Kreu 150 vjedhje në dy vite në Tiranë, kapet hajduti serial vetëm 14-vjeç, në pranga dhe dy tutorët

5 Shkurt 2026, 15:13Kronika TEMA
Kreu 150 vjedhje në dy vite në Tiranë, kapet hajduti serial

Pothuajse çdo pesë ditë ka kryer një vjedhje në Tiranë gjatë dy viteve të fundit. Kjo është historia e të miturit 14-vjeçar, i cili ka kryer plot 150 vjedhje në kryeqytet në vetëm dy vite. I mituri i “pakapshëm” për policinë ishte kthyer në tmerrin e bizneseve dhe qytetarëve që grabiste.

Pas dy vitesh në arrati dhe vjedhjesh të shumta që kryente, I mituri më në fund është arrestuar nga policia e Tiranës. Bashkë me 14-vjeçarin janë arrestuar edhe dy tutorë të tij, që e shtynin të miturin të kryente vjedhje.

Në pranga ranë shtetasit Agron Doçi 48-vjeç dhe Altin Hyseni 41 vjeç. Nga hetimet dyshohet se dy të arrestuarit më datë 21 janar, kanë shtyrë të miturin, për të vjedhur 1 motomjet, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, të cilin e ka përvetësuar 41-vjeçari.

Policia zyrtarisht njofton se 14-vjeçari është autor i dyshuar i 150 vjedhjeve në kryeqytet, 4 prej tyre, gjatë ditëve të fundit. Gjatë kontrollit në një garazh në pronësi të shtetasit Altin Hyseni, policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 motomjete dhe pjesë motomjetesh. Policia njofton se po punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas duke përdorur të miturin. 

Lini një Përgjigje