Vrau çiftin e të moshuarve në Dropull, lihet në burg Thoma Mastora

8 Maj 2024, 17:02Kronika TEMA
Vrau çiftin e të moshuarve në Dropull, lihet në burg Thoma

Gjykata e Gjirokastrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 69-vjeçarin Thoma Mastorën, i cili akuzohet për vrasjen e të moshuarve në Dropull.

Krimi i dyfishtë ndodhi më 2 maj, ku sipas verifikimeve të policisë së Gjirokastrës, Mastora, ka goditur me një levë në kokë dhe trup, fillimisht Kosta Ilia 84 vjeç dhe në brendësi të banesës ka goditur për vdekje Kleoniqi Ilia 88 vjeçe.


Pasi i vrau të dy të moshuarit, autori 69-vjeçar, u largua për në banesën e tij që ishte jo shumë larg vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Mastora rezulton i dënuar më parë për vjedhje. Gjatë kontrollit të banesës së 69 vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar të krimit, një sasi municioni luftarak, një mjet prerës, dhe prova të tjera që janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Policisë Shkencore.

Nga veprimet hetimore të kryera me ekspertët kriminalistë dhe mjeko-ligjorë, u arrit në konkluzionin se viktimat ishin goditur me sende të forta dhe prerëse duke u shkaktuar vdekjen. Sipas policisë, në banesën e çiftit të vrarë, janë gjetur 5 milionë lekë të reja.

Lini një Përgjigje