Ka përfunduar me sukses edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Studentor në Tiranë (ISFFT), një nismë që për katër ditë e ktheu kryeqytetin në një pikë takimi për kinemanë studentore ndërkombëtare. Me pjesëmarrje nga dhjetëra vende dhe një program të pasur filmash e aktivitetesh, festivali synoi të vendosë Shqipërinë në hartën e festivaleve ndërkombëtare të filmit.
Nga data 21 deri më 24 prill, Tirana priti dhjetëra artistë të rinj të kinemasë, të cilët prezantuan qindra filma nga zhanre të ndryshme. Programi u shoqërua edhe me masterclass-e nga emra të njohur të kinemasë shqiptare dhe ndërkombëtare, ndërsa një grup studentësh ndoqën nga afër një punëtori me skenaristin italian Umberto Contarello, i njohur për bashkëpunimet në filma si “La Grande Bellezza” dhe “Il Divo”.
Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë çmimet kryesore të festivalit. Trofeun “Filmi më i mirë” e fitoi studenti serb Adem Tutic me filmin “Tarik”. Në kategorinë e dokumentarit u vlerësua shqiptari Alvin Çyço me “We play with all our heart”, ndërsa çmimi për filmin më të mirë të animuar shkoi për “Absorta” të autores braziliane Luiza Pugliesi Villaça. Një çmim i veçantë, që mban emrin e regjisorit Gjergj Xhuvani, iu dha Mert Erez nga Turqia për filmin “The Contract”.
Drejtori i festivalit, Elis Mataj, e cilësoi ISFFT si një urë mes universitetit dhe industrisë së filmit, duke theksuar rëndësinë e krijimit të hapësirave ku talenti i ri mund të zhvillohet dhe të lidhet me tregun real. Ndërkohë, producenti Regis Canameri u ndal te përqasja e festivalit si një platformë konkrete për bashkëpunime dhe zhvillim projektesh.
Edicioni i parë i ISFFT shënoi interes të gjerë ndërkombëtar, me 2294 aplikime nga mbi 90 vende të botës. Nga ky numër, vetëm 70 filma u përzgjodhën për programin zyrtar, duke reflektuar një proces seleksionimi rigoroz dhe një standard të lartë artistik. Organizatorët e konsiderojnë këtë pjesëmarrje si një tregues të qartë të potencialit të festivalit për t’u konsoliduar si një platformë e rëndësishme për kinemanë e re ndërkombëtare.

Lini një Përgjigje