Kur nuk kanë kaluar 24 orë nga ekzekutimi i Nikolin Markut në Lezhë, Policia ka arritur që të gjejë një makinë të djegur brenda së cilës kishte dhe një automatik dhe dyshimet janë të forta që u përket autorëve të vrasjes.
Mjeti tip “Benz” u gjet në fshatin Gjadër, të fshehur në një parcelë arë, e ndërsa në brendësi të tij është gjetur një automatik dhe disa gëzhoja, të gjitha të djegura plotësisht.
Referuar burimeve zyrtare nga Policia e Lezhës, bëhet me dije sa makina tip Benz, në shtator të vitit 2022, është denoncuar i vjedhur në Dimal, Berat. Uniformat blu bëjnë me dije se makina dhe automatiku është sekuestruar në cilësinë e provës materiale për t’u dërguar për ekspertime, e ndërsa nuk ka ende asnjë të dhënë mbi autorët.
Marku u qëllua me breshëri plumbash nga një mjet me xhama të zinj në lëvizje. Gjatë këtij momenti, autorët kanë thyer xhamin e makinës për të qëlluar shënjestrën dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Atentati ndodhi jo shumë larg shtëpisë së viktimës, në fshatin Balldre.
Pista e parë për policinë është hasmëria, pasi dyshohet se 42-vjeçari është vrarë për të marrë hakun e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj në Shëngjin, më 19 prill fiks 3 muaj më parë. Dy autorët e maskuar kishin organizuar një atentat të mirëfilltë mafioz dhe e kishin vëzhguar viktimën hap pas hapi, edhe pse lëvizjet e këtij të fundit ishin të rralla në Lezhë.
Lini një Përgjigje