Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka bërë një apel publik për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, duke paralajmëruar masa të rrepta ndëshkimore për të gjithë ata drejtues mjetesh që bëhen shkak për bllokimin e trafikut. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i dikasterit të Brendshëm theksoi se sjelljet që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk do të tolerohen më.
Sipas ministrit Lamallari, është e papranueshme që për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të disa individëve të vuajnë drejtuesit e tjerë të mjeteve të cilët zgjedhin të respektojnë normat qytetare dhe kodin rrugor. Ai nënvizoi se rregullat janë të barabarta dhe duhet të zbatohen nga të gjithë pa asnjë përjashtim apo dallim.
“Për kapriço të dikujt, nuk ka pse të vuajnë të tjerët që vonohen dhe bllokohen në trafik! Nëse mendoni se jeni të privilegjuar dhe mund të bëni ç’të doni në trafik, përshëndeteni pak dronin sipër jush dhe prisni sa të takoni patrullën më të afërt me gjobën tuaj” shkruan Lamallari.
Zgjerimi i teknologjisë së monitorimit në akset kombëtare
Për të garantuar zbatimin e ligjit në terren, Policia e Shtetit po shfrytëzon mjete të avancuara të monitorimit nga ajri. Ministri bëri të ditur se krahas dronëve që janë tashmë në funksion, strukturave policore do t’u shtohet së shpejti edhe një rrjet i ri monitorimi teknologjik.
Bëhet fjalë për kamerat inteligjente të sistemit Smart City, të cilat është planifikuar të vendosen përgjatë akseve kryesore kombëtare dhe rrugëve strategjike të vendit.
“Dronëve të Policisë së Shtetit do t’u shtohen së shpejti edhe kamerat inteligjente të sistemit Smart City, të cilat do të vendosen në akset kombëtare”, thekson Lamallari.
Ky investim synon të rrisë sigurinë rrugore dhe të mundësojë identifikimin e menjëhershëm të shkelësve, duke ua kaluar të dhënat patrullave më të afërta të policisë në terren për vendosjen e gjobave përkatëse.
Autoritetet shprehen se ky mekanizëm i ri do të shërbejë si një mjet efikas për të parandaluar vonesat artificiale në trafik dhe për të kultivuar një sjellje më të përgjegjshme nga ana e përdoruesve të rrugës.
NA DHJENE.... SHYQYR QE DAL ME SKUTER NE AUTOSTRADE
Sot menaxhimi i trafikut eshte nga problemet me te mprehta qe hasin shqiptaret. Vetem pergezime per masat e marra. Sot ne baipasin e Orikumit me ndaloi me te drejte policia rrugore sepse kolegu e kishte informuar per nje parakalim te gabuar te kollones me dhjetra mjete. U sollen korekt. Por, veç gabimit tim i thashe me edukate policit qe shoferet e kamionave, kur shikojne qe mbas tyre krijohen radhe te gjata automjetesh, duhet te hapin rrugen ne mundesine e pare qe ju krijohet. Ne kushtet tona, kur ka shofere kamionash qe nuk jua ndjen, ndoshta duhet te rregullohet me ligj, duke i ndeshkuar.