Vajmari, nga Gëte tek Hitleri

11 Maj 2026, 10:45Kulturë TEMA
Vajmari, nga Gëte tek Hitleri

Një qytet i vogël në Gjermani është kthyer në sinonim të errësirës.

Nga Ian Buruma*, The New Statesman

Për një qytet të vogël gjerman, Vajmari ka një histori të jashtëzakonshme. Është vendi ku Gëte shkroi kryeveprat e tij, ashtu si edhe Shileri. Të dy drejtuan së bashku teatrin e Vajmarit. Bahu jetoi një periudhë kohe në Vajmar, po ashtu edhe Liszti, si dhe Niçe. Demokracia e parë parlamentare e Gjermanisë u themelua pikërisht në Vajmar, prej nga mori edhe emrin republika fatkeqe. Po atë vit, Walter Gropius themeloi aty shkollën moderniste Bauhaus. Vajmari është vendi ku Marlene Dietrich takoi Alma Mahlerin, ish-bashkëshorten e Gropiusit. Teksa i zgjaste dorën që Marlena e re t’ia puthte, Mahler thirri: “Çfarë sysh ka kjo vajzë! Çfarë sysh!”

Kthesa e qytetit drejt së djathtës e detyroi Gropiusin që në 1925 ta zhvendoste tjetërkund Bauhausin e tij aq të urryer nga konservatorët. Hitleri mendoi ta transferonte selinë naziste në Vajmar. Në vitin 1924, Turingia, kryeqyteti i së cilës në atë kohë ishte Vajmari, u bë landi i parë gjerman që hoqi ndalimin ndaj Partisë Naziste. Në fund Hitleri zgjodhi Mynihun si “kryeqytetin e lëvizjes”. Por nazistët e shpallën Vajmarin “kryeqytet të kulturës”.

Shpatet e bukura të Ettersbergut, në të dalë të Vajmarit, ishin vendi ku Gëte dhe miku i tij, poeti Johann Peter Eckermann, bisedonin nën një lis për historinë, fenë dhe artin. Pikërisht aty, në vitin 1937, u ndërtua një nga kampet më të mëdha dhe më brutale të përqendrimit nazist. Plani për ta quajtur Ettersberg u kundërshtua nga personalitetet lokale, të cilët nuk donin që vendi i piknikëve të Gëtes të lidhej me një kamp përqendrimi. Prandaj u quajt Buchenwald. Edhe para se të ndërtohej ai, një tjetër kamp, i pari në Gjermaninë naziste, që ishte më tepër një dhomë torture e improvizuar në një shkollë të vjetër, ishte ngritur në periferi të Vajmarit në vitin 1933.

Historia se si nazistët erdhën në pushtet dhe çfarë bënë me të është treguar shumë herë, por Vajmari, si qendër e kulturës së Iluminizmit, e demokracisë dhe e modernizmit, njëkohësisht edhe si qytet i reaksionit të egër dhe dhunës, është vendi i përsosur për të reflektuar edhe një herë në lidhje me këtë periudhë të errët.

Katja Hoyer ofron një përshkrim të qartë dhe të gjallë të kulturës dhe politikës së Gjermanisë mes dy luftërave botërore, por fuqia e librit të saj qëndron te qasja personale. Ajo ndjek jetët e një pjese të banorëve të Vajmarit: disa që u bënë nazistë të zjarrtë, disa që i kundërshtuan ata dhe disa që ulën kokën e u përpoqën të qëndronin larg telasheve. Ideja e “humanizimit” të nazistëve kritikohet si një formë apologjie, si zbutje e krimeve të tyre. Demonizimi i tyre na e bën më të lehtë të distancohemi nga krimet e tyre. Por humanizimi i gjermanëve që jetuan gjatë Rajhut të Tretë, qofshin autorë krimesh, viktima apo spektatorë, është me siguri gjëja e duhur për t’u bërë, sepse ata ishin tepër njerëzorë. Plotësisht për meritë të saj, Hoyer përshkruan veset, kotësitë dhe frikërat, frikacakërinë dhe heroizmin, naivitetin dhe cinizmin, oportunizmin, si dhe instinktin tejet njerëzor për të mbrojtur veten dhe njerëzit e dashur nga rreziku, pa rënë në moralizim. Edhe disa nga personazhet më të dyshimtë, si udhëheqësi thellësisht i gabuar i Rinisë Hitleriane, Baldur von Schirach, janë portretizuar me gjallëri.

Von Schirach, një aristokrat ëndërrimtar, ishte nga ata njerëz që lindin për të qenë adhurues të devotshëm. Fatkeqësisht, në vend që të përhumbej pas aktoreve apo Jezu Krishtit, ai zgjodhi Hitlerin si objektin e përkushtimit të tij. Ishte adoleshent kur takoi për herë të parë udhëheqësin nazist në Vajmar; i pushtuar nga emocioni, ai nxitoi në shtëpi për të shkruar një poezi për Fyhrerin e ardhshëm dhe vendosi mbi tavolinën e tij një fotografi të tij në kornizë argjendi. Prej aty nuk kishte rrugë tjetër veçse më lart. Von Schirach u caktua në krye të Rinisë Hitleriane dhe u bë guvernator i Vjenës. Marrëdhëniet mes tij dhe udhëheqësit u ftohën pasi bashkëshortja e Von Schirachut e pyeti Hitlerin pse hebrenjtë duhej të trajtoheshin aq ashpër. Por edhe vetë Von Schirach ishte fajtor: ai deportoi hebrenjtë e Vjenës drejt kampeve dhe për këtë mori një dënim me 20 vjet burg në Nuremberg.

Një tjetër personazh që shfaqet disa herë është libralidhësi Carl Weirich, besimtar dhe dashamirës i muzikës. Weirich u lind gjatë perandorisë; shërbeu në Luftën e Parë Botërore; pati shpresa të mëdha për republikën gjermane; u demoralizua nga rënia ekonomike; brohoriti për Hitlerin; për një periudhë të shkurtër mbështeti SS-të; dhe më pas vazhdoi biznesin e tij të kancelarive në Gjermaninë Lindore komuniste pas luftës. Ai humbi gruan e parë dhe dy djemtë, njëri prej tyre ushtar, pasi u kap rob nga sovjetikët. Weirich ishte ndër qytetarët e Vajmarit që fitimtarët amerikanë, në vitin 1945, i detyruan të vizitonin Buchenwaldin dhe të shihnin me sytë e tyre trekëmbëshat, mjetet e torturës, krematoriumin dhe trupat e rraskapitur të të burgosurve.

Weirich nuk i bëri keq askujt. Ai u neverit nga ajo që pa në kamp dhe ndjeu turp për “rënien gjermane”. Por ky familjar i zakonshëm, sipas fjalëve të Hoyerit, “e shihte historinë si diçka që u ndodh njerëzve, si dallgë të mëdha ngjarjesh dhe zhvillimesh që individët nuk mund t’i kontrollojnë apo t’i ndalin”. Vizita e Weirichut nëpër Buchenwald synonte t’i mësonte atij, dhe gjermanëve të tjerë, se ata nuk kishin qenë qytetarë të përgjegjshëm, “duke nënkuptuar se edhe Carli mund dhe duhej të kishte bërë diçka për të parandaluar mizoritë naziste”. Ndoshta po. Por rruga e rezistencës në diktaturë është jashtëzakonisht e rrezikshme. Qëndrimi i Hoyerit më duket i matur: “Është gjithmonë më e lehtë të dënosh sesa të shpjegosh, por te kjo e fundit qëndron çelësi për të kuptuar historinë dhe, në fund, për të nxjerrë përfundime kuptimplota.”

Të kuptosh pse kaq shumë njerëz kryejnë, miratojnë ose shpërfillin vepra monstruoze në kohë dhe vende të caktuara nuk është e lehtë. Ideja se fajin e kishte “karakteri kombëtar” gjerman, sikur një popull i tërë të ishte i mallkuar me ndonjë defekt të tmerrshëm moral, sot është krejtësisht e tejkaluar. Në vend të kësaj, Hoyer na çon përmes katastrofave të ndryshme që çuan drejt sundimit të Hitlerit: humbja shkatërrimtare në Luftën e Parë Botërore, inflacioni i frikshëm, papunësia masive, e kështu me radhë.

Po ashtu, Republika e re e Vajmarit ishte e paralizuar nga konflikte, herë-herë të dhunshme, mes koncepteve krejtësisht të ndryshme për shtetin ideal. Nuk kishte konsensus se çfarë duhej të ishte Gjermania. Liberalët e shihnin Gjermaninë si një republikë qytetarësh të lirë. Konservatorët dëshironin rikthimin e monarkisë së vjetër. Komunistët shpresonin për një revolucion punëtorësh. Ndërsa nazistët kërkonin një komunitet arianësh racialisht të pastër, të lidhur me Fyhrerin e tyre në bindje të verbër. Republika e Vajmarit ra, në fund, sepse shumë pak njerëz ishin të gatshëm ta mbronin.

Hoyer tregohet e mençur që nuk heq paralele me epokën tonë, pasi dallimet janë të shumta. Megjithatë, mund të vihen re disa ngjashmëri shqetësuese: minimi sistematik i pavarësisë së gjyqësorit, përhapja e qëllimshme e gënjeshtrave dhe teorive konspirative, spastrimi i administratës publike për ta bërë të nënshtruar ndaj partisë në pushtet dhe adhurimi i një udhëheqësi karizmatik.

Hoyer tregon se si këto gjëra po ndodhnin në Gjermani para se Hitleri të merrte pushtetin e plotë në vitin 1934. Në vitin 1920, anëtarë të policisë sekrete dhe të ushtrisë morën pjesë në një grusht shteti të dështuar kundër republikës. Një pjesë e madhe e gjyqësorit ishte në anën e komplotistëve. Edhe pse gjermanët ndoshta nuk ishin më antisemitë se shumica e europianëve të tjerë, hebrenjtë fajësoheshin gjerësisht për të këqijat e Gjermanisë. Në Vajmar, ideologu racist Artur Dinter drejtoi një fraksion që kërkonte largimin e hebrenjve nga administrata publike. Në vitin 1930, Turingia kishte pezulluar kontrollin parlamentar mbi ekzekutivin e saj.

Pikërisht atëherë, para se të themelohej Rajhu i Tretë, një mbrojtje e fortë e institucioneve demokratike mund të kishte bërë dallimin. Shumë gjermanë të ndershëm, zgjodhën, si Weirich, ta linin historinë të ndiqte rrjedhën e vet. Në kohën e Hitlerit, ishte tepër vonë që ata të parandalonin mizoritë, përveçse po të kishin guximin të rrezikonin të torturoheshin deri në vdekje.

*Ian Buruma është shkrimtar dhe ish-redaktor i New York Review of Books. Libri i tij më i fundit titullohet “Staying Alive: Berlin 1939-1945” (Atlantic).

Lini një Përgjigje