Policia e Tiranës, në bashkëpunim me forcat speciale RENEA, ka zhvilluar një operacion në fshatin Zallë të Fushë Krujës, me qëllim arrestimin e shtetasit Ylli Zalla, i shpallur në kërkim prej disa muajsh për posedim arsenali armësh.
Gjatë ndërhyrjes, i shumëkërkuari nuk është gjetur në banesën e tij dhe ka arritur të largohet, dyshohet pasi ka konstatuar praninë e forcave të policisë dhe është fshehur në zonën përreth, duke përfituar nga terreni dhe errësira.
Në banesë, forcat e policisë kanë sekuestruar një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për përdorim, si dhe një celular që dyshohet se i përkiste të kërkuarit. Gjatë kontrollit janë gjetur gjithashtu municion luftarak dhe një pajisje për detektim frekuencash.
Në kuadër të operacionit është arrestuar edhe një shtetas tjetër, banues në të njëjtin fshat, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe moskallëzim të tij, pasi dyshohet se ka ndihmuar në largimin e të shumëkërkuarit pas konstatimit të forcave të policisë.
Në banesë është gjetur gjithashtu edhe vëllai i Ylli Zallës, i cili rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës në lidhje me një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur më 10 qershor 2026, ku dyshohet për përfshirje në një shpërthim me lëndë plasëse në një ambient të hapur. Ai do të ndiqet në gjendje të lirë nga autoritetet.
Policia vijon kërkimet intensive për kapjen e Ylli Zallës, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Lini një Përgjigje