Ardi Stefa
Më pyeti sot një maturante se përse ka kaq vite që “Pallati i ëndrrave” studiohet në maturë nuk ka rënë asnjëherë në provim.
Pyetja më ngacmoi dhe i shpjegova asaj dhe klasës se “Pallati i Ëndrrave” nuk është thjesht një roman për Perandorinë Osmane. Është romani kushtuar çdo pushteti që ka frikë nga njeriu i lirë. Kadareja goditi çdo regjim që ushqehet me frikë. Dje ishte diktatura komuniste. Sot janë neodiktaturat me kostum europian e demokratik.
Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tij: sa herë ndryshojnë regjimet, libri mbetet po ai, sepse mekanizmi i shtypjes mbetet po i njëjti. Ndryshojnë vetëm uniformat, fjalët dhe logot e propagandës.
Dikur diktaturat kontrollonin fjalën. Pastaj kontrolluan librat. Më pas kontrolluan mendimin. Në “Pallatin e Ëndrrave”, pushteti shkon edhe më larg: kërkon të kontrollojë atë që është e pakontrollueshme, nënndërgjegjen. Ëndrrën. Frikën. Ankthin. Heshtjen. Instinktin njerëzor. Sepse çdo diktaturë e di se njeriu mund të heshtë me gojë, por rebelimi fillon gjithmonë në mendje.
Dikur kishte nëpunës të “Tabir Sarajit” që interpretonin ëndrrat. Sot ka patronazhistë që interpretojnë bindjet politike të qytetarëve. Atëherë përgjonin nënndërgjegjen. Sot përgjojnë jetën.
Këtë e paralajmëroi Orwell me “1984” me Big Brother-in që të sheh edhe kur fle. Këtë e tha edhe te “Ferma e Kafshëve” me derrat që bëhen identikë me ata që pretendonin se luftonin. Këtë e përshkroi Franz Kafka me burokracinë absurde që të shtyp pa të dhënë as shpjegim. Këtë e ndjeu Albert Camus me absurdin e njeriut të zhveshur nga kuptimi dhe liria. Dhe këtë e solli Ismail Kadare në mënyrën më therëse për shqiptarët: përmes një pallati ku mblidhen ëndrrat, siç mblidhen sot të dhënat, votat, patronazhistët, survejimet dhe dosjet elektorale.
Sepse “Pallati i Ëndrrave” nuk ka vdekur. Vetëm ka ndërruar teknologji.
Sot askush nuk të pyet çfarë ëndërrove natën. Të pyesin për kë voton. Kujt i jep like. Me kë pi kafe. Kujt i shan statuset. Kush të telefonoi. Kush je. Çfarë mendon. Në vend të nëpunësve që interpretonin ëndrrat, kemi ushtri patronazhistësh që interpretojnë bindjet politike. Njësoj si në roman: individi nuk shihet më si njeri, por si material për kontroll.
Në diktaturat moderne nuk ka më nevojë të të fusin në burg apo të të presin kokën. Mjafton të të fusin në listë.
Në listën e “tanëve” apo të “atyre”.
Në listën e militantëve e të të dyshimtëve.
Në listën e vendeve të punës apo të atyre “që duhen parë”.
Ndaj çdo pushtet autoritar ka të njëjtin obsesion: ta zhveshë njeriun nga individualiteti dhe ta kthejë në statistikë. Në numër. Në votë. Në përkatësi. Ta tjetërsojë, dehumanizojë, depersonalizojë.
Dhe këtu i jap përgjigje pyetjes së sikletshme: “Përse Pallati i Ëndrrave, edhe pse është në programin e maturës prej vitesh, vazhdon të mos bjerë provim? Vallë sepse është tepër universal? Apo sepse është tepër aktual?”
Nxënësi që e lexon me mendje të lirë, nuk sheh vetëm sulltanin apo diktaturën komuniste. Ai sheh edhe pushtetin modern që flet për demokraci, ndërsa ndërton mekanizma kontrolli mbi qytetarin. Sheh administratën që kërkon bindje dhe jo profesionalizëm. Sheh militantin që zëvendëson qytetarin. Sheh frikën që maskohet si stabilitet. Prandaj Pallati i Ëndrrave vazhdon të mos bjerë në maturë, edhe pse është në program prej vitesh. Jo sepse është i vështirë. Por sepse është shumë i qartë.
Sepse maturanti që e lexon si duhet, kupton një të vërtetë të rrezikshme: çdo regjim që kërkon të dijë gjithçka për qytetarin, ka frikë prej tij.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse romani mbetet “i rrezikshëm”. Jo për atë që thotë për të shkuarën, por për atë që zbulon për të tashmen.
Ngaqë diktaturat nuk tremben nga librat e vdekur. Tremben nga librat që vazhdojnë të lexohen si pasqyrë dhe janë virus politik. Dhe mbi të gjitha kupton diçka që pushteti nuk e do kurrë në një provim mature: se qytetari i kontrolluar nuk është qytetar. Është subjekt administrimi.
Një brez që kupton vërtet “Pallatin e Ëndrrave”, nesër mund të mos pranojë të jetojë brenda tij.
Shkrim i saktë.... këndvështrim i saktë... konkluzion i gabuar...si gjithmonë në këtë vend,konkluzionet në çdo fushë i nxjerrim gabim... qoftë edhe kur konkluzionet janë për kulturën ( më pak të "prekurën" në çdo sistem). I nderuar profesor. Asnjë populli nuk i është dashur të lexojë ' Pallatin e Endrrave' për të kërkuar dinjitet e për t'u ngritur në demostrata. Por mbi të gjitha,pupujt që kanë arritur prosperitet,kanë thjesht në krye njerëz që duan vende tyre dhe popullin e tyre ...dhe kur populli nuk ka qenë në " lartësinë e duhur ", këta njerëz janë munduar që t'a mësojnë me liri dhe demokraci e mbi të gjitha t'i mësojnë të jenë hunam sepse nga sjellja humane mësohet dhe respektohet çdo e drejtë njerzore. Pra,sado totalitar të jetë kontrolli,çdo mizore të jetë qeverisja, një popull i mësuar me sjellje humaniste,do arrijnë t'ja dalë.
Ti mor djalë ke mungesë konceptualiteti politik dhe filozofik të qartë ose të gabuar, mbi diktaturën, demokracinë, shtetin, militantët, etj. Ëndrrat nuk varen nga ndërgjegja por gjithsesi influencohen prej saj. Ato nuk mund as të ndalohen, as mund të kontrollohen. Por ndërgjegja nuk është instikt, ajo formohet në përputhje me rrethanat historike, shoqërore dhe gjeografike. Është ashtu, të dy romanet e përmendur alegorizojnë kontrollin e shoqërisë por jo nga burokracia, por nga pushtetmbajtësit. Të dy romanet mund t'i gjykosh njëlloj në sisteme të ndryshme ekonomiko - shoqërore. E përbashkët është egzistenca e shtetit. Fenomenet e tilla, të zyrtarëve që ndër zyra "tjerrin" statistika, sondazhe, përgjojnë ndërlidhjen, intervista, podksdte, reklama, etj, që spiunojnë me satelitë, që taksojnë, dhe që duan të dijnë: ç'bëjnë e ç'kërkojnë njerzit e punës dhe, përpiqen të influencojnë jo vetëm në modë, prirje politike, por edhe ndërgjegje, ndodhin në ç'do shtet. Pra është karakteristikë e shtetit dhe nuk ka të bëjë as me demokracinë dhe njeriun e lirë dhe as me diktaturën dhe njeriun e shtypur. Shteti në vetvete është diktaturë dhe ka karakter klasor. Disa lloje shtetesh të futin në burg, të pushkatojnë për "ëndrrat", kurse të tjerë, siç e thua, të fusin në listë; kaq mjafton. Ndodh që shkon si sëpata pa bisht: "aksidentohesh" me makinë, tren, avion, anije, varkë, të ha ariu në pyll. Një lloj ekzrkutimi pa telashet e hetimit apo gjykimit; thjesht zhdukesh. Nuk ka pushtet jo autoritar. Njerzit janë qenje shoqërore me zakone e prirje të ndryshme dhe veprojnë ne një mjedis të lirë për aq sa nuk cenon "interesat e tjetrit" - sistemin politik. Ndaj është "shpikur" shteti që t'i kontrollojë këto prirje dhe të ruajë shoqërinë nga përplasjet e grupeve të ndryshme shoqërore për shkak të mungesës së plotësimit të kërkesave gjithnjë ne rritje të mjeteve të jetesës. Mos na i keqinformoni nxënësit, ndryshe jini dhe ju një nga ata të Pallatit, patronazhistët, pra. Besoj më pak se 3000 fjalë (tema e meriton) dhe jo me AI, por me gjykim ndryshe nga ju.
Me pelqejne shkrimet e ketij gazetari pasi ka njohuri te mira, por me vjen keq (pak...), qe ka ne tru virusin e militantit te Saliut. Dihet qe çdo qeveri, sado demokratike qe te jete, kerkon kontrollin; mundesisht sa me te gjere e sa me te madh mbi institucionet, edhe atyre qe nuk jane ne varesi te saj, me pretendimin populist ; per ti sherbyer vendit, popullit, sigurise, qetesise, etj. Edhe ne nuk bejme perjashtim nga ku rregull i pa shkruar. Nje popull i kulturuar, i emancipuar, i ditur, eshte ne gjendje ta ndertoje shtetin demokratik, jo per te perfituar politikanet, burokratet, militantet, por qe te perfitoje vendi dhe populli. Per fat te keq ne jemi ende shume larg.
Në këtë shkrim ka diçka paradoksale: mëtohet të thuhet se e gjithë shtypja e pushtetit - e cilitdo që shtyp, pavarësisht nga emërtimi - nuk mund të ndjehet aq mirë e aq saktë nga lëkura e të shtypurit, por vetëm duke lexuar libra që flasin për shtypjen. Kjo do të thotë se, edhe kur di shumë, edhe kur mund të artikulosh bukur e të shprehësh kulturë, mund t'ia futësh kot, madje kot fare. Mania për t'u dukur, për të dhënë përgjigje për çdo gjë, për të bërë ekspertin e çdo fushe njohurish e çfarëdolloj ngjarjesh, nuk shpie gjetkë përveçse në ndonjë qorrollisje. Ai që nuk është në gjendje të kuptojë se deri ku i kanë kufijtë mundësitë e tij (të çfarëdo lloji) nuk mund të japë gjithmonë përgjigje të drejta e shteruese për pyetjet që lindin në këtë botë të sunduar nga pikëpyetjet.