Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të diele në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në afërsi të zonës së Viroit.
Sipas informacioneve paraprake, në përplasje janë përfshirë një motomjet me targa greke, i drejtuar nga Jorland Koçi, dhe një kamion, me drejtues Edlir Kore.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motomjetit ka mbetur i plagosur rëndë. Ai është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Mësohet se motoristi ka pësuar dëmtime të rënda në këmbë dhe, për shkak të gjendjes së tij, është bërë i nevojshëm transportimi drejt Spitalit të Traumës në Tiranë me helikopter.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Lini një Përgjigje