Sigurimi i banesave nga tërmetet, zbardhet drafti i qeverisë! Si bëhet dëmshpërblimi dhe cilat ndërtesa përjashtohen

26 Korrik 2025, 08:57Kronika TEMA
Sigurimi i banesave nga tërmetet, zbardhet drafti i qeverisë! Si

Banesat që janë të siguruara me kontrata vullnetare nuk përjashtohen nga detyrimi për të përfshirë pronën në sigurimin e detyrueshëm kundër tërmeteve.

Kjo parashikohet në projektligjin e ri të përgatitur nga Ministria e Financave, i cili është hedhur për konsultim publik dhe synon të vendosë një skemë të detyrueshme sigurimi për të gjitha banesat në territorin shqiptar, përballë rrezikut nga tërmetet. Në këtë kategori përfshihen edhe qytetarët që kanë lidhur polica sigurimi të banesave për efekt të marrjes së kredive hipotekore. Në këto raste, sigurimi shërben vetëm për mbulimin e shumës së kredisë së marrë nga bankat tregtare, por jo për mbrojtjen e plotë të vlerës së pronës. Sipas qasjes së re ligjore, çdo individ, pavarësisht nëse është i siguruar me iniciativë të vet ose për shkak të kushteve të huamarrjes, do të jetë i detyruar të ketë një policë sigurimi të detyrueshme për mbrojtjen ndaj dëmeve që mund të shkaktohen nga tërmetet.

Projektligji trajton në mënyrë të qartë edhe rastet kur një qytetar është i siguruar njëkohësisht me dy kontrata sigurimi, një të detyrueshme dhe një vullnetare. Sipas pikës 6 të nenit 14 të draftit, “në rastin kur një person është i siguruar si me një kontratë të detyrueshme, ashtu edhe nëpërmjet një kontrate sigurimi vullnetare, pagesa e dëmshpërblimit bëhet sipas kushteve të sigurimit të detyrueshëm. Për shumën e siguruar që tejkalon vlerën e kontratës së sigurimit të detyrueshëm, pagesa bëhet sipas kontratës së sigurimit vullnetar”.

Kjo do të thotë se në rast dëmi, fillimisht aplikohet mbulimi i parashikuar në kontratën e detyrueshme dhe më pas, vetëm nëse vlera e dëmit është më e lartë, përfitohet edhe nga kontrata shtesë e vullnetshme, por brenda kufijve të përcaktuar prej saj. Projektligji ndalet edhe në çështjet që lidhen me kalimin e pronësisë së një banese të siguruar. Në nenin 9 të tij përcaktohet se, “në rast të ndryshimit të pronarit ose poseduesit të banesës së siguruar, kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet i kalon pronarit ose poseduesit të ri”.

Por ky i fundit ka një detyrim ligjor për të njoftuar Fondin për Tërmetet brenda 15 ditëve kalendarike nga momenti i ndryshimit të pronësisë. Sigurimi i detyrueshëm zbatohet për të gjitha objektet e paluajtshme që kanë destinacion banimi apo përdorime të ngjashme si njësi tregtare, zyra, studio apo ambiente shërbimi. Nga detyrimi përjashtohen ndërtesat që janë të ndërtuara me materiale jo të qëndrueshme si qerpiçi, argjila apo fibra-kallami, si dhe strukturat e përkohshme ose të lëvizshme që nuk përmbushin kriteret ndërtimore për siguri strukturore. Policat e sigurimit të detyrueshëm do të aktivizohen vetëm në rastet kur vendi përballet me një tërmet me magnitudë 5 ose më të lartë të shkallës Rihter, i cili ndodh brenda territorit të Shqipërisë apo në rajonet përreth dhe shkakton dëme në pronat e banorëve. Ky është edhe kriteri teknik që e bën një ngjarje sizmike të kualifikueshme për dëmshpërblim nga skema e sigurimit.

Projektligji parashikon gjithashtu që sigurimi i detyrueshëm të jetë i zbatueshëm edhe për banesat sociale që jepen me qira, për banesat që ndodhen në proces legalizimi, si dhe për njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat kanë në administrim ose në pronësi pasuri të paluajtshme. Në këto raste, detyrimi financiar për pagesën e primit të sigurimit do të përballohet nga buxheti përkatës i institucioneve që zotërojnë ose përdorin pronën. Sipas projektligjit, edhe shtresat sociale në nevojë do të përfitojnë nga skema e sigurimit të detyrueshëm, por në këtë rast është buxheti i shtetit, ai që do të mbulojë pagesën e primit, duke garantuar kështu mbrojtje për grupet më vulnerabël të popullsisë.

3 Komente

  1. S
    Sqepari

    Gjithe kjo tirade dhe nuk japin kryesoren: pagese m2 apo sip m2, sa lek

    Përgjigjjuni
    1. L
      Labi

      Sj mund te paguash ket sigurim kur nuk te japin certifukaten e pronesise,jane bllokuar njerezit per gabimet e tyre paguajne qytetaret.Per nje germe ne emrin e babait dy vhet gjyqeve e nuk mbaron pune pa dhene leke.

      Përgjigjjuni
      1. N
        Nardi

        Nuk ka shtet ne bote qe qytetari blen shtepia me noteri dhe nuk hipotekohen. Ky shtet germadhe ligjote tani ketyre banrsave don t'u rrjepi taksim, se nuk u mjafon stresi qe shtepia nuk hipotekohet per faj te ndertuesit pronar, rrugaci qe tall bythen me shtetin langaraqe.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje