Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i pranishëm në Konferencën Ndërministeriale të vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor”, që po zhvillohet në Tiranë, theksoi se ky forum shënon një hap më tej drejt zgjidhjeve të sfidave të përbashkëta, por gjithashtu reflekton angazhimin dhe vullnetin tonë për bashkëpunim ndërkombëtar.
“Angazhimi i vazhdueshëm i partnerëve ndërkombëtarë na jep besimin se duke punuar së bashku si rajon, ne mund të ecim më shpejt dhe më fort në ambicien tonë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke ndarë parimet e shtetit të së drejtës së bashku si një rajon”, u shpreh në nisje të fjalimit tij ministri Balla.
Ministri Balla u shpreh se me punën e deritanishme po trajtohen me shumë kujdes sfidat e migracionit të paligjshëm: “Duke parë atë që është arritur deri më tani në menaxhimin e flukseve migratore, sigurinë e kufijve, respektimin e të drejtave dhe lirive të migrantëve, mund të them me krenari se të gjitha vendet tona kanë fituar sot një nivel më të madh profesionalizmi.
Kjo Konferencë, e dyta në një hark kohor prej 6 muajsh, është dëshmi e vullnetit të palëkundur të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit për të bashkëpunuar në drejtim të adresimit të sfidave të migracionit.”
Ministri Balla foli gjithashtu edhe për bumin turistik që po përjeton vendi ynë në dy vitet e fundit: “Shqipëria prej dy vitesh tashmë po kthehet një destinacion turistik i preferuar nga shumë qytetarë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian por jo vetëm.
Mbarëvajtja e një sezoni turistik të qetë dhe të sigurt për të gjithë turistët që kanë zgjedhur të vizitojnë vendin apo rajonin tonë mbetet prioritare. Në kontekstin e këtyre sfidave, më lejoni të veçoj bashkëpunimin me FRONTEX i cili ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të strategjisë sonë për menaxhimin e kufijve dhe luftimin e migracionit të parregullt.
Përmes partneritetit me FRONTEX, ne kemi arritur të rrisim ndjeshëm efektivitetin e operacioneve kufitare, të trajnojmë personelin tonë dhe të modernizojmë pajisjet dhe metodat e kontrollit kufitar.”
Ministri i Mbrojtjes Balla përmendi edhe punën e palodhur të Policisë së Shtetit, ku theksoi uljen e rasteve të aktiviteteve të paligjshme: “Strukturat e Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë kanë punuar me përkushtim dhe këmbëngulje për parandalimin, identifikimin dhe adresimin e fenomenit të migrimit të parregullt ku përfshihen qytetarë nga vendet e përfshira në konflikt dhe më gjerë.
Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit me partnerët në periudhën Janar – Prill 2024, kemi vërejtur një ulje të përgjithshme të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ministri Balla shprehu gatishmërië për bashkëpunim në nivel operacional, duke organizuar më shumë aktivitete hetimore dhe goditjen e rrjeteve të kontrabandimit, në nivel rregullator, duke përmirësuar kuadrin tonë legjislativ dhe duke zgjeruar bashkëpunimin me vendet e treta për ripranimin, por edhe duke përdorur platforma për të ndarë të dhëna në kohë reale për të dhënë zgjidhje të shpejta dhe efektive për sfidat e zakonshme.
Në fund të fjalimit ministri kujtoi edhe një herë suksesin e Ministerialin e ministrave të Brendshëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit dhe rëndësinë e bashkëpunimit: “Në përfundim, le të rikonfirmojmë angazhimin tonë për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
Përpjekjet tona të përbashkëta në këtë konferencë duhet të shërbejnë si një nxitje për veprime të mëtejshme dhe për bashkëpunim të thelluar. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët ku siguria dhe prosperiteti janë të garantuar për të gjithë qytetarët tanë”.
Lini një Përgjigje