Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), që sot mban emrin e ri por rjedh nga themelimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK) 60 vjet më parë, shënoi përvjetorin e tij me një konferencë ndërkombëtare në Tiranë, ku morën pjesë ekspertë dhe personalitete nga e gjithë bota.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i pranishëm në aktivitet, theksoi se misioni i trashëgimisë vijon sot “nën një petk më të gjerë, me një emër të ri dhe një vizion të përditësuar,” duke vlerësuar kontributin e figurave të shquara si Prof. Gani Strazimiri dhe Prof. Emin Riza.
Ministri Gonxhja prezantoi shifra që pasqyrojnë një fokus të theksuar qeveritar në restaurim dhe promovim.
“Në dy vitet e fundit, janë shënuar 363% më shumë investime direkte në monumente dhe 309% më shumë projekte restaurimi e konservimi. Përpjekjet po japin fryt, pasi deri në shtator 2025, sitet kulturore, kalatë dhe muzetë kanë regjistruar mbi 1.3 milionë vizitorë, një rritje prej 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.”, tha Gonxhja.
Ministri paralajmëroi se “sfidat janë reale,” duke përmendur presionet e zhvillimit mbi qendrat historike, rreziqet klimatike dhe nevojën për shpejtimin e digjitalizimit.
Investime strategjike dhe qendra të reja vizitorësh
Për të adresuar këto sfida, u bë një fokus i qartë mbi projektet e ardhshme. U konfirmua projekti i qendrës së vizitorëve në Butrint, hartuar nga arkitekti japonez i njohur Kengo Kuma, si dhe realizimi i qendrave bashkëkohore në Apoloni dhe Bylis.
U shënuan njohjet e reja mbrojtëse në qendrat historike të Rabdishtë, Peshkopi, Konispol dhe zona arkeologjike e Linit, me synimin për t’i shtuar së shpejti edhe Delvinën. Do të nisë edhe programi i rijetësimit të 100 kullave historike në 14 bashki të vendit.
Duke iu referuar reformës së thellë, ministri Gonxhja theksoi rëndësinë e vetëfinancimit të IKTK-së dhe ngritjes së Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim, e cila do të ofrojë trajnim profesional. Për të siguruar vijueshmërinë, do të fuqizohet Masteri në Restaurim në bashkëpunim me universitetet publike.
Në përfundim të fjalës së tij, ministri Gonxhja e përshkroi këtë përvjetor si një “pikënisje drejt një etape të re, me vizion të përditësuar për mbrojtjen, rijetëzimin dhe promovimin e vlerave tona kulturore,” siç u shpreh edhe në rrjetet sociale. - RTSH-
Lini një Përgjigje