Pas një situate tejet problematike që zgjati nga orët e para të mëngjesit deri rreth orës 23:00 të ditës së djeshme, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Elbasan–Librazhd–Prrenjas i është rikthyer normalitetit.
Kaosi rrugor, i shkaktuar nga ngricat tejet të mëdha dhe reshjet e dëborës, la të bllokuara mijëra automjete dhe dhjetëra mijëra pasagjerë, të cilët u detyruan të kalojnë orë të tëra në rrugë, në kushte të vështira atmosferike.
Situata u përkeqësua ndjeshëm në segmentet më problematike të këtij aksi, të njohura për prezencën e shpeshtë të ngricave, si “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku mungesa e ndërhyrjes në kohë bëri që qarkullimi të paralizohej pothuajse totalisht.
Vetëm pas ndërhyrjes dhe përmirësimit gradual të kushteve atmosferike, qarkullimi nisi të normalizohej, duke i dhënë fund një dite të gjatë dhe tejet të vështirë për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët.
Lini një Përgjigje