
Një mbrëmje me poezinë e Preç Zogajt. Në interpretimin e aktoreve të mirënjohura Luiza Xhuvani, Yllka Mujo dhe Elia Zaharia, të shoqëruara nga muzika e Frederik Ndocit, publiku do të përjetojë një udhëtim emocional në universin poetik të Preç Zogajt. Mbrëmja realizohet nga Fondacioni UET PRESS, në kuadër të programit “Leximi, kultura, komuniteti” për nxitjen e kulturës së leximit në komunitet, në bashkëpunim me Teatrin Eksperimental. Recitali zhvillohet më 13 maj, ora 18:00, në Teatrin Eksperimental pranë Art Turbina. Programi sjell një përzgjedhje të poezive nga përmbledhja “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, një botim jubilar që përmbledh mbi katër dekada krijimtari poetike. Poezia e Zogajt trajton dashurinë, kujtesën si dhe përkohshmërinë, me reflektime lirike mbi përvojën njerëzore.
. E Mërkurë, 13 Maj 2026, ora 18:00, Teatri Eksperimental
Moderatore: Suadela Balliu - Fjala përshëndetëse dhe hapja e mbrëmjes artistike.
Interpretim poetik: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia.
Intermezzo muzikore: Frederik Ndoci - Interpretim i këngës “Sytë e tu”.
Interpretim poetik: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia.
I ftuar special: Rudolf Marku
Intermezzo instrumentale: Prof. Ramazan Peku - Interpretim me violinë.
Intermezzo muzikore: Frederik Ndoci - Interpretim i këngës “Në ëndërr netëve”.
Interpretim poetik: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia.
I ftuar special: Luan Rama - Përshëndetje dhe refleksion artistik.
Interpretim poetik: Poezitë përmbyllëse të interpretuara nga aktoret - Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia.
Mbyllja e mbrëmjes: Preç Zogaj Me interpretimin e poezisë “Balada e skuqjes”
Studiuesi Gëzim Basha: Preç Zogaj e ka shkruar poezinë me termat e veta E parë si complete oeuvre, përmbledhja voluminoze, Në çdo pasqyrë na sheh mëkati - e para përmbledhje e këtij formati nga poetët e brezit të Zogajt është ndër përmbledhjet më të plota dhe më dinamike në dekadat e fundit Prej debutimeve të para, te përmbledhja më e fundit, Preç Zogaj, pavarësisht respektit të tij të shprehur ndaj traditës, e ka shkruar poezinë me termat e veta.
Modelet e poezive të tij u afirmuan si hibride komplekse varietetesh formale dhe epifanish kuptimore, duke ushtruar përherë një sintaksë elastike dhe elegante, e aftë për të thëne gjithçka me një balancë të përkorë. Me përkujdesjen e tij për diksionin (me diksion nuk kam parasysh tonin, por përzgjedhjen e fjalëve) dhe sintaksën poetike, krijimtaria poetike e Zogajt të kujton përkufizimin e njohur të Kolrixhit për poezinë si “vendosje e fjalëve të duhura në rendin e duhur.”
Gjuha e bukur mbetet synim i përhershëm i Zogajt, ngaqë ai e konsideron poezinë art evokativ, me ndikim imediat mbi mendjen dhe shqisat. Ndjeshmëria e tij gjuhësore e mban poezinë si një formë të butë hipnoze, e aftë të tërheqë vëmendjen dhe të temperojë kujtesën. “Poezia”, thotë kritiku amerikan, Dana Gioia, “e përdor (qëllimshëm) ëndjen estetike si formë instruktimi, ka forcë magjike dhe ushtron efekte te forta”. “Kujtoni Orfeun”, thotë ai, “këngët e tij mund të ndryshojnë realitetin duke krijuar komunitete.” Lirizmi i lindur dhe përkujdesja gjuhësore e kultivuar bëjnë që në vargun e Zogajt, edhe gjërat më zakonshme të kalojnë në një filtër lirik defamiljarizimi, çka krijon një festë letrare të pazakontë, larg deklaratave didaktike, angazhimit të drejtpërdrejtë dhe “erudicionit” skolaresk. Jo rastësisht, mënyra se si poezitë e Zogajt e bëjnë kuptimin e tyre përkon me përkufizimin e nobelistit meksikan Oktavio Paz, “poezia është këngë dhe kënga nuk është as diskurs dhe as shpjegim.” E parë si complete oeuvre, përmbledhja voluminoze, Në çdo pasqyrë na sheh mëkati - e para përmbledhje e këtij formati nga poetët e brezit të Zogajt - për nga relievi i saj estetik dhe kuptimor është ndër përmbledhjet më të plota dhe më dinamike në dekadat e fundit. Botimi i një përmbledhjeje përmasash të tilla cilësore dhe sasiore, nuk është fort i zakontë ndër lëvruesit e poezisë lirike, ngaqë pak autorë ia dalin ta mbajnë atë intensitet të veçantë formal dhe emocional që kërkon poezia, përgjatë tërë karrierës së tyre.
Edhe më i rrallë është ky fenomen në letërsinë shqipe, ku shumica e poetëve i shkruajnë veprat më të mira fare të rinj dhe gjatë një periudhe të shkurtër shpërthyese, pa mundur ta mbërrijnë ekuilibrin e maturimit. ...Tek Preç Zogaj nuk ka kord umbilical të lidhur me folklorin, por një vetëdije estetike të aftë për t’u informuar nga çdo praktikë e suksesshme. Në këtë venë, përmbledhja, Në Çdo Pasqyrë na Sheh Mëkati, e formon tërësinë e saj me parimin e harmonisë së mozaikut, si shumësi teknikash poetike dhe larmish tematike, është ndarje radikale me traditën e fiksuar vetëm pas modeleve folklorike. ...Në pikëpamjen time, poezitë e Zogajt bëjnë gjestet estetike të odes dhe ekloges moderne ndërkohë që, varësisht nga përmbajtja, mund të lexohen edhe si poezi dashurie, lutje, protesta, momente meditimi, elegji dhe litani. ...Zogaj debutoi së pari si produkt i grupimit letrar lezhjan, i cili nisi si një counterculture, por shpejt u bë epiqendër e një poezie ndryshe – më saktë, njëra nga epiqendrat e poezisë shqipe, e cila edhe për shkak të represionit politik në qendër, pati marrë karakter regjional. Poezia e grupimit të Lezhës u shqua nga pasioni për ballafaqim me modelet më të emancipuara të poezisë europiane.
*Marrë me shkurtime nga parathënia e studiuesit Gëzim Basha për përmbledhjen poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, Preç Zogaj, UET PRESS 2024