Vrau 34-vjeçarin pasi motra e tij i dhunoi prindërit, nis seanca për masën e sigurisë ndaj Ylber Jakut

10 Maj 2025, 10:25Kronika TEMA
Vrau 34-vjeçarin pasi motra e tij i dhunoi prindërit, nis seanca

Në Gjykatën e Kukësit po mbahet sot seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj 41-vjeçarit Ylber Jaku, i akuzuar për vrasjen e 34-vjeçarit Reshit Sallahu në motive hakmarrjeje. 

Ngjarja e rëndë ndodhi më 7 maj, një ditë pasi motra e viktimës, 21-vjeçarja Artjola Sallahu, kishte dhunuar dhe plagosur me sëpatë prindërit e Ylber Jakut, pas konflikteve të vazhdueshme të pronësisë.

Ylber Jaku, i cili jetonte në Angli si emigrant, është kthyer në Shqipëri për të kryer krimin pak pasi mësoi plagosjen e prindërve të tij nga 21-vjeçarja, sipas hetimeve paraprake. 

Vrasja ndodhi në fshatin Plan të Hasit. Ndërkohë, më 8 maj, Gjykata e Kukësit caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Artjola Sallahun, për dhunën ndaj prindërve të autorit të vrasjes se Reshit Sallahu.

Policia tha se ngjarja ka lidhje me konfliktin e raportuar më 6 maj ku dy bashkëshortët përfunduan në spital pas përleshjes për shkak të sherrit për pronat, teksa kishin nisur hetimet për të dyja palët. Madje sipas informacioneve paraprake, kishte pasur edhe ankesa e denoncime nga palët për këto konflikte pronësie.

Mësohet se një nga nga familjet ka hapur edhe rrugë kalimi vite më parë. Gjurma e rrugës ka qenë burim konfliktesh prej vitesh, pasi dy familjet pretendojnë se rruga ka prekur pronat e tyre. Toka ka qenë më parë e ish-ndërmarrjes bujqësore dhe ka qenë pa certifikatë pronësie.

Lini një Përgjigje