Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi mbajti raportin përmbledhës për veprimtarinë e Akademisë së Shkencave gjatë vitit 2024 dhe programin e strategjitë e kërkimit shkencor për vitin 2025-
-Akad. Skënder Gjinushi: Viti 2024 shënon kthimin e Akademisë nga një institucion thjesht honorifik, në një institucion kryesor aktiv të kërkimit shkencor. Për herë të parë pas 17 vjetësh institutet e albanologjisë, Qendra e Studimit të Artit si dhe ajo e bioteknologjisë e gjenetikës e ushtruan aktivitetin e tyre si pjesë aktive e kërkim-studimit pranë Akademisë, si njësi të përhershme të saj-
-Akad. Gjinushi: Një aspekt i rëndësishëm i vijimit të reformës është rikonfirmimi i tezave bazë të albanologjisë, që jo vetëm i konsolidon ato, por mbi të gjitha lartëson kontributin e Akademisë ndër vite, të plejadës së shkëlqyer të saj në gjuhësi, arkeologji e histori, të Çabejt, Demirajt, Budës, Domit, të katër arkeologëve themeltar. Akademia e Shkencave nuk është mohuese, por vërtetuese e lashtësisë e origjinës së hershme të shqipes...-
Mbledhja u mbajt me pjesëmarrjen e anëtarëve të Asamblesë, kryetarit akad. Skënder Gjinushi e anëtarëve të Kryesisë së ASHSH-së, kryetarëve të komisioneve të përhershme, drejtuesve e anëtarëve të këshillave shkencorë të instituteve.
Në raportin përmbledhës, akad. Skënder Gjinushi e vuri theksin tek vijimi i fazës së dytë të reformës. Ai tha se viti 2024 shënon kthimin e Akademisë nga një institucion thjesht honorifik, në një institucion kryesor aktiv të kërkimit shkencor. Për herë të parë pas 17 vjetësh institutet e albanologjisë, Qendra e Studimit të Artit, si dhe ajo e bioteknologjisë e gjenetikës e ushtruan aktivitetin e tyre si pjesë aktive e kërkim-studimit pranë Akademisë, si njësi të përhershme të saj. Investimi për shkencën është investimi më i drejtpërdrejtë për brezat e rinj, është masa më efikase për frenimin e largimit të trurit, madje dhe për rithithjen e tij.
Më tej, akad. Gjinushi vuri në dukje se faza e dytë e reformës, me vizionin e Asamblesë së ASHSH-së për nevojën e rrugët e reformimit të sistemit tonë të kërkimit shkencor, përkon dhe me objektivat e ligjit të ri për shkencën, miratuar kohët e fundit, me ndryshimet e të cilit njësitë e komisionet konceptohen si struktura që ngrihen e përbëhen në bashkëpunim me institucionet e tjera të arsimit e të shkencës.
Kryetari i Akademisë së Shkencave vlerësoi si një aspekt të rëndësishëm të vijimit të reformës rikonfirmimin e tezave bazë të albanologjisë, që jo vetëm i konsolidon ato, por mbi të gjitha lartëson kontributin e Akademisë ndër vite, të plejadës së shkëlqyer të saj në gjuhësi, arkeologji e histori, të Çabejt, Demirajt, Budës, Domit, të katër arkeologëve themeltar. Akademia e Shkencave si institucion, e cila flet nëpërmjet studimeve të saj e figurave e studiuesve qendrorë, nuk është mohuese, por vërtetuese e lashtësisë e origjinës së hershme të shqipes e qenies së saj një degë fillestare e trungut indoeuropian, degë-bijë.
Akad. Gjinushi u shpreh më tej se me të njëjtën filozofi u konceptuan projektet madhore në albanologji, të ideuara e drejtuara prej ASHSH-së, ku, siç dihet, në grupet e autorëve e redaksitë e tyre, të çdo niveli, janë përfshirë specialistët e studiuesit nga më të spikaturit e fushave përkatëse, nga të gjitha institucionet kryesore të arsimit e shkencës në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
Për veprimtaritë e zhvilluara në fushën e historisë akad Gjinushi u shpreh se ato kanë synuar thënien e së vërtetës mbi figurat qendrore e të kontributit e pozicionimit të Shqipërisë e të shqiptarëve në rrjedhat e historisë.
Më tej, akad. Gjinushi veçoi realizimin më të rëndësishëm të Akademisë së Shkencave, përgatitjen e Fjalorit të madh të shqipes, me 120 mijë lema, nga 100 mijë që ishte parashikimi. Ai tha se kjo vepër është pritur me mjaft interes e vlerësim nga komuniteti gjuhësor e opinioni i gjerë. Puna e realizuar me profesionalizëm në përgatitje e respektimin rigoroz vetëm të kritereve shkencore në përzgjedhjen e lëndës nuk nënvleftësoi dialektet pavarësisht mbrojtjes dhe mbështetjes së gjuhës standarde.
Gjithashtu, ai u shpreh se viti 2024 ka qenë një vit kulmor në përgatitjen e Enciklopedisë shqiptare. Siç dihet, për këtë janë ngritur e ndjekur puna e 28 redaksive të fushave në Tiranë e po aq në Prishtinë. Akad Gjinushi tha se përfundimisht jemi në fazën kur tërë redaksitë e fushave kanë dakordësuar e dorëzuar fjalësit përkatës me rreth 12-13.000 artikuj për t’u miratuar nga redaksia qendrore. Vlerësojmë se është bërë një punë e mirë me mjaft përkushtim, vështirësi e sfida, në drejtim e koordinim. Në tërësi gjatë këtij viti është punuar nga punonjësit kërkimorë shkencorë të Instituteve për 28 projekte në arkeologji, 12 në gjuhësi-letërsi, 14 në histori, 7 në antropologji e 3 në art, në kuadër të programit të instituteve për ecurinë e të cilëve është raportuar nga vetë drejtuesit e tyre. Nga raportimet rezulton se, në tërësi është kryer puna sipas programit.
Akad Gjinushi foli dhe për një nga misionet bazë të Akademisë së Shkencave, botimet shkencore. Ai tha se Akademia, ndër veprimtaritë kryesore, ka dhe atë të botimit, si të veprave e studimeve të kryera nga institutet e saj a anëtarët e saj, ashtu dhe nga personeli akademik jashtë institucionit. Akademia së shpejti do të ketë entin e saj botues.
Një nga pikat kryesore të raportit ishte edhe korrektësia dhe efikasiteti në menaxhimin e fondeve. Kryetari i ASHSH-së theksoi se në auditet e zhvilluara nga KLSH-ja nuk pati asnjë gjetje që lidhej me keqpërdorim fondesh publike a për mangësi monetare e materiale.
Gjithashtu, ai vuri në dukje se projektet e Akademisë së Shkencave kanë pasur një efikasitet maksimal, të dukshëm dhe të matshëm. ASHSH-ja nuk është thjesht nxitëse e përparimit shkencor, por drejtuesja e organizuesja parësore e tij në bashkëpunim me gjithë rrjetin e IAL-ve. Pranë ASHSH-së sot ka rreth 500 specialistë të lartë të aktivizuar si anëtarë komisioni, anëtarë e bashkëpunëtorë njësish a pjesëmarrës në projekte.
Pjesë e raportit që kumtoi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ishte edhe programi e synimet për vitin 2025. Akad. Gjinushi tha se në programin dhe synimet e ASHSH-së për vitin 2025 parashikohen që të kryen rreth 140 aktivitete, 84 projekte, botimi i 11 periodikëve dhe rreth 65 tituj veprash a aktesh konferencash a botime promovuese.
Kryetari i ASHSH-së theksoi se objektivi kryesor është rritja e investimeve për shkencën, me programim të qartë, për të arritur te niveli i financimit 1% të GDP-së para vitit 2030, objektiv ky i vënë në Samitin e Akademive e të universiteteve publike në kuadër të procesit te Berlinit, zhvilluar në Tiranë.
Më pas u bë njohja me VKA nr. 8, datë 12.2.2025 “Për fillim procedure për avancim në titullin akademik dhe rishpallje e një vendi për titullin akademik. Me këtë rast u ndanë disa nga diplomat për akademikët e shpallur gjatë vitit 2024.
Së fundi u bë miratim i ndarjes e buxhetit të ASHSH-së për vitin 2025 dhe disa ndryshimeve në Statutin e ASHSH-së, të miratura në parim nga bordi i drejtorëve dhe Kryesia, me vendimin nr. 10, datë 14.2.2025.
Gjatë mbledhjes diskutuan anëtarë të Asamblesë, drejtuesit e instituteve, qendrave dhe njësive shkencore, kryetarë të komisioneve: akad. Valter Memisha, akad. Adem Bunguri, akad. Arben Merkoçi, prof. Neritan Ceka, akad. Hamit Kaba, akad. asoc. Rrapo Ormëni, akad. Pëllumb Xhufi, akad. Artan Fuga, prof. dr. Olsi Lelaj, dr. Arian Leka, për çështjet specifike në drejtimin e instituteve dhe qendrave përkatëse, ndërsa shprehën në fund të fjalës së tyre edhe mirënjohjen për mbështetjen e Akademisë së Shkencave dhe Kryesisë së saj në gjithë zhvillimin e veprimtarisë së tyre.
Ashtu si jeni katandisur, mor Gjinushi, me akademike turcelinj antishqiptar dhe me tru te atrofizuara, do te ishit me funksional, nqse beheni aneks i xhamise rama-erdogan, te cilen e keni dhe shume afer.
Po ai mo, qenka akademik mo, kurvi kurvit, hajduti cac angjeli...