Nga Edmond Hoxhaj
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten më 25 korrik përfundimin e hetimeve ndaj gjashtë personave të akuzuar si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal që kryente trafik armësh zjarri dhe municionesh drejt Mbretërisë së Bashkuar. Dosja penale ndaj të pandehurve Adulla Hoxhaj, Almir Gjidiaj, Admir Tutaj, Alban Gjidiaj, Rifat Avdiaj dhe Bojken Turtulli, është dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, për gjykim.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Trafikim i armëve dhe i municionit”, e mbetur në tentativë, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar criminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”; “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në banesë dhe në sasi të mëdha; si dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
SPAK bënë me dije se nga hetimet ka rezultuar se më 10 prill të vitit 2023, gjatë procesit të skanimit të një mjeti tip furgon me targa britanike, janë konstatuar anomali dhe është vendosur të bëhet kontrolli fizik i tij, pranë pikës së kontrollit. Në brendësi të një tavoline druri që ndodhej në këtë furgon janë gjetur 8 pistoleta, 4 krehëra pistolete dhe 201 copë fishekë të kalibrit 9 mm.
Nisur nga sasia e armëve dhe municionit luftarak të sekuestruar, me destinacion përfundimtar, Mbretërinë e Bashkuar, si dhe prej faktit se të organizatorët e trafikut kishin fshirë numrat e serisë në 6 prej armëve të zjarrit, është çmuar se ato nuk do të përdoreshin për vetëmbrojtje.
Nga hetimet fillestare, është bërë e mundur që fillimisht të identifikohet vetëm një prej personave të përfshirë në trafikun e armëve, Franko Gjalpi, çështja e të cilit është dërguar për gjykim në nëntor të vitit të kaluar dhe është deklaruar fajtornga gjykata.
Hetimet kanë zbuluar se organizatorët e trafikut kishin bashkëpunuar me specialistë të fushës së mobilierisë në periferi të Tiranës, të cilët mundësonin fshehjen e armëve në brendësi të produkteve të drurit, me qëllim që të mos kapeshin nga kontrolli i strukturave të policisë dhe doganës.
Ndërkohë, kishin siguruar dhe personat që do të bënin zhvendosjen e porosive tek kompania e transportit në Tiranë. Po ashtu, kanë mundësuar përdorimin e gjeneraliteteve të rreme, si nga dorëzuesit tek kompania e transportit, ashtu edhe nga pritësit e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
Në vijim, janë identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë të të pandehurit Franko Gjalpi, të cilët ka rezultuar se kanë pasur role të përcaktuara qartë në organizimin, drejtimin dhe financimin e këtij grupi të strukturuar kriminal, me qëllim final trafikimin e sigurt të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas SPAK, grupi ka qenë i ndarë në dy nëngrupe që vepronin në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Si drejtues i grupit që vepronte në Shqipëri akuzohet Adulla Hoxhaj dhe anëtarë të pandehurit Rifat Hoxhaj, Bojken Turtulli e Franko Gjalpi. Ndërsa grupi në Mbretërinë e Bashkuar drejtohej nga Almir Gjidiaj dhe pjesëmarrës kanë qenë të pandehurit Admir Tutaj dhe Alban Gjidiaj.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në Shqipëri në banesat e të pandehurve, janë gjetur dhe sekuestruar 24 armë zjarri të llojit pistoletë; një automatik kallashnikov; pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit, si gjilpëra, susta, shul, qyt etj.; 49 krehra të llojeve të ndryshme; 409 fishekë të kalibrit të ndryshëm; 10 pajisje speciale optike dhe lazeri; pranga dhe helmet e forcave speciale, veshje ushtarake e dy thika.
Droge,arme dhe krime dhe karagjozi i Surrelit thote qe po i permende keto krime je rracist.