Atentati i Rinasit me dy viktima, dosja i kalon SPAK-ut për dyshime për grup të strukturuar kriminal

13 Shkurt 2026, 10:55Kronika TEMA
Atentati i Rinasit me dy viktima, dosja i kalon SPAK-ut për dyshime

SPAK merr në dorë hetimin për atentatin e ndodhur në nëntor 2025 në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbetën të vrarë dy persona, pas një vendimi të Prokurorisë së Tiranës për shpallje moskompetence.

Sipas burimeve zyrtare, pas verifikimeve paraprake dhe analizës së provave të mbledhura në vendngjarje, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se ngjarja dyshohet të jetë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Për këtë arsye, çështja i është referuar për kompetencë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Atentati u regjistrua në rrethrrotullimin e Rinasit, një zonë me qarkullim të lartë, duke shkaktuar jo vetëm tronditje publike, por edhe shqetësim për nivelin e sigurisë në një nga hyrje-daljet kryesore të kryeqytetit. Nga të shtënat me armë zjarri humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, i njohur me nofkën “Sheqeri”.

Hetimet fillestare u përqendruan në identifikimin e autorëve, lëvizjet e tyre dhe motivet e mundshme të krimit. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se indiciet e mbledhura deri më tani flasin për një organizim paraprak dhe përfshirje të më shumë se një personi, çka ka ngritur dyshime të forta për veprimtari të strukturuar kriminale.

Lini një Përgjigje