Yll Limani dhe nata kur Vjena këndoi me të

11 Maj 2026, 16:47Kulturë TEMA

Yll Limani dhe nata kur Vjena këndoi me të

Ka pasur një kohë kur koncertet (ishin me dhjetëra këngëtarë që organizoheshin) shqiptare në diasporë kishin një mision tjetër. Njerëzit mblidheshin për flamurin, për luftën, për mbijetesën emocionale të një kombi larg shtëpisë. Muzika ishte thirrje. Ishte mobilizim. Ishte mënyrë për të mos u ndjerë të humbur në qytetet e huaja të Europës.

Në Vjenë ndodhi diçka krejt tjetër.

Për herë të parë, ndoshta në këtë përmasë dhe me këtë shije artistike, një këngëtar shqiptar nuk po i mblidhte njerëzit për kujtesën kolektive të dhimbjes, por për përjetimin. Për muzikën si ndjenjë moderne urbane. Për dashurinë, ritmin, vetminë dhe nostalgjinë personale. Dhe kjo është arsyeja pse koncerti i Yll Limanit nuk ngjante me asgjë që diaspora shqiptare ka parë më parë.

Ai nuk hyri në skenë si këngëtar që kërkonte duartrokitje. Hyri si showman. Me një qetësi që kontrollonte ritmin e mbrëmjes sikur dirigjonte emocione e jo vetëm këngë.

Kur nisi me “AJR”, ndriçimi dukej sikur nuk po ndriçonte skenën, por vetë zërin e tij. Pastaj “Për Kon Je Zbukuru”, “Buzët e Kuqe”, “Merri Krejt”, “Alkool”. Publiku ende po hynte në atmosferë, por Ylli e dinte saktësisht se si ndërtohet tensioni emocional i një koncerti. Nuk nxitonte. E linte secilën këngë të merrte frymë.

Yll Limani dhe nata kur Vjena këndoi me të

Dhe aty kuptohej madheshtia e bendit.

Nuk ishte një bend që shoqëronte këngëtarin. Ishte një organizëm i gjallë muzikor që e shtynte koncertin në dimension tjetër. Pianoja e Fatjon Miftarajt krijonte urat emocionale mes baladës dhe ritmit. Aleks Zisi në drums e mbante gjithë natën në një puls që nuk binte asnjëherë. Erjet Barabllushi me bass-in e bënte tingullin të rëndë dhe elegant njëkohësisht, ndërsa Kevin Kaçeli në kitarë elektrike i jepte koncertit atë frymën mes rock-ut të butë dhe pop-it modern.

Por kishte edhe diçka tjetër aty. Një ndikim që të sillte ndër mend grupet si Coldplay në mënyrën si ndërtojnë shpërthimin emocional të publikut, dhe herë pas here frymën romantike e folk-pop të The Beatles në kalimet melodike. Jo si imitimi, por si ndjesi. Si mënyrë për ta kthyer koncertin në përjetim kolektiv.

Kur Leon Hajdari kapte saksofonin apo klarinetën, atmosfera ndryshonte menjëherë. Tingulli bëhej më i thellë, më filmik. Pastaj hynin violinat e Dalvin Mamushës dhe Rron Bakallit, dhe koncerti merrte një shije pothuaj kinematografike. Në “Dje”, kur kitara mbeti për pak sekonda vetëm me zërin e Yllit, salla nuk dukej më si koncert. Dukej si një kujtim që po këndohej bashkë.

Yll Limani dhe nata kur Vjena këndoi me të

Dhe publiku nuk rrinte ulur.

Ishte një kor i madh shqiptarësh që dinin çdo strofë. Jo vetëm refrenin. Çdo strofë. Ata nuk po këndonin mbi Yllin. Po këndonin me të. Dhe ky është dallimi që e bën një artist të madh në koncert. Kur publiku nuk është më audiencë, por pjesë e performancës.

Nga “Mjegulla” te “Lshoja Zanin”, nga “Kthem” te “Dit e Nat”, ai bënte kalime narrative muzikore të jashtëzakonshme. E çonte publikun nga balada në ritëm, nga ritmi në heshtje, dhe pastaj sërish në kulmin e zërit ku gjithë salla shpërthente në vallëzim. Nuk kishte këputje emocionale. Gjithçka rridhte natyrshëm, sikur koncerti ishte një këngë e vetme dyorëshe.

“Najher” ishte një nga ato momente kur e kuptove se disa këngë nuk janë më pronë e artistit. Janë bërë pjesë e jetës së njerëzve. Dhe kur erdhi “Larg” e pastaj “Malli”, atmosfera mori atë ndjenjën e rrallë kur një koncert nuk të duket më si ngjarje, por si gjendje shpirtërore.

Vizualizimi ishte perfekt. Ekrani dukej sikur vallëzonte me ritmin e muzikës. Dritat nuk mbulonin performancën, por e shpjegonin emocionalisht. Në momentet kulmore, ndriçimi izolon zërin e Yllit nga gjithçka tjetër, sikur instrumentet po hapnin rrugë për emocionin. Dhe kur vinte ritmi, gjithë skena merrte frymë bashkë me publikun.

Në fund, kur u kënduan “Po Nisna Sonte”, “Taxi”, “U Kry”, “A t’kujtohet dashnia” dhe “Injoro”, nuk kishte më ndarje mes skenës dhe sallës. Ishte një trup i vetëm që këndonte.

Yll Limani dhe nata kur Vjena këndoi me të

Dhe ndoshta ky është momenti kur duhet thënë diçka që deri tani shqiptarët nuk e kanë parë shpesh: Yll Limani është artisti i parë shqiptar që po e ndërton seriozisht idenë e turneut modern europian dhe amerikan. Jo koncertit të diasporës. Turneut artistik. Me koncept, bend, narrativë muzikore, vizual dhe identitet.

Në Vjenë nuk u pa vetëm një koncert i suksesshëm. U pa një artist shqiptar që po e kupton se muzika nuk mjafton më vetëm të dëgjohet. Ajo duhet të përjetohet.

Në fund, gjithçka u kthye te Ylli.

 

Yll Limani dhe nata kur Vjena këndoi me të

Jo vetëm te zëri i tij, por te mënyra si e kontrollonte ritmin e mbrëmjes me trup, me ecje, me frymëmarrje, me mënyrën si hynte dhe dilte nga secila këngë sikur po drejtonte një film e jo një koncert. Ai nuk këndonte mbi bendin. Ai luante me të. Në një moment ndiqte violinën, pastaj kitarën elektrike, pastaj e linte pianon t’ia hapte rrugën zërit. Dhe krejt kjo dukej aq organike, sikur muzika po ndodhte për herë të parë aty.

Por mrekullia më e madhe ishte harmonia mes tij dhe ekranit. Ishte pothuajse e pabesueshme mënyra si lëvizjet e tij në skenë përputheshin me vizualin pas shpine. Sikur e kishte mësuar përmendësh frymëmarrjen e ekranit. Kur ai ngrinte ritmin, ekrani vallëzonte me të. Kur ndalte për një sekondë para refrenit, edhe drita dukej sikur merrte frymë bashkë me të. Nuk ishte më vetëm performancë muzikore. Ishte koreografi emocionale.

Dhe aty e kuptove pse publiku nuk ndalonte së kënduari me të. Sepse Ylli nuk po ua impononte energjinë. Po ua krijonte. Me një siguri skenike që rrallë shihet te artistët shqiptarë, ai e mbajti koncertin në tension emocional për dy orë pa e humbur asnjëherë kontrollin mbi sallën.

Yll Limani dhe nata kur Vjena këndoi me të

Në Vjenë, Yll Limani nuk ishte thjesht një këngëtar. Ishte ritëm, lëvizje, ndjenjë dhe skenë në të njëjtën kohë. Dhe në fund, kur publiku vazhdonte të këndonte dhe vallëzonte edhe pasi muzika ndalonte, mbetej vetëm një ndjesi:

Ylli ishte një mrekulli.

/albanian post/

 

Lini një Përgjigje