dënimit të tyre në shkallë të parë.

Mimoza Margjeka, e cila në kohën kur u ndalua, në shtator të vitit 2020, ishte e komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, dyshohet se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec. Tre të pandehurit e tjerë në këtë proces, Nejton Bali, Klaudio Zhilla dhe avokati Skënder Demiraj, u arrestuan pasi u dyshuan se i dhanë bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 6 mijë eurosh. Pesë të pandehurit u deklaruan fajtorë për korrupsion në dhjetor të vitit 2022, por për Margjekën, Demirin dhe Balin u pezullua dënimi dhe u caktuan në shërbim prove.

Margjeka nuk ishte e pranishme në seancën e të mërkurës, por avokatja e saj, Margarita Kola u shpreh se u qëndronin gjithë kërkesave. Kola solli në vëmendje se kërkesa për përsëritje të pjesshme të rishqyrtimit të çështjes dhe marrjen e provave të reja e kishin kryer në Apel me qëllim zbulimin e të vërtetës. Ajo theksoi se kishin kërkuar marrjen si provë të pamjeve nga kamerat e sigurisë së një hoteli ku janë kryer vëzhgimet nga hetuesit.

Sipas mbrojtjes së Margjekës, pamjet provojnë pafajësinë e ish-gjyqtares jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm. “Nuk ka asnjë të dhënë tek përgjimet që Mimoza Margjeka ka marrë para,” tha ajo.

Në seancat e mëparshme, kërkuan pafajësi edhe të pandehurit e tjerë, duke pretenduar se nuk kishte asnjë provë që të vërtetonte se ishte kryer korrupsion në këtë rast.

Ndërsa prokurorët Enkeleda Millonai dhe Sotir Kllapi kërkuan lënien në fuqi të vendimarrjes së shkallës së parë.

Një prej anëtarëve të trupit gjykues, gjyqtari Florian Kalaja i pyeti prokurorët se përse të pandehurit Skënder Demiraj dhe Klaudio Zhilla nuk u akuzuan për ndikim të paligjshëm, por për korrupsion, kur sipas tij duket se veprimin e ka kryer i pandehuri Nejton Bali. Sipas prokurorit Sotir Kllapi, do të bëhej fjalë për ndikim të paligjshëm nëse korrupsioni pasiv nga ana e gjyqtares nuk do të ishte konsumuar. Ai tha se vlerësonin se paratë kishin shkuar tek të pandehurët Cara dhe Margjeka.

Në përfundim, trupi gjykues u tërhoq për vendim që u bë me dije se do të njoftohet më datë 12 dhjetor, në orën 10:30.

Lini një Përgjigje