Ragip Gila, i dyshuar si autori i vrasjes së trefishtë që tronditi qytetin e Shkodrës, ka mbërritur këtë të enjte në Gjykatën e Shkallës së Parë për t’u njohur me masën e sigurisë.
Prokuroria ka kërkuar ndaj tij masën më të rëndë të sigurisë, “arrest me burg”, ndërsa seanca po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Gjyqtare e çështjes është Ermira Dedja, ndërsa prokuror i çështjes është Pjerin Çukaj.
Sipas hetimeve paraprake, Gila akuzohet për vrasjen e Armando Palit dhe Liridon Kraja alias Lushi, si dhe për plagosjen e rëndë të Erogen Vasos Brajoviç dhe Meri Kacerit, kamariere e lokalit, gjatë një atentati që ndodhi më 8 Shtator në qendër të qytetit të Shkodrës.
Autori i dyshuar i masakrës, Ragip Gila u vendos në pranga disa minuta pas ngjarjes së rëndë në tentativë për t’u arratisur.
28 vjeçari, banues në Shkodër, u arrestua për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Pas të shtënave, autori Ragip Gila u largua nga dera e pasme e lokalit dhe braktisi motorin, duke ecur në këmbë për disa metra.
Më pas, Gila ndaloi një qytetar dhe nën kërcënimin e armës i mori makinën BMW ngjyrë gri, me të cilën u largua me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit. Pamjet filmike tregojnë qartë momentin kur ai qarkullon me makinën e vjedhur në përpjekje për t’u arratisur. Arriti deri në lagjen Skënderbeg, por gjatë ndjekjes nga forcat e policisë, u përfshi në një aksident duke u përplasur me disa mjete të tjera. Pas përplasjes, e braktisi automjetin dhe tentoi të largohej në këmbë në drejtim të lumit Kir.
Ragip Gila, 30 vjeç, i arrestuar si autori i dyshuar i ngjarjes, ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve, duke pohuar se objektivi i tij ishte vetëm një person, Erogen Vaso.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të,” ka deklaruar Gila në polici, duke sqaruar se nuk kishte synuar të qëllonte të tjerë persona në vendngjarje.
Sipas dëshmisë së tij, Gila pretendon se kishte një konflikt të vazhdueshëm me Vason.
“Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam pasur personale vetëm me të dhe doja të qëlloja vetëm atë,” mësohet të ketë thënë ai gjatë marrjes në pyetje.
Nga te shtenat me arme zjarri ne lokal humben jeten Armando Palit dhe Liridon Kraja, ndërsa të plagosur mbetën Erogen Vaso, që dyshohet të ketë qenë objektivi i atentatit, dhe kamarierja Meri Kaceri, e cila ndodhej rastësisht në vendin e gabuar.
Gila u arrestua pas një ndjekjeje nga policia, gjatë së cilës u rrëzua nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke pësuar një dëmtim në këmbë. Në ato momente, ai është detyruar të dorëzohet, duke thënë: “E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë.”
Lini një Përgjigje