Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të hëne në fshatin Baltëz të Fierit, ku raportohet se gjatë një konflikti të çastit, ka mbetur i vdekur një punonjës policie i repartit “Shqiponja”.
Ai është Novruz Cenalia, 28 vjeç. Mësohet se Cenalia ishte i veshur me uniformë dhe po shkonte të merrte shërbimin.
Sipas dëshmive paraprake, autori i ngjarjes është larguar me një automjet me ngjyrë blu.
"Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin Novruz Cenalia, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje", thuhet në njoftimin e policisë.
Ç'është ky interpretim në njoftim; :polici ishte jashtë shërbimi". Si mund të quhet jashtë shërbimi, kur udhëtonte pikërisht për të marrë shërbimin?! Po atëherë pse e ndëshkon ligji sikur është në krye të detyrës, kur polici me (apo pa) uniformë nuk ndërhyn për parandalimin e një krimi që ndodh në praninë e rastësishme të tij?!