
*Relacion i mbajtur para Akademisës së Shkencave
Redaksitë e ngritura sipas disiplinave (fushave), në fazën e përzgjedhjes, duhet të propozojnë zgjidhje praktike për kufijtë midis lëndës enciklopedike dhe trashëgimive të tjera, që nuk përfaqësojnë vlera të vetëmjaftueshme për të zënë vend në fjalës; kufij për t’u zbatuar në mënyrë të njëjtë kudo që gjendet kjo lëndë, në gjithë hapësirën historike shqiptare
Hierarkia midis njësive enciklopedike vendoset duke filluar me të padiskutueshmit, vijuar me të krahasueshmit dhe përmbyllur me të diskutueshmit, si për personat, ashtu edhe për emërtimet e përgjithshme.
“Enciklopedia shqiptare” ka nevojë për përpjesëtime që i përgjigjen natyrës së një enciklopedie si lloj botimi për raportet midis personaliteteve, përveçimeve të tjera, ngjarjeve historike e kulturore, zhvillimeve në trashëgimi e identitet dhe terminologjisë së përgjithshme të njësuar
Me dorëzimin e fjalësit paraprak nga shumica e redaksive të ngritura mbi bazën e disiplinave shkencore (të njohura si “redaksi të fushës”) është bërë e mundur të shihen prirjet dhe të vlerësohen arritjet dhe problemet.
Mbështetur në bazën e krijuar të të dhënave rezulton se mbledhja dhe pjesërisht përzgjedhja e lëndës enciklopedike është bërë kryesisht nga fjalësi i “Fjalorit enciklopedik shqiptar” dhe “Fjalorit enciklopedik të Kosovës”. Më pak ose aspak janë këshilluar burimet e dyta: enciklopeditë tematike e krahinore, leksikonët e profesioneve dhe fjalorët terminologjikë.
Redaksitë e fushës kanë mundur të ruajnë sensin e masës; nuk vërehet prirje për të përfshirë në fjalës në mënyrë shterruese gjithë inventarin e trashëgimisë shqiptare, me një përjashtim të vetëm.
Grupimi i redaksive sipas fqinjësisë së disiplinave dhe caktimi i një anëtari të redaksisë vendore si koordinues për redaksitë e grup-fushave shërbeu për të lehtësuar e mundësuar ndërkomunikimin mes tyre, për të shmangur dyfishimet, për të adresuar njësitë enciklopedike në kufijtë mes tyre.
Me punën e kujdesshme të specialistes së gjuhësisë kompjuterike dr. Brikena Liko është konceptuar formatimi digjital i artikullit enciklopedik, me rubrikat dhe disiplinën e vet të njësuar, “shtrat Prokrusti” që është i domosdoshëm për të pasur një disiplinë të vetme pune. Një “template” për artikujt sipas madhësive të tyre u ofrohet të gjithëve atyre që dëshirojnë të punojnë drejtpërsëdrejti në program, në format të numerizuar. Në mjediset e QBEA tashmë ka mundësi që redaktorët të mblidhen, të diskutojnë e të punojnë bashkërisht ose më vete.
Në përputhje me kalendarin e miratuar nga redaksia qendrore ka filluar puna për përzgjedhjen dhe stabilizimin e fjalësit themelor, që brenda dy muajsh duhet të dorëzohet si fjalës përfundimtar. Prirja është për të respektuar parimet themelore të enciklopedizmit: përfaqësimin, objektivitetin dhe standardet e njësuara. Në enciklopedi nuk bëhen shpikje e zbulime, por shërbehet informacion i verifikuar dhe vlerësim i gjithëpranuar në përputhje me gjendjen e sotme të dijes.
Kalendari i punës për këtë vit është miratuar nga redaksia qendrore dhe përmban këto objektiva: deri në fund të muajit qershor duhet të përfundojë fjalësi i stabilizuar, me përzgjedhje kritike të asaj që është evidentuar, duke hequr të tepërtën e duke rivlerësuar edhe një herë burimet, sidomos ato dytësore; deri në fund të muajit shtator duhet të përfundojë vendosja në hierarki e njësive enciklopedike sipas meritës, gjegjësisht sipas shkallëzimit të artikujve; deri në fund të dhjetorit duhet të jenë lidhur kontratat me autorët realizues të artikujve sipas kriterit të kompetencës.
Nga problemet që meritojnë vëmendje veçojmë:
1. Ka një prirje për t’u mjaftuar në mbledhje e përzgjedhje me fjalësin e dy fjalorëve enciklopedikë, FESH e FEK, që, siç dihet, nuk kanë natyrën e enciklopedisë dhe kanë pasur kufizimet e tyre të vërejtura nga shqyrtimet kritike, qoftë për shkak të shkallës së njohjes, qoftë për shkak të pasveprimit inercial të kufizimeve ideologjike dhe fetare të mëparshme.
2. Ishte e pritshme një presion për të shtuar në listat e fjalëve-referencë sa më shumë personalitete. Rezervimi ndaj kësaj pjese të trashëgimisë është vërejtur vetëm në disa redaksi (mjekësia, inxhinieritë dhe teknologjitë). Shpërpjesëtimi që vërehet ka lidhje edhe me traditën e botimeve enciklopedike të deritashme (fjalorët enciklopedikë nga vetë natyra e tyre, u bëjnë shumë vend personaliteteve, ndërsa për terminologjinë e përgjithshme nuk gjejnë vend). Enciklopedia ka një rregullim tjetër midis përbërëseve: krahas personaliteteve janë ngjarjet, zhvillimet dhe termat. Kjo strukturë e rrudh detyrimisht vendin e mëparshëm të personaliteteve. Mendohet se personalitetet nuk mund të zënë më shumë se një të tretën e së tërës, kështu që duhen shfrytëzuar dy mundësi: artikujt përmbledhës dhe përfshirja e një pjese të tyre tek termi i përgjithshëm (klinikat dhe shërbimet për mjekët, për shembull).
3. Një prirje teprimi vërehet edhe me përveçimet në përgjithësi, jo vetëm me individët protagonistë të zhvillimeve: emra veprash industriale, subjektesh shoqërore, institucionesh e organizatash, agjencish, shkollash, rrugësh e sheshesh. Kjo pjesë e njësive të propozuara kërkon rreptësi përzgjedhjeje jo vetëm për të zbatuar një kriter të pranuar nga të gjithë, por edhe për detyrën që kemi për ta mbrojtur “Enciklopedinë shqiptare” nga çdo prekje prej reklamës dhe komercializmit, që do ta komprometonin rëndë përmbajtjen e saj.
4. Në këtë fazë e domosdoshme është që redaksitë e specialitetit (fushës, disiplinës), në Shqipëri e në Kosovë, të ndërkomunikojnë për të përcaktuar një prag të njëjtë pranimi për çdo kategori (personalitete, ngjarje, dukuri, zhvillime) dhe të njëjtin shkallëzim hierarkik. Ky problem nuk zgjidhet duke shtuar parime e kritere, shkencore a deklarative, por duke identifikuar e duke u marrë vesh se cilët janë të barabartët, të njëjtët, të ngjashmit, të përafërtët në gjithë hapësirën historike shqiptare: në Kosovë e në Shqipëri. Redaksitë e gjeologjisë dhe minierave për shembull mund të merren vesh që miniera e Trepçës dhe ajo e Bulqizës qendrojnë në të njëjtin nivel; ato të gjeografisë fizike mund të pranojnë që shpella e Lepenicës dhe ajo e Gadimes janë të dyja për nivelin e artikullit të vogël; kështu edhe për redaksitë e tjera. Enciklopedia është një dije relative dhe nuk bën dot pa krahasimin. Kjo do të përjashtonte standardet e dyfishta apo të shumëfishta, subjektivizmat, ndjeshmëritë krahinore etj.
5. Caktimi i pragjeve është vetëm fillimi i vënies në hierarki të lëndës enciklopedike, që është kusht për një disiplinë të vetme shkencore. Problemi zgjidhet duke krijuar çdo redaksi modele për ilustrim: modele për persona, për subjekte, për emërtime të tjera të përveçme, për ngjarje e dukuri; modele për secilën shkallë hierarkie të tyre referuar shkallëzimit të artikujve. Për këtë një mbështetje të vlerësueshme përbëjnë shembujt e miratuar nga redaksia qendrore. Për një hierarki sa më objektive metodologjikisht do të ishte e këshillueshme që puna të nisej me të padiskutueshmit, ata që janë vetëshquar në histori e kontribute, njësitë që u referohen trashëgimive kombëtare; për të vijuar me të krahasueshmit (kjo edhe për një vendimmarrje të drejtë në caktimin e vendit të tyre sipas madhësisë së artikullit) dhe për t’u ndalur më gjatë tek të diskutueshmit (zgjidhje mund të jetë pranimi për artikuj të vegjël, në artikuj përmbledhës ose tërthorazi në artikuj të përgjithshëm).
6. Është kapërcyer tashmë debati nëse në ESH do të ketë edhe terma të përgjithshëm. Në kushtet e të jetuarit në një botë të hapur e në ndërkomunikim termat e përgjithshëm mund të zënë deri 15 për qind e më shumë; kjo do të vendoset pas diskutimeve shkencore në redaksitë e fushës. Në kriter, termat që kanë dalë jashtë disiplinës së ngushtë dhe u nevojiten të gjithëve, duhet të kenë vend në ESH. Në fakt, duke realizuar projektin e “Enciklopedisë shqiptare” njëherësh po kodifikojmë stilin ligjërimor enciklopedik dhe po plotësojmë edhe një nga kërkesat e paketës së njohur “acquis communautaire”, që kërkon një terminologji të njësuar me përdorim mbarëshqiptar.
7. Redaksia e posaçme e ngritur në Maqedoninë e Veriut e ka bërë tashmë përzgjedhjen (nga rreth 1100 njësi janë propozuar rreth 400), duke qenë një hap përpara redaksive të tjera. Hap i parë për integrimin e saj në rrjetin e redaksive është njohja e redaksive të fushave me fjalësin e propozuar dhe zgjedhja e lëndës përkatëse nga secila prej tyre. Më tej do të përcaktohet se cilët janë artikujt që redaksia e ngritur në MV mund t’i realizojë vetë. Këshillimet me redaksinë vendore në Prishtinë janë të parashikuara.
A.K./TemA
Akademia sovjetike e konferencave!!!!! "një disiplinë të vetme shkencore në përzgjedhje"?!?!?!?!?
eh mor Profesor... sa keq me vjen per Ju qe ju "kullandris" Vaso Tole nga Lopesi.....