Snajperist me pagesë? Edmond Sula u ekzekutua nga 60-100 metra, policia gjen një gëzhojë; konfliktet për pronat pista kryesore

13 Korrik 2026, 13:50Kronika TEMA
Snajperist me pagesë? Edmond Sula u ekzekutua nga 60-100 metra, policia

Konfliktet për pronat janë pista kryesore ku është përqendruar grupi hetimor për zbardhjen e vrasjes së Edmond Sulës, i njohur edhe si Edmond Aliu, i cili u ekzekutua pranë banesës së tij në Bërxullë pak minuta pas mesnatës së 11 korrikut.

50-vjeçari merrej prej vitesh me shitblerjen e pronave dhe kishte kontakte të shumta me institucione që trajtojnë çështjet e pronësisë. Sipas burimeve hetimore, aktiviteti i tij dhe mosmarrëveshjet e mundshme që lidhen me pronat po verifikohen si motivi kryesor i atentatit.

Hetuesit kanë marrë në shqyrtim të paktën 18 raste të mëparshme ku Sula rezulton i kallëzuar, i denoncuar ose i proceduar për konflikte, episode dhune, presione dhe mosmarrëveshje pronësore. Të gjitha këto po analizohen për të identifikuar lidhje të mundshme me ekzekutimin.

Sula u qëllua nga pas me një plumb të vetëm, i cili i përshkoi trupin dhe i preku zemrën. Mënyra e kryerjes së krimit ka ngritur dyshime se autori ka qëlluar nga një distancë prej rreth 60 deri në 100 metrash, duke përdorur një armë me dylbi ose me karakteristika snajperi.

Personi që shoqëronte viktimën ka deklaruar se nuk dëgjoi zhurmë të shtënash, çka ka shtuar dyshimet se arma mund të ketë qenë e pajisur me silenciator.

Grupi hetimor po heton gjithashtu mundësinë që atentati të ketë qenë i porositur dhe të jetë kryer nga një vrasës me pagesë, i ndihmuar nga bashkëpunëtorë që mund ta kenë larguar menjëherë nga zona pas krimit.

Paralelisht me pistën e konflikteve pronësore, hetimet janë shtrirë edhe te konfliktet personale, kontaktet e viktimës me persona të lidhur me grupe kriminale, si dhe episode nga e kaluara e tij jashtë vendit.

Për të identifikuar autorin, policia ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në hyrje dhe dalje të Bërxullës. Një prej kamerave pranë banesës ka fiksuar siluetën e një personi që largohet pas atentatit, por pamjet janë të paqarta dhe deri më tani nuk kanë bërë të mundur identifikimin e tij.

1 Komente

  1. S
    Sofo

    50-100 m me nje plumb ne koke ??? Vallahi ushtarak kam qene po qitesi do jete ndonje gjeni profesionist. ( nese nuk ka qelluar me snaiper ) Duket disi e pabesueshme

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje

    Blog Tema