
Policia e Korçës ka dhënë detaje më të zgjeruara në lidhje me sasinë e drogës të kapur mbrëmjen e djeshme në pikën kufitare të Kapshticës.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të koduar "Itinerari" janë arrestuar shtetasit George Coman, 54 vjeç, banues në Ghimpajti dhe Daniela Buturugaru, 36 vjeçe, banuese në Bukuresht, Rumani.
Ata kanë tentuar të trafikojnë 118 kilogramë kanabis drejt Greqisë me një automjet rulot.
"Bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të Republikës së Shqipërisë, Policia Kufitare ka kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip Camper të markës "Fiat", me drejtues shtetasin G. C. dhe pasagjere shtetasen D. B.
Gjatë kontrollit të detajuar, duke përdorur edhe qenin antidrogë të Policisë, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 79 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 118 kilogramë." thuhet në njoftimin e Policisë
Burime bëjnë me dije se 54-vjeçari rumun, i shoqëruar nga partnerja e tij, por ashtu shtetase rumune, ka deklaruar para policisë se është biznesmen dhe ndodhej në Shqipëri për pushime.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje