Gati tre vite pas zbatimit të hartës së re gjyqësore, e cila në juglindje solli mbylljen e Gjykatës së Shkallës së Parë në Pogradec dhe të Apelit në Korçë, avokatët e konsiderojnë këtë reformë të dështuar.
Sipas tyre, shërbimi gjyqësor është larguar nga qytetarët, ndërsa kohëzgjatja e proceseve është rritur ndjeshëm. Avokati Endri Çela thekson se për një çështje civile qytetarët mund të presin deri në 10 vite, ndërsa kostot janë rritur ndjeshëm.
“Dy janë element kryesor që ka prodhuar kjo reformë. Së pari ka shtyrë tej çdo afati proceset gjyqësore për çdo person dhe së dyti ka dyfishuar kostot për ndjekjen e procesit gjyqësor. Qytetarët mendojnë që procese gjyqësore të caktuara të mos i ndjekin më për shkak sepse momentin që ka përfunduar për shkak të zgjatjes së afateve dhe rritjes së kohës qytetarët e humbin interesin për ta ndjekur dhe për ta përfunduar këtë proces gjyqësor”, u shpreh avokat Endri Çela.
Sipas avokatit, zhbërja e hartës së re gjyqësore do të sillte më shumë efikasitet dhe akses më të shpejtë në drejtësi për qytetarët.
“Ta ç’bëjmë këtë reformë dhe të shohim si mund ta zgjidhim këtë problem që qytetarët të marrin atë që i takon brenda një afati të arsyeshëm kohor’, tha ai.
Ndërkohë, çështja e hartës së re gjyqësore vijon të mbetet objekt debatesh, me kërkesa të vazhdueshme nga grupet e interesit për rishikimin e saj.
Pseudoreforma e mostrës Llagami