Më poshtë postimi i plotë i Akademisë në fb:
Koço Kosta u lind më 13 maj 1941 në fshatin Suhë të Lunxhërisë, në jug të Shqipërisë. Ai është një nga prozatorët e spikatur të letërsisë shqipe, me një krijimtari të gjerë që përfshin tregimin, novelën, romanin dhe publicistikën.
Studimet e larta i kreu në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Gjatë viteve të studimeve universitare botoi edhe shkrimet e tij të para letrare, duke shënuar fillimet e një veprimtarie të qëndrueshme krijuese.
Në vitin 1969, me vëllimin me tregime “Unë dhe komiti”, Kosta u vlerësua me Çmimin e Parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Më vonë, krijimtaria e tij u përfshi në një seri botimesh në prozë, ku dallohen: “Shënime përmes shiut” (1968), “Krismë midis gurgullimash” (1969), “Bisedë në mesnatë” (1971), “Dademadhja” (1976), “Buka e një stine me borë” (1979), “Era e udhëve” (1981), si dhe “Tregime të zgjedhura” (1985).
Në vitin 1986, novela “Ata të dy dhe të tjerë”, e botuar në revistën letrare “Nëntori”, u konsiderua problematike nga regjimi i kohës, duke sjellë ndërprerjen e të drejtës së botimit për autorin dhe dërgimin e tij në punë të detyruar në kooperativën e Greshicës.
Pas vitit 1990, Kosta u vendos në Tiranë dhe rifilloi aktivitetin e tij letrar. Në këtë periudhë botoi, ndër të tjera, romanet dhe novelat: “Paradite me shi” (1991), “Ata të dy dhe të tjerë” (botim i plotë, 1994; ribotime të mëvonshme), “Nata e Sofie Kondilit” (2007, ribotuar 2008) dhe “Absurdi” (2009).
Për veprimtarinë e tij letrare, ai është vlerësuar me disa çmime dhe tituj nderi, përfshirë Çmimin e Parë për veprën më të mirë (1995), Urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe titullin “Nderi i Akademisë” nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (2022). Gjithashtu, ai është laureat i Çmimit të Republikës.
Krijimtaria e Koço Kostës karakterizohet nga një vështrim kritik ndaj realitetit shoqëror, ndjeshmëri narrative dhe një gjuhë e përpunuar artistike, duke e renditur atë ndër autorët e rëndësishëm të prozës shqipe bashkëkohore.
A.K./TemA
Vecanrisht, ketij vilajeti te semure rende nga trute, i sherbejne si medicine efektive, personalitete te tille si Koco Kosta.