GJKKO heq pezullimin ndaj ish-kryebashkiakes së Patosit Rajmonda Balilaj

29 Korrik 2024, 18:58Kronika TEMA
GJKKO heq pezullimin ndaj ish-kryebashkiakes së Patosit Rajmonda Balilaj

GJKKO ka pranuar kërkesën e ish-Kryetares së Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj, për shuarjen e masës së sigurisë që vendosur ndaj saj, pasi kanë kaluar afatet e hetimit. 

Balilaj ndodhej nën masën e sigurimit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, e cila i ishte vendosur në mars 2024.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi më 20 maj përfundimin e hetimeve ndaj ish-kryetares së Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili, zëvendëses së saj, Anisa Petani, sekretarit të përgjithshëm në atë kohë, Shkëlqim Beqiraj, si dhe ndaj katër zyrtarëve të tjerë të akuzuar për paracaktimin e fituesve në dy tendera.

"Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Erjon Çela me vendimin Nr.466, datë 29.07.2024, vendosi: 1. Pranimin e kërkesës. 2. Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj të pandehurës Rajmonda Balilaj nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.19 datë 08.03.2024. 3", njoftoi GJKKO. 

Rajmonda Balilaj drejtoi Bashkinë e Patosit për periudhën 2011-2023 dhe më pas u promovua në pozicionin e Prefektes së Qarkut Fier, funksion nga i cili u pezullua me vendimin të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në muajin mars.

Lini një Përgjigje